Skip to content Skip to footer

Shërbime tjera

Qendra e Konservimit dhe Restaurimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Restaurimi i materialit bibliotekar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është një proces me rëndësi të veçantë. Përmes këtij procesi synohet të ruhet gjendja fizike dhe estetike e librave, dorëshkrimeve dhe materialeve të tjera bibliotekare, duke parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të tyre.
Me kalimin e kohës, materiali bibliotekar mund të dëmtohet nga një sërë faktorësh, si ndikimet fizike, kimike, biologjike apo edhe njerëzore. Restaurimi është një hap i domosdoshëm për të siguruar që këto materiale, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, të ruhen dhe të jenë të disponueshme për brezat e ardhshëm.
Procesi i konservimit dhe restaurimit të materialeve bibliotekare në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës
Procesi i restaurimit të materialeve bibliotekare është një punë delikate që fillon me vlerësimin nga personeli konservues, i cili përcakton mënyrën e trajtimit të materialit për të rikthyer gjendjen e tij optimale.
Pasi të përzgjidhet materiali për restaurim, ai fotografohet ose mikrofilmohet për të dokumentuar vendet e dëmtuara, një hap i rëndësishëm për të evidentuar ndryshimet pas restaurimit.
Më pas, materiali inventarizohet, duke u shënuar të gjitha veçoritë e tij si data e pranimit, lloji i materialit bibliotekar, formati, numri i inventarit, titulli, viti dhe vendi i botimit, shtypshkronja, lidhja dhe teknikat e shkrimit, lloji i kopertinave, këmishat, fashikujt, teknikat e shkrimit dhe ilustrimet, llojet e dëmtimeve (biologjike, kimike dhe fizike), procedurat e restaurimit dhe data e kthimit.
Pas inventarizimit të materialeve bibliotekare, fillojnë procedurat e konservimit, që përfshijnë heqjen e pluhurit, dezinfektimin, neutralizimin e pH-së dhe rrafshimin e fletëve. Përdoren ngjitës të posaçëm dhe letra japoneze për restaurimin e dëmtimeve. Pas restaurimit, fletët renditen, qepen dhe kopertinat restaurohen. Përfundimisht, materiali i restauruar fotografohet për dokumentim.
Ky proces i strukturuar siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, duke i dhënë jetë të re materialeve me vlerë historike.
Këtë proces e bën me përkushtim restauruesja e BKK-së, Blerta Krasniqi.