Skip to content Skip to footer

Holli Kryesor

Në hyrje të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ndodhet Holli kryesor, një hapësirë madhështore me dysheme mermeri, dhe me kupolën më të madhe të Bibliotekës, e cila ndriçon çdo kënd të saj. Ky holl përfaqëson stilin e veçantë të ndërtesës, duke përshëndetur vizitorët që hyjnë në botën e dijes dhe kulturës.

Shkallëve për tek Holli i Ekspozitave, do të shihni muret të cilat janë të punuara me pjesëza të gurëve, të strukturuara si një mozaik, duke i dhënë kështu një pamje të veçantë bibliotekës. Kjo strukturë e jashtëzakonshme i jep një bukuri unike ndërtesës, duke krijuar një ndjenjë të harmonisë ndërmjet natyrës dhe kulturës.

Nëse shikoni ballkonin dramatik në kat të dytë, do e shihni atë të rrethuar nga Spiralat ilire, simbol i paraardhësve të lashtë të shqiptarëve, të cilat shfaqen si simboli i bibliotekës, dhe e bëjnë edhe më madhështore pamjen e këtij holli.

Po ashtu, për të shtuar këtë madhështi, pranë hollit tjetër të ekspozitave janë edhe Rozetat e punuara me mjeshtëri nga Simon Shiroka, i cili i ka dhuruar ato Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke e lidhur ndërtesën kështu, me traditën vendase.

Afër këtij holli ndodhet edhe Qendra e informacionit, një pikë e rëndësishme për të gjitha pyetjet dhe informacionet që mund të keni lidhur me objektin, hapësirat ose materialet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.