Adem Demaçi (1936-2018) ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare shqiptare, shkrimtar dhe politikan, i njohur si “Nelson Mandela i Kosovës” për shkak të qëndrimit të tij të palëkundur ndaj lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Për shkak të qëndrimeve të tij, ai kaloi gjithsej 28 vjet në burgjet jugosllave, duke u bërë simbol i rezistencës paqësore dhe qëndresës kombëtare.
Demaçi studioi Letërsi Botërore në Universitetin e Beogradit, të cilat i ndërpreu për shkaqe familjare, pastaj u kthye në Prishtinë dhe u angazhua në veprimtarinë botuese të ndërmarrjes “Rilindja”
Për kontributin e tij të shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Demaçi u laureua me çmimin “Saharov” nga Parlamenti Evropian në vitin 1991, çmim që e konsideroi një nder për popullin shqiptar. Ai, gjithashtu, mori çmimin special për paqe nga Klubi i Rektorëve në Madrid më 1993 dhe, ndërkohë, u kandidua për çmimin Nobel për letërsi dhe paqe.
Ai ishte kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, kurse në vitin 1998 u bë zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke promovuar çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përveç aktivitetit politik, Demaçi ishte edhe shkrimtar. Vepra e tij më e njohur është “Gjarpinjtë e gjakut”, një roman që trajton kanunin dhe mentalitetin e hakmarrjes në shoqërinë shqiptare.
Adem Demaçi mbetet një ikonë e sakrificës dhe e luftës për lirinë e shqiptarëve.
Biblioteka personale e Adem Demaçit, e hapur më 22 maj 2023 në BKK, është një trashëgimi e rëndësishme që përfshin 1 258 njësi libra si dhe shumë mirënjohje, dekorata, dhurata dhe objekte të tjera personale, që pasqyrojnë jetën dhe veprën e këtij heroi të Kosovës.





