Skip to content Skip to footer

Sfida e një bibliografie

MAKSIM GJINAJ

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë

Titulli i kësaj ligjërate krijon idenë e një përkufizimi pretencioz mbi një bibliograf, duke bashkëvendosur përballë një profesionist në fushën e kërkimit mbi dokumente bibliotekare dhe përgatitjen e botimeve informuese të një natyre të veçantë hulumtuese. Në fakt, edhe mbas 35 vjetësh në këtë profesion, “më të bukurin në botë”, sfidat, arritjet, por edhe difektet e problemet, si bashkudhëtare të vijueshme, janë prezente, të shumta e të larmishme dhe jo gjithnjë të ngjashme. Duke u përpjekur të përgjithësoj, do jap disa nga ato që më duken më të pranishme.

Me termin sfidë nuk kam parasysh vetëm sfidën si ballafaqim, por synimet dhe rezultatet në planin profesional. Ato që do them më poshtë janë vetëm përjetime dhe konsiderata personale nga eksperienca ime, pa pasur synimin e krijimit të një “profili model” të bibliografit.

Meqenëse në veprimtaritë e përbashkëta të përvitshme kur kemi bashkëbiseduar për bibliografinë jemi kufizuar kryesisht në bibliografinë kombëtare korrente apo retrospektive. Do mundohem të prezantoj diçka nga puna ime për përgatitjen e botimeve bibliografive tematike në të cilat bibliografi, pa devijuar nga standardet bazë të përshkrimit, ka mundësira të krijojë, madje të improvizojë. Po përmend disa nga punimet vetjake apo dhe institucionale të karakterit më të veçantë se veprimtaria e përditshme mbi bibliografitë kombëtare. Për ligjëratën e sotme, brenda këtyre punimeve mund të pozohen edhe sfidat bibliografike. Gjithnjë duke mos e konsideruar sfidën si aventurë, por si ngulmim për më të mirën e mundshme.

Disa nga bibliografitë me subjekt apo karakter të veçantë janë; “Bibliografi e bibliografive shqiptare : maket”, “Letërsia shqiptare : autorë dhe vepra”, “Libra në gjuhën shqipe për islamin” – 2 vëllime, “Dritëro Agolli : bibliografi”, “Letërsia shqiptare e përkthyer : (sprovë bibliografike”, “Nga “L’Albanese D’Italia” (1848) te “Jehona e Tiranës” (1944) : bibliografi e historisë se shtypit shqiptar”, “Bektashizmi në Shqipëri”, “Bibliografi për historinë e alfabetit të gjuhës shqipe”, “Vasfi Samimi : Vepra dhe personaliteti” (vëllimi 28 i kolanës), “Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare : 1913-1944”, “100 vjet ‘’Botime Françeskane’’” etj. Një pjesë e këtyre bibliografive është me
bashkautorësi.

Si kam punuar dhe punoj:

Me përcaktimin e temës së një bibliografie, madje edhe para definimit të saj, jam njohur në vija të përgjithshme me çka ajo përfaqëson, literaturën më përfaqësuese rreth saj, histrinë, biografinë, nëse është fjala për persona e të tjera të kësaj natyre, të cilat ravijëzojnë subjektin. Këto me qëllim njohjen shumëplanëshe me subjektin, por edhe me burime bibliografike të pranishme, të cilat janë jo vetëm orientuese, por edhe pjesë e vetë punimit të ardhshëm.

Gjatë gjithë veprimtarisë bibliografike me këto tema jam përpjekur të prezantoj çdo burim të shkruar, pavarësisht nga natyra e tij, pa bërë cilësime apo komente të natyrës sociale apo politike, duke i krijuar mundësi përdoruesve të bibliografisë të përdorin vetë dhe të nxjerrin përfundime. 

Për kuriozitet, gjatë përgatitjes së bibliografisë mbi jetën dhe krijimtarinë e Dritero Agollit, një vepër me 600 faqe, do të përfshija edhe një kapitull mbi çfarë është shkruar mbi të. Në bashkëbisedim me shkrimtarin i thashë që do të vë edhe shkrimet kritike, apo edhe ndonjë material “denigrues” për të. “Pa tjetër, – më tha, – dhe mendoj që kapitullin ta titullojmë “Dritero, pro et contra” se janë së bashku e bukura dhe realja. Duhen regjistruar të gjitha ato që shkruhen për mua dhe veprën time”.

Kurdoherë në punën time, si për hartimin e bibliografive, apo drejtimin e sektorit të bibliografisë, jam përpjekur të ruaj atë parim bazë të bibliografisë, që buron nga qëllimi pse ajo përgatitet e botohet në çdo format, elektronik apo në letër : krijimin e komoditetit për përdoruesit e bibliografisë, lexues apo institucione, për shfrytëzimin maksimal të çdo burimi bibliografik, në përmbajtje dhe në formë. Kjo është realizuar përmes dy mundësive që i kam shfrytëzuar maksimalisht. Janë shënimet apo adnotimet nëpër skeda dhe indekset apo treguesit.

Shënimet i kam hartuar në dy forma, sqarim të titullit të dokumentit të regjistruar, në rastet kur ky titull nuk pasqyron brendinë e materialit, ose shënim konciz, me formulim bibliografik jashtë tekstit të skedës. Nisur nga natyra e veçantë e temës apo subjektit, në rastet e skedave që prezantojnë botime përmbledhëse antologjike etj. kam dhënë edhe përmbajtjen e lëndës. Veçanërisht përmbajtje më të hollësishme të lëndës kam dhënë në botimet bibliografike të lidhura me besimet apo institucionet fetare. Ndërprerja e dhunshme e veprimtarisë së institucioneve fetare krijoi mangësi dhe boshllëqe të mëdha në njohjen e besimeve, prurjeve të pazevendësueshme të tyre në fushat e historisë, edukimit, kulturës, letrave etj. Pa hyrë në hollësi të praktikave që lidhen me besimet, kam pozuar më të plotë përmbajtjen e botimeve në bibliografitë “Libri islam në gjuhën shqipe”, “Bektashizmi në Shqipëri”, “100 vjet botime françeskane” përmes të cilave është dhënë informacion më i dëndur mbi atë çka realisht kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë këto besime, instituciene, personalitete fetare e njëkohësisht historike, kulturore, letrare etj.

Thashë pak më sipër se parim bazë i bibliografisë është krijimi i mundësive të përdoruesve për shfrytëzim të shpejtë dhe komod të informacionit. Veçanërisht në bibliografitë tematike, por edhe ato kombëtare, që kryesisht botohen në letër, është me shumë rëndësi krijimi i mundësive optimale të qasjes mbi informacionin. Jam nisur e nisem kurdoherë nga parimi që një botim bibliografik sado i pasur, qoftë edhe i pajisur me shënime apo sqarime, mbetet një ndërtesë e kyçur apo një monument pa gojë nëse nuk ka disa mënyra dhe porta për t’iu qasur përdoruesi. Kjo jo vetëm që të arrijë të gjejë materialin, por edhe për të evidentuar disa mundësi dhe mënyra kërkimi, që e bëjnë më të zhdërvjellët e sistematik leximin dhe shfrytëzimin. Përdoruesit i duhen autorët e librave apo artikujve, se bibliografia nuk është roman por manual pune, dhe, përgjithësisht, treguesi i autorëve është i pranishëm në çdo bibliografi. Por një njësi bibliografike ka edhe bashkautorë, edhe redaktorë, përkthyes etj. të cilët jo vetëm duhen respektuar për kontributin e tyre, por edhe mund të shërbejnë si informacion. P. sh. ka botime, pa autor por me kurator, kujdestar, përgatitës, etj. Apo ka libra të cilët më tepër njihen për shqipëruesin, dhe lexuesi mund ta kërkojë përmes tij. Në punimet e mija edhe këta janë të pranishëm në indeksin e autorëve.

Me shumë rëndësi është indeksi apo treguesi i subjekteve tematike, personave për të cilët është shkruar, vendet për të cilët është shkruar posaçërisht apo në mënyrë të konsiderueshme etj. Për këto kam krijuar indekse të veçantë apo i kam bashkuar si subjekte në indekset tematikë. Madje, indeksi i personave është më i kërkuari nga lexuesit, të cilëve nëse nuk ia jep qasjen përmes indekseve, ia ke fshehur atë. Figurativisht jam shprehur se çdo botim bibliografik lexohet nga fundi. Janë indekset portat për të hyrë përdoruesi në tekstin e bibliografisë, për të gjetur atë që i intereson. Vështirë të gjesh ndonjë lexues që të lexojë tekstin e bibliografisë si roman. Indekset shërbejnë edhe për krijimin e një aparati statistikor mbi temat dhe subjektet e trajtuara, përfaqësimin e autorëve në një bibliografi të dhënë, etj. Disa institucione, nisur edhe nga sasia e informacionit për një subjekt të caktuar, ndihmuar nga indekset, kanë organizuar edhe aktivitete shkencore apo përkujtimore, bazuar mbi materialin që i sugjeron bibliografia.

Duke mbajtur kurdoherë parasysh lexuesin, madje duke e vënë edhe veten në rolin e tij, gjithnjë brenda parimeve dhe standardeve të aprovuara bibliografike, jam përpjekur të krijoj një unitet mes veprës, lexuesit dhe bibliografit, por edhe larmi në organizimin e informacionit brenda saj. Kjo më ka ndihmuar edhe në mprehjen e intuitës së kërkimit bibliografik dhe përshkrimit të zhdërvjellët të tij, duke krijuar mundësi të shumta të qasjes edhe brenda një njësie bibliografike apo skede. Në botimin e fundit bibliografik “100 vjet botime françeskane”, përgjithësisht skeda për çdo botim të parë përbëhet nga skeda bazë (autor, titull, nëntitull, vend e vit botimi etj.) edhe nga tre elemente të tjera. Jashtë tekstit të skedës kam përfshirë shkurtimisht informacion mbi tematikën e librit, pritjen që iu bë librit apo autorit menjëherë mbas botimit, duke futur momente të receptimit përmes komenteve, reklamave etj. Besoj se kjo pjesë i ka dhënë, me pak rreshta, aromën e mbresave që krijoi botimi. Pjesa e dytë, edhe kjo jashtë teksit të skedës bibliografike, prezanton përmbajtjen e plotë të librit. Ndërsa pjesa e tretë është një bibliografi modeste mbi librin apo autorin e tij. Më duket se kjo i ka dhënë jetë dhe informacion shtesë secilës njësi bibliografike.

Diçka të fundit: Vazhdimisht jam përpjekur të lexoj dhe rilexoj kujdesshëm. Ky lexim më ka ndihmuar në veprimtarinë time bibliografike dhe në drejtimin e Sektorit të Bibliografisë për mbi tri dekada. Kam skeduar apo mbajtur shënime për shumë informacione që më janë dukur të vlefshme dhe interesante. Aktualisht, duke shtuar ditë pas ditë këto skeda dhe organizuar tematikisht ato, kam hedhur bazën edhe për disa bibliografi apo punime të tjera.

E kisha dhe e kam shumë të vështirë të shkruaj apo flas për vete, por u përpoqa të prezantoj diçka nga parimet dhe praktika ime e punës.