Mirë se vini në Bibliotekën e Artit Bashkëkohor!
Biblioteka e Artit Bashkëkohor, në kuadër të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është një nga burimet kryesore për studimin e historisë dhe të teorisë së artit dhe të disiplinave të ngjashme, veçanërisht për artin e kohës moderne dhe bashkëkohore. Biblioteka u shërben studiuesve, artistëve dhe adhuruesve të artit që kërkojnë literaturë të thelluar mbi praktikat, teoritë dhe historiografinë e artit bashkëkohor. Ajo ofron mundësi të shkëlqyera për hulumtim dhe eksplorim të tendencave artistike ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e kulturës dhe edukimit artistik.
Biblioteka e Artit Bashkëkohor është iniciuar në vitin 2005 nga Shannon Bool dhe Adrian Williams. Ky hap i rëndësishëm ka qenë pjesë e një nisme më të gjerë që ka bashkuar dy lidhje të rëndësishme, si Academy Remix-i dhe projekti për artistët e rinj nga Staedelschule në Frankfurt a.M, Gjermani, si dhe studentët e angazhuar në Organizatën Exit Art në Prishtinë, Kosovë.
Biblioteka u shërben përdoruesve, veçanërisht studentëve e studiuesve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, duke u ofruar qasje në një shumëllojshmëri materialesh të shtypura, imazhe vizuale dhe koleksione të veçanta.
Përbëhet nga një inventar prej mbi 10,000 librash, revistash dhe filmash, që ofrojnë burime të nevojshme për artin bashkëkohor, kryesisht në gjuhët angleze dhe gjermane, por edhe në gjuhët e tjera, që pasqyrojnë, gjithashtu, edhe ndikimet dhe zhvillimet artistike të këtyre kulturave.
Biblioteka e Artit Bashkëkohor e kthyer në një hapësirë ndërdisiplinore të shkëmbimit të dijes, ka strukturë rafteve të hapur për kërkime dhe për ngjarje, duke synuar të pasurojë gjithashtu fokusin kryesor të koleksioneve dhe të aktiviteteve. Gjatë kësaj kohe, burimet që formojnë këtë koleksion, kanë bërë të mundur që artistë, studentë e studiues të realizojnë projekte individuale e grupore në dobi të punës së tyre hulumtuese. Gjithashtu, ka mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, që kontribuojnë në avancimin e kulturës dhe artit të Kosovës, duke pasuruar skenën kulturore lokale dhe duke u ofruar mundësi të reja artistëve dhe studiuesve të artit.
Vizitojeni dhe përdorni koleksionet e kësaj biblioteke dhe mos hezitoni të na kontaktoni për ndihmë në kërkimin tuaj.





