Hapësirat e Bibliotekës
Udhëzues për Shfrytëzimin e Hapësirave
Ky udhëzues paraqet kushtet, procedurat dhe kriteret për dhënien në shfrytëzim të hapësirave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, duke ofruar një pasqyrë të rregullt dhe të kuptueshme për mënyrën se si këto hapësira mund të përdoren në funksion të aktiviteteve kulturore, akademike dhe krijuese.
Holli Kryesor
Në hyrje të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ndodhet Holli kryesor, një hapësirë madhështore me dysheme mermeri, dhe me kupolën më të madhe të Bibliotekës, e cila ndriçon çdo kënd të saj. Ky holl përfaqëson stilin e veçantë të ndërtesës, duke përshëndetur vizitorët që hyjnë në botën e dijes dhe kulturës.
Amfiteatri i Madh
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ndodhet Amfiteatri i Madh, i krijuar për të qenë skena ideale e ngjarjeve kulturore dhe akademike. Me një dizajn unik që ndërthur estetikën me funksionalitetin – ku fasada prej druri në formë kupolash përmirëson akustikën – kjo hapësirë ofron kushte të shkëlqyera për konferenca, prezantime e performanca artistike.
Biblioteka e Esad Mekulit
Biblioteka personale e Esad Mekulit, është një pasuri e madhe kulturore dhe historike. Kjo bibliotekë mban në vete kujtime të paharruara nga jeta dhe veprimtaria e shkrimtarit dhe intelektualit të shquar, krijimtarinë e tij letrare, dokumente historike të kohës, mirënjohje të shumta, dhurata të ndryshme që ka marrë gjatë jetës dhe fletore ku ka shënuar mendimet e tij të thella.
Biblioteka e Fehmi Aganit
Biblioteka personale e Fehmi Aganit, përmban rreth 2 758 njësi fizike, prej tyre 2 075 tituj librash, 68 tituj revistash, si dhe disa dorëshkrime. Përveç librave, biblioteka përmban edhe inventarin personal të tij, vitrinën, raftet, tavolinën e punës, karrigen, llambën dhe disa fotografi me vlerë dokumentare, historike dhe kombëtare.
Biblioteka e Hasan Mekulit
Biblioteka personale e Hasan Mekulit, përmban mbi 5 831 tituj librash dhe revistash, kryesisht letërsi botërore. Përpos këtij koleksioni të rrallë e të vlefshëm, BKK-së iu dhuruan edhe disa objekte personale të tij, si vitrinat, tavolina e punës, çantat e dorës, fotot e tij personale.
Biblioteka e Krist Malokit
Krist Maloki ka lënë një bibliotekë të pasur me vlera albanologjike, e cila është një burim i rëndësishëm për studimet e kulturës dhe historisë shqiptare. Sa ishte gjallë kishte lënë porosinë, që bibliotekën personale të tij t’ia dhuronin Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Koleksioni i tij përmban rreth 508 tituj me gjithsej 536 njësi fizike, të cilat janë përpunuar dhe regjistruar në katalogun elektronik.














