Skip to content Skip to footer

Ekspozita

Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar

Në ceremoninë solemne të 17-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është hapur ekspozita “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar”, e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ekspozita fokusohet në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje historike përmes pamjeve nga shtypi i kohës, si një mënyrë efektive dhe e fuqishme për të dokumentuar ngjarjet historike të asaj periudhe dhe për të pasuruar kujtesën kolektive.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 u pasqyrua me entuziazëm nga mediat kosovare si Koha Ditore, Zëri, Express, Epoka e Re, etj. Në shtypin ndërkombëtar, media si BBC, The New York Times, Der Spiegel, Le Monde, dhe RIA Novosti dhanë raportime të ndryshme, nga mbështetja perëndimore deri te kundërshtimi i Rusisë dhe Serbisë. Gazetat serbe si Blic dhe Politika e quajtën shpalljen të paligjshme, ndërsa media kroate dhe boshnjake e përshkruan si një moment historik për rajonin.

Koncepti i ekspozitës përfshin prezantimin e ballinave të gazetave të asaj kohe, duke inkuadruar edhe komente për kontekstin historik dhe përdorimin e materialeve multimediale.

Ekspozita, materialet e së cilës janë nxjerrë nga fondi i koleksioneve të bibliotekës, është e ndarë në seksione: përgatitjet para shpalljes, dita e shpalljes dhe njohjet ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë. Elementet interaktive, nëpërmjet video materialeve nga mediat vendore, risjellin atmosferën e momentit.

Kjo ekspozitë synon të pasurojë kujtesën kolektive dhe të tregojë rolin e medias në dokumentimin e një ngjarjeje historike.

Ekspozita

80-vjet të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës : ANTOLOGJI E KOLEKSIONEVE

Në ceremoninë solemne të 80-Vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është hapur edhe ekspozita “80-vjet të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës : ANTOLOGJI E KOLEKSIONEVE”, kuruar nga Hana Halilaj. Ekspozita paraqet botime, dorëshkrime dhe materiale origjinale nga fondi i BKK-së.

Për të parën herë janë ekspozuar dorëshkrime, skicat e objektit të bibliotekës, materiale audiovizuale, si dhe libra, gazeta, revista, harta e fotografi, që u takojnë zhvillimeve dhe periudhave të ndryshme kulturore e historike të Kosovës.

Gjithashtu, është hapur edhe ekspozita me Botimet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Ekspozita

Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe

Në përkujtim të përvjetorit të masakrës së Krushës së Madhe, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, të hënën, hapi ekspozitën “Kujtesa e Kosovës: “Rrëfimet e të Mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”.

Në këtë ekspozitë janë përzgjedhur disa fragmente nga videointervistat e transkriptuara të të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe, që tregojnë për mizorinë e forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe; çfarë kanë parë, dëgjuar e përjetuar këta dëshmitarë dhe të mbijetuar gjatë tri ditëve të ofensivës serbe, më 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999.

Ekspozita

Nga themelet deri te hapja publike e godinës madhështore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (artikuj të gazetës Rilindja 1973 – 1983)

Në ceremoninë solemne të 79-Vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është hapur ekspozita “Nga themelet deri te hapja publike e godinës madhështore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës (artikuj të gazetës Rilindja 1973 – 1983)”.

Në këtë ekspozitë janë të përfshirë artikuj të cilët përshkruajnë historikun e ndërtimit të objektit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe të fillimit të punës në të.

Kjo ekspozitë, është motivuar nga ndryshimi i statusit të objektit dhe nga procesi i realizimit të projektit për Masterplan-in për këtë objekt.

Ekspozita

Bamirësia, Humaniteti, Solidariteti

Për nder të Ditës Botërore të Bamirësisë, si dhe për të shënuar 113-vjetorin e lindjes dhe 26-vjetorin e vdekjes së Nëna Terezes, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur ekspozitën: “Bamirësia, Humaniteti, Solidariteti”.

Kjo ekspozitë përfshin një koleksion dhe informacion gjithëpërfshirës të botimeve e ribotimeve të librave dhe të artikujve të gazetave “Rilindja” e “Bujku” në koleksionet e kësaj biblioteke, nga muaji janar i vitit 1990 deri në muajin dhjetor të vitit 1999.

Ekspozita

Libra të vjetër të restauruar : përzgjedhje librash të restauruar nga Sektori i Konservimit dhe Restaurimit i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

Në kuadër të edicionit jubilar të ngjarjes ‘Java e Bibliotekës në Kosovë’, përkatësisht në edicionin e 20-të, u hap ekspozita ‘Libra të vjetër të restauruar : përzgjedhje librash të restauruar nga Sektori i Konservimit dhe Restaurimit i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës’.

Përmes kësaj ekspozite, Biblioteka Kombëtare e Kosovës tregon rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, si dhe proceset dhe teknikat që përdoren për konservimin e librave të vjetër, të cilët përmbajnë njohuri të çmuara dhe historitë e kaluarës.

Ajo shërben si një mundësi për të ndihmuar në ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e këtij patrimoni të rëndësishëm, duke nxitur një angazhim më të madh për mbrojtjen e materialeve kulturore dhe shkencore që na lidhin me historinë e kombit tonë.

Ekspozita

Java n’ 20 vjet

Me rastin e edicionit jubilar të ngjarjes ‘Java e Bibliotekës në Kosovë’, përkatësisht në edicionin e 20-të, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ka hapur ekspozitën: “Java n’ 20 vjet në 20-vjetorin e Javës së Bibliotekës në Kosovë: postera, botime, programe dhe katalogë”. Kjo ekspozitë përmbledh dhe paraqet rrugëtimin e kësaj ngjarjeje kulturore përmes materialeve që dokumentojnë punën dhe përkushtimin ndër vite.

Kjo ekspozitë paraqet një retrospektivë unike dhe frymëzuese të rrugëtimit të kësaj ngjarjeje kulturore që nga fillimet e saj. Nëpërmjet posterëve, botimeve, programeve dhe katalogëve të viteve të kaluara, ekspozita sjell në vëmendje kontributin e vazhdueshëm të bibliotekave në ndërtimin e një shoqërie të informuar dhe të hapur ndaj dijes.

Ekspozita jo vetëm që rikujton momentet më të rëndësishme të këtyre 20 viteve, por gjithashtu shërben si dëshmi e transformimit të bibliotekave në hapësira dinamike për edukim, krijimtari dhe bashkëpunim. Materialet e ekspozuara pasqyrojnë angazhimin e bibliotekarëve, autorëve dhe komunitetit në përgjithësi për të promovuar leximin dhe qasjen e lirë në informacion.

Ekspozita

Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes : libra dhe artikuj në koleksionet e BKK-së të/për Ernest Koliqin

Me rastin e 120-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit të shquar Ernest Koliqi, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka hapur ekspozitën ‘Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes : libra dhe artikuj në koleksionet e BKK-së të/për Ernest Koliqin’, me botime dhe artikuj të çmuar nga koleksionet e saj. Kjo ekspozitë ndriçon jetën dhe veprën e një prej figurave më përfaqësuese të letërsisë dhe kulturës shqiptare të shekullit XX.

Me këto botime dhe materiale, ekspozita synon të sjellë më afër publikun me trashëgiminë letrare dhe kulturore të Ernest Koliqit – autorit që solli në shqip zërin e letërsisë perëndimore dhe themeloi një model të ri të prozës shqiptare. Përmes veprave origjinale, përkthimeve dhe analizave kritike, vizitorët do të kenë mundësinë të njohin më nga afër ndikimin e tij në formësimin e identitetit kulturor shqiptar.