Skip to content Skip to footer

Koleksionet në Divizionin e Koleksioneve të Veçanta (DKV)

Të gjitha koleksionet në DKV janë të ndarë në disa njësi organizative, varësisht nga lloji i koleksioneve, si në vijim:

Koleksioni i librit të rrallë e të vjetër

Ky koleksion përmban libra të rrallë e të vjetër, në gjuhë dhe alfabete të ndryshme, si: gjuhë shqipe, angleze, gjermane, frënge, italiane, serbokroate, turke, arabe etj. Ky koleksion është kryesisht i përqendruar në historinë dhe trashëgiminë kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve, si dhe në kulturën e trashëgimisë kombëtare në përgjithësi.

Des Allerstreytparsten und theursten FÃrsten und Herrn Georgen Castrioten : gennant Skanderbeg, Hertzogen zu Epiro und Albanien etc. ritterliche Thaten, so er zu erhalten seiner Erbland, mit den tursckischen Kaysern in seinem Leben glucklich begangen.

Autori: Marin Barleti

Viti: MDXXXIII [1533]

Vendi: Augsburg

Përshkrimi: Libri trajton jetën dhe veprën e heroit legjendar të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu (1405-1468), i cili udhëhoqi një rebelim të armatosur kundër Perandorisë Osmane gjatë periudhës 1443-1468.

Ky material është një dëshmi e jashtëzakonshme për jetën dhe veprat e Skënderbeut, duke u bërë një pjesë e pandashme e identitetit kombëtar shqiptar dhe një burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Libri është shkruar në latinisht nga autori me origjinë shqiptare, Marin Barleti, dhe përkthyer nga latinishtja në gjuhën gjermane nga Joanne Pinicianu. Ai është botuar në Augsburg në vitin MDXXXIII (1533).

Marin Barleti (Marinus Barletius) (1450-1512), historian, autor dhe prift nga Shkodra, mund të konsiderohet si babai i studimeve mbi Skënderbeun.

 

Shkronjëtore gjuhës shqip

Autori: Sami Frashëri

Viti: 1886

Vendi: Bukuresht

Përshkrimi: Konsiderohet si gramatika e parë e shkruar dhe e botuar në gjuhën shqipe, me një nivel të lartë shkencor për dijet e asaj kohe. Kjo gramatikë u botua në Bukuresht, Rumani, më 1886 nga shoqëria “Dija”.

 

Erveheja

Autori: Muhamet Çami

Viti: 1888

Vendi: Bukuresht

Përshkrimi: Erveheja është një poemë e shkruar nga Muhamet Çami, e njohur për rrëfimet romantike në vargje. Poema, e cila është shkruar me strofa katërvargëshe, tregon peripecitë e së bukurës Ervehe, e cila ia del të mbrojë nderin dhe virtytin e saj, duke kaluar shumë sprova dhe fatkeqësi.

 

Caratteri e grammatica della lingua albanese

Autori: Jeronim De Rada

Viti: 1894

Vendi: Corigliano Calabro (Itali)

Përshkrimi: Autori, në këtë vepër, jep të dhëna të rëndësishme për gramatikën e gjuhës shqipe. Edhe pse vepra është shkruar në italisht, që në titull kuptohet se ajo është përgatitur për të gjithë ata që kanë interes për gramatikën e gjuhës shqipe.

 

Lufta e Malçorve Shkoders : Qi filloj me 25 Març e maroj me 3 Gusht 1911

Viti: 1912

Vendi: Paris

Përshkrimi: Libri është shkruar në formë vargjesh dhe përshkruan kryengritjen e Malësorëve të Shkodrës në periudhën nga 25 marsi deri më 3 gusht të vitit 1911. Malësorët e këtyre trevave, gjatë ekspeditave të ndryshme të komandantëve ushtarakë turq, përkatësisht Turgut Pashës dhe Bedri Pashës, filluan dhe zhvilluan kryengritjen, të bindur se kjo do të ndikonte në përmirësimin e pozitës së tyre dhe do të ndihmonte në sensibilizimin e opinionit demokratik evropian për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Grammatica elementare della lingua Albanese (Dialetto Tosco)

Autori: Angelo Leotti

Viti: 1915

Vendi: Romë

Përshkrimi: Albanologu italian Leotti, në këtë libër, paraqet të dhëna të rëndësishme për gramatikën elementare dhe sintaksën e gjuhës shqipe në dialektin tosk. Më konkretisht, ai trajton shqiptimin e alfabetit, përcaktuesit e shumësit të emrave, foljet, ndajfoljet, parafjalët, lidhëzat, etj.

Abetar për shkollat popullore shqipe

Autori: Ndue Paluca

Viti: 1921

Përshkrimi: Abetarja përmban shkronjat e alfabetit dhe mësimet e leximet (këndimet), që fillojnë nga faqja 4 deri në faqen 93, për të vazhduar më tej me tregime dhe poezi.

Kossovo : berceau du peuple albanais et foyer de sa Renaissance Nattionale

Autori: Hamit Kokalari

Viti: 1943

Vendi: Tiranë

Përshkrimi: Varianti në gjuhën frënge i librit të Hamit Kokalarit “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, është një vepër patriotike që shërben për mbrojtjen e interesave tona kombëtare, të cilat në atë kohë ndodheshin në një situatë shumë delikate. Po atë vit, ai e botoi këtë vepër të zgjeruar edhe në frëngjisht, me titullin “Kossovo, berceau du peuple albanais et foyer de sa renaissance nationale”, me qëllim që çështja jonë kombëtare të bëhej e njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Libri është i shoqëruar me bibliografi, shënime dhe përmbledhje shkrimesh nga autorë të ndryshëm.

Sons of the eagle

Autori: Julian Amery

Viti: 1948

Vendi: Londër

Përshkrimi: Një studim në luftën guerile (1940 -1944)

Në këtë botim paraqiten përshtypjet dhe përvoja e një oficeri britanik gjatë Luftës së Dytë Botërore, operacionet sekrete në Ballkan, veçanërisht në Shqipëri, si dhe revoltat dhe lëvizjet e rezistencës shqiptare për çlirimin e vendit të tyre. Libri është i pasuruar me fotografi dhe harta.

La resa dei conti : Il Kosovo, l’Italia e la dissoluzione della Jugoslavia (1939-1941)

Autori: Luca Micheletta

Viti: 2008

Përshkrimi: Një udhëkryq i interesave politike dhe ekonomike, një vend i spastrimit etnik, një vend i betejave epike dhe i ruajtjes së kujtimeve kolektive kombëtare. Ky libër, i bazuar në burime të pabotuara, trajton “çlirimin” e parë të Kosovës, ilustron një faqe të politikës së jashtme italiane ende të panjohur dhe hedh dritë të re mbi historinë e dhunshme të fuqisë ballkanike gjatë Luftës së Dytë Botërore.