Hapësirat e Bibliotekës
Holli Kryesor
Në hyrje të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ndodhet Holli kryesor, një hapësirë madhështore me dysheme mermeri, dhe me kupolën më të madhe të Bibliotekës, e cila ndriçon çdo kënd të saj. Ky holl përfaqëson stilin e veçantë të ndërtesës, duke përshëndetur vizitorët që hyjnë në botën e dijes dhe kulturës.
Biblioteka e Esad Mekulit
Biblioteka personale e Esad Mekulit, është një pasuri e madhe kulturore dhe historike. Kjo bibliotekë mban në vete kujtime të paharruara nga jeta dhe veprimtaria e shkrimtarit dhe intelektualit të shquar, krijimtarinë e tij letrare, dokumente historike të kohës, mirënjohje të shumta, dhurata të ndryshme që ka marrë gjatë jetës dhe fletore ku ka shënuar mendimet e tij të thella.
Biblioteka e Fehmi Aganit
Biblioteka personale e Fehmi Aganit, përmban rreth 2 758 njësi fizike, prej tyre 2 075 tituj librash, 68 tituj revistash, si dhe disa dorëshkrime. Përveç librave, biblioteka përmban edhe inventarin personal të tij, vitrinën, raftet, tavolinën e punës, karrigen, llambën dhe disa fotografi me vlerë dokumentare, historike dhe kombëtare.
Biblioteka e Hasan Mekulit
Biblioteka personale e Hasan Mekulit, përmban mbi 5 831 tituj librash dhe revistash, kryesisht letërsi botërore. Përpos këtij koleksioni të rrallë e të vlefshëm, BKK-së iu dhuruan edhe disa objekte personale të tij, si vitrinat, tavolina e punës, çantat e dorës, fotot e tij personale.
Biblioteka e Krist Malokit
Krist Maloki ka lënë një bibliotekë të pasur me vlera albanologjike, e cila është një burim i rëndësishëm për studimet e kulturës dhe historisë shqiptare. Sa ishte gjallë kishte lënë porosinë, që bibliotekën personale të tij t’ia dhuronin Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Koleksioni i tij përmban rreth 508 tituj me gjithsej 536 njësi fizike, të cilat janë përpunuar dhe regjistruar në katalogun elektronik.