Skip to content Skip to footer

Huazimi ndërbibliotekar

Shërbimi i Huazimit Ndërbibliotekar (ShHN) dhe Shërbimi i Huazimit Ndërbibliotekar Ndërkombëtar (ShHNN), në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, është i rregulluar me RREGULLORE (MKRS) – NR. 04/2017 PËR PËRDORIMIN E KOLEKSIONEVE TË BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS “PJETËR BOGDANI”, neni 21.

Ky shërbim ofron mundësi për përdoruesit të cilët kanë nevojë për materiale që nuk janë të disponueshme në bibliotekat e tyre lokale. Huazimi ndërbibliotekar mundëson që bibliotekat e Kosovës dhe përdoruesit e BKK-së të kërkojnë dhe huazojnë materiale të shtypura, dokumente të tjera, ose botime elektronike, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga BKK. Rregullorja ka specifikuar se huazimi për bibliotekat publike është pa pagesë, ndërsa bizneset paguajnë sipas një tarife të përcaktuar. Gjithashtu, materialet e huazuara mund të përdoren për periudha të caktuara dhe vetëm për qëllime të leximit dhe studimit, duke mbajtur përgjegjësinë për dëmtimet apo humbjet që mund të ndodhin gjatë periudhës së huazimit.


RREGULLAT PËR PËRDORIMIN E SHËRBIMIT TË HUAZIMIT NË BKK

Neni 21
Rregullat për përdorimin e Shërbimeve të Huazimit Ndërbibliotekar në BKK (tash e tutje ShHN) dhe Shërbimit të Huazimit Ndërbibliotekar Ndërkombëtar (tash e tutje ShHNN)

 

1. Shërbimi i Huazimit Ndërbibliotekar (ShHN) dhe Shërbimi i Huazimit Ndërbibliotekar Ndërkombëtar (ShHNN) ofrohen nga Qendra e Referencës dhe Informacionit, e cila siguron që materialet e shtypura, dokumente tjera apo botime elektronike të dërgohen dhe të pranohen si pjesë e ShHN-së dhe ShHNN-së;

2. ShHN-ja është në dispozicion për të gjitha bibliotekat publike të Republikës së Kosovës, si dhe personave juridikë që kanë nënshkruar një marrëveshje me BKK-në;

3. Për të marrë materiale të shtypura dhe dokumente të tjera apo botime elektronike nga koleksionet e BKK-së, nëpërmjet ShHN-së bëhet porosi:
3.1. Në të gjitha njësitë strukturore të bibliotekave në Kosovë, shërbimi është pa pagesë dhe
3.2. bizneset paguajnë shërbim për çdo huazim në bazë të “Listës së çmimeve të shërbimeve të dispozicionit të BKK-së”.

4. Porosia e ShHN-së mund të bëhet duke përdorur katalogun elektronik të Bibliotekës Kombëtare, duke plotësuar formularin e aplikimit të porosisë elektronike në dispozicion nga faqja e internetit e BKK-së, ose duke plotësuar formularin e aplikimit në format elektronik në çdo sallë të leximit të BKK-së (Shtojca nr. 7 “Formular aplikimi për kërkesë të huazimit ndërbibliotekar”);

5. Ofrimi i shërbimeve të huazimit ndërbibliotekar ndërkombëtar (ShHNN):
5.1. ShHNN-ja është në dispozicion vetëm për përdorues të BKK-së;
5.2. Duke përdorur ShHNN-në mund të bëhen porosi për materiale të shtypura dhe kopje të artikujve të shtypur, dokumente të tjera apo botime elektronike, të cilat nuk janë në dispozicion në koleksionet e BKK-së, baza të të dhënave të BKK-së dhe biblioteka të tjera të Kosovës, nga bibliotekat ndërkombëtare dhe qendrat dokumentare dhe
5.3. Pagesa për ShHNN-në bëhet sipas “Listës së Çmimeve të Shërbimeve në dispozicion të BKK-së”.

6. Rregullat për përdorimin e materialeve të shtypura, dokumente të tjera apo botime elektronike të huazuara nëpërmjet ShHN-së dhe ShHNN-së:
6.1. Materialet e shtypura, dokumente të tjera apo botime elektronike të porositura me anë të ShHN-së huazohen për bibliotekat e rrjetit bibliotekar në nivel vendi për një periudhë prej një muaji, ndërsa kopjet në sallat e leximit huazohen për një periudhë prej dy javësh. Materialet e shtypura, dokumente të tjera apo botime elektronike të dërguara dhe të pranuara përmes ShHN-së nuk huazohen sipas procedurës së huazimit individual. Biblioteka e cila ka pranuar ShHN-në është përgjegjëse për humbjet ose dëmet e shkaktuara në materialin e dërguar;
6.2. Materiale të shtypura, dokumente të tjera ose botime elektronike të siguruara përmes ShHNN-së mund të përdoren vetëm për një periudhë prej tre javësh vetëm në sallën e leximit të ShHN-së në BKK, nëse biblioteka e cila ka huazuar materiale të shtypura, dokumente të tjera apo botime elektronike nuk ka përcaktuar ndonjë kusht tjetër. Materiale të shtypura, dokumente të tjera apo botime elektronike të dërguara dhe të pranuara përmes ShHNN-së nuk mund të huazohen sipas procedurës së huazimit individual. Biblioteka e cila ka pranuar ShHNN-në është përgjegjëse për humbjet ose dëmet e shkaktuara në materialin e dërguar; dhe

7. Materialet e mëposhtme nuk mund të huazohen përmes ShHN-së dhe ShHNN-së:
7.1. Materiale të shtypura, dokumente të tjera apo botime elektronike nga Kopja Arkivore e BKK-së, dhe kopjet e Koleksioneve të Veçanta;
7.2. Materiale të shtypura të shumëkërkuara dhe dokumente të tjera apo botime elektronike nga Koleksioni i BKK-së;
7.3. Materiale të rralla dhe të vlefshme të shtypura, materiale referuese dhe dokumente të tjera (materiale audiovizuale, dorëshkrime, harta, etj.) apo botime elektronike nga koleksioni i BKK-së; dhe
7.4. Materiale të shtypura dhe dokumente të tjera të publikuara para vitit 1945.