Skip to content Skip to footer

Biblioteka e Krist Malokit

Krist Maloki (1900-1972) ishte intelektual dhe publicist shqiptar. Ka dhënë kontribut në fushën e kulturës dhe studimeve gjermane. Maloki lindi në Prizren, studioi në Austri. Atje diplomoi në filozofi, për filologji gjermane. I ndikuar nga kultura dhe mendimi gjerman, u bë një ndër studiuesit më të rëndësishëm të filozofisë dhe letërsisë gjermane në botën shqiptare.

Maloki ishte kritik i ashpër i ndikimeve orientale në kulturën shqiptare dhe promovoi një model perëndimor të zhvillimit të kombit shqiptar. Ai botoi shkrime të shumta në revista të ndryshme dhe mbrojti idenë e një Shqipërie të orientuar drejt Evropës dhe kulturës gjermane. Megjithëse disa nga idetë e tij ishin kontroverse, ai mbetet një ndër intelektualët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX.

Krist Maloki ka lënë një bibliotekë të pasur me vlera albanologjike, e cila është një burim i rëndësishëm për studimet e kulturës dhe historisë shqiptare. Sa ishte gjallë kishte lënë porosinë, që bibliotekën personale të tij t’ia dhuronin Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në vitin 2007 Gonxhe dhe Mikel Kaçinari e sollën bibliotekën e tij personale në BKK. Koleksioni i tij përmban rreth 508 tituj me gjithsej 536 njësi fizike, të cilat janë përpunuar dhe regjistruar në katalogun elektronik. Ky fond është i pasur me botime origjinale të cilat janë publikuar nga rilindësit shqiptarë në qytete si Bukuresht, Sofje, Stamboll, Athinë etj. Ka më shumë libra në gjuhën shqipe dhe gjermane, kryesisht libra letrarë dhe kulturorë, si dhe libra historikë dhe politikë. Disa nga botimet më të rëndësishme të këtij koleksioni përfshijnë: “Erveheja” (Bukuresht, 1888), “Dituritë për Mësoitoret e Para” (Bukuresht, 1888), “Vakinat” nga Dom Paco Babbit (Shkodër, 1882), si dhe botimet e para në gjuhën shqipe të realizuara në Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë koleksion përfshihen gjithashtu tituj të periodikëve të ndryshëm, si: “Leka”, “Kalendari Kombiar”, “Hylli i Dritës”, “Përpjekja Shqiptare”, “Fryma”, “Jeta e Re”, “Dituria” etj.