Skip to content Skip to footer

Biblioteka e Fehmi Aganit

Fehmi Agani (1932-1999) ishte akademik, intelektual dhe politikan shqiptar nga Kosova. Ka dhënë kontribut në procesin e pavarësimit të Kosovës. Ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Sociolog dhe profesor universitar, Agani ka luajtur rol kyç në hartimin e politikave paqësore të Kosovës gjatë viteve 1990, duke u përpjekur për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë në mënyrë diplomatike. Gjatë luftës në Kosovë ai u vra nga forcat serbe më 6 maj 1999 derisa po përpiqej të largohej nga Kosova drejt Maqedonisë. Figura e tij mbetet e nderuar për kontributin e madh në lëvizjen kombëtare dhe përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në vitin 2002 familjarët e Aganit ia dhuruan Bibliotekës Kombëtare të Kosovës bibliotekën e tij personale bashkë me inventarin e tij të punës. Ky koleksion përmban rreth 2 758 njësi fizike, prej tyre 2 075 tituj librash, 68 tituj revistash me 839 njësi, si dhe disa dorëshkrime. Përveç librave, biblioteka përmban edhe inventarin personal të Aganit, vitrinën, raftet, tavolinën e punës, karrigen, llambën dhe disa fotografi me vlerë dokumentare, historike dhe kombëtare. Materialet kryesore i përkasin fushës së filozofisë dhe sociologjisë dhe janë të shkruara në gjuhën shqipe, gjuhën gjermane, ruse etj.