Dr. ENTELA TABAKU SÖRMAN
Ligjëruese e shqipes në Universitetin e Uppsalës (Suedi)
Përcaktimet dhe përkufizimet i përdorim në përgjithësi për të na hapur dhe kthjelluar atë shteg që na lejon t’i qasemi objektit të studimit, që në rastin e kësaj konference është “Dokumentimi i kulturës së emigracionit”. Duket qartë se fokusi është tek akti i dokumentimit, llojet, vlerat, efektet etj. Por mjafton të ndalesh pak dhe e kupton se para se të mbërrish te diskutimi i dokumentimit dhe problematikat e tij, duhet së pari të sheshosh konceptin e kulturës së emigracionit.
Çfarë është kultura e emigracionit, a i referohemi të gjithë këtu të njëjtit koncept? A ndryshon ky koncept, varësisht nga këndvështrimi i pozicionit në të cilin ndodhemi, nëse jemi kundrues nga jashtë të kësaj kulture (domethënë kundrues nga vendi i origjinës, siç është kjo konferencë, apo nga vendi pritës), ose nëse jemi krijues të kësaj kulture (domethënë jemi pjesë e mërgatës[1])?
Pse është i rëndësishëm një diskutim i tillë paraprak mbi kulturën e emigracionit në kontekstin e dokumentimit të trashëgimisë? Sepse ajo që zgjedhim të dokumentojmë, ajo që zgjedhim të konsiderojmë si trashëgimi të vlefshme për dokumentim, është e varur nga funksioni i saj përkundrejt perspektivës tonë. Gjë që nënkupton se nga perspektiva të ndryshme, kemi vlera të ndryshme. Ashtu si edhe në kohë të ndryshme, kemi vlera të ndryshme.
1. Kultura e emigracionit dhe kundruesi.
Këndvështrimi i kundruesit të kulturës së emigracionit është i dykahshëm, meqenëse edhe lëvizja e migracionit është e dykahshme (nga brenda jashtë – emigracion dhe nga jashtë brenda – imigracion. Kështu, kemi:
• së pari, këndvështrimin e vendit përcjellës, vendit të origjinës. Për shembull, si kundrohet në Kosovë kultura e emigracionit shqiptar në Suedi?
• së dyti, këndvështrimin e vendit pritës, vendit të vendbanimit. Për shembull, si kundrohet në Suedi kultura e imigracionit shqiptar?
Në këndvështrimin e vendit përcjellës, kulturë e emigracionit janë artet dhe manifestimet e tjera të arritjeve intelektuale të emigrantëve, të konsideruara kolektivisht, si edhe idetë, zakonet dhe sjelljet shoqërore të emigrantëve. Këtu përfshihet e gjithë veprimtaria krijuese në shqip. Ky këndvështrim përpuqet më së shumti me se si mërgata e sheh prodhimtarinë e vet krijuese. Qëndrimi i trojeve përcjellëse ndaj kulturës së emigracionit mund të jetë disallojësh. Në kohën e komunizmit, për shembull, në Shqipëri kultura e emigracionit konsiderohej armiqësore dhe qesharake. Krijuesit konsideroheshin si mërgatë qyqesh, qesharakë dhe dështakë. Në Kosovë, ku emigrimi ishte shumë më i përhapur dhe disa herë i detyruar nga pushteti serb, diaspora gëzonte prestigj. Sidoqoftë, si kur është pozitiv, si kur është negativ, qëndrimi i trojeve përcjellëse ndaj kulturës së emigracionit është gjithmonë në funksion të vetvetes: kjo kulturë konsiderohet gjithmonë në funksion të kundruesit. Ky i fundit, e vendos veten në pozicionin e dëshmitarit, dokumentuesit dhe glorifikuesit (kur qëndrimi është pozitiv), apo përqeshësit dhe përfituesit (kur qëndrimi është negativ). Në të dyja rastet, kundruesi i jep vetes të drejtën e gjykimit të vlerave të kësaj kulture.
Sot letërsia dhe arti i mërgatës shqiptare lexohet gati gjithmonë si letërsi dhe art i etiketuar si “të emigracionit”, që është një etiketim i ngjashëm me atë që përdoret për letërsinë e grave, letërsinë e të rinjve, letërsinë gege etj. Këto etiketime nënkuptojnë se ka një letërsi dhe art të qenësishëm, të cilët nuk kanë nevojë për etiketime, sepse janë çfarë duhet të jenë. Gjithçka që e tejkalon këtë “normale” (me gjasë, mesoburrë me banim në Tiranë), kërkon një përcaktim dhe si rrjedhim, edhe një kundrim të veçantë. Është interesante, se edhe këtu vepron i njëjti parim, si gjetkë, që ka të bëjë me atë se sa më e suksesshme është kjo letërsi, aq më pak etiketim. Letërsia e etiketuar është gjithnjë në disavantazh ndaj letërsisë së paetiketuar, sepse rrezikon të takojë lexuesin e vet në baza jashtëletrare, të cilat ndikojnë në lexim. Nga njëra anë krijojnë një kolektiv gri, ku hyjnë të gjithë shkrimtarët e mërgatës, për shembull, nga ana tjetër nuk e lejojnë këtë letërsi të jetë më shumë se kaq.
Duhet shtuar edhe se, në vendin e origjinës, kulturë e emigracionit mund të ketë edhe një domethënie tjetër, kur përdoret si term përmbledhës i motivimit për ikje (Cohen, 2011), domethënie që përmbledh besimet kulturore dhe modelet shoqërore që ndikojnë në lëvizjen e njerëzve. Kultura e emigracionit ndërthur ndjeshmëritë antropologjike dhe gjeografike, si dhe modelet sociologjike dhe ekonomike, për të eksploruar procesin e vendimmarrjes në nivel familjar që nxit emigrimin.
Qëndrimi i vendit pritës, nga ana tjetër, varet më së shumti nga politikat në pushtet. Nëse këto të fundit janë me qëllime integruese, atëherë kultura e imigracionit mbështetet dhe mirëpritet. Nëse politikat janë me qëllime asimiluese, atëherë kjo kulturë nuk gjen mbështetje, ose në ekstreme, edhe ndalohet. Në Suedi, për disa dhjetëvjeçarë politikat kanë qenë integruese. Si të tilla, kanë mbështetur veprimtarinë e shoqatave kulturore shqiptare në Malmö, në Göteborg, në Borås, si financiarisht, ashtu edhe me politika lejuese e frymëzuese në biblioteka, ku letërsia e emigracionit merr përsipër pozicionin e dëshmitarit dhe të dokumentuesit. Të gjitha këto shoqata veprojnë në sajë të angazhimit të nismëtarëve, por edhe në sajë të fondeve të akorduara nga entet e shtetit suedez. Kur mbështetja e veprimtarisë në shqip bëhet jo me kriterin e cilësisë, por me kritere politike, atëherë lind gjithnjë pyetja sa ndikohet cilësia nga mungesa e kritereve vlerësuese?
Edhe në vendin pritës, ashtu si në vendin përcjellës, letërsia dhe arti i mërgatës trajtohen si të etiketuar: letërsia e imigracionit, shkrimtar apo artist imigrant. Aktivitetet e mërgatës shqiptare në gjuhën e vendit kanë karakter njohës dhe mbështetës, të ngjashëm me atë që kanë aktivitetet e fëmijëve, nga të cilët nuk pritet cilësi e lartë. Nga kjo rrjedh qëndrimi infantilizues ndaj kulturës së imigracionit në vendin pritës. Në Suedi, për fat të keq, nuk kemi shkrimtarë cilësorë që shkruajnë në gjuhën suedeze. Por qëndrimi i përgjithshëm në vend ndaj letërsisë së imigracionit është ai i gjithmonshmi ndaj letërsisë së etiketuar, ku vlera kryesore sillet rreth temave që trajtojnë, me prirje drejt ekzotizimit dhe infantilizimit (Miyamoto 2021, Solterer 2022). Pyetja që nuk i ndahet letërsisë së imigracionit është nëse kjo letërsi do të kishte të njëjtën vlerë edhe po të shkruhej nga dikush që nuk i përket kontekstit migrant?
Etiketimi i zgjeruar është një ndër diskutimet e mëdha të sotme në kritikën letrare. Shkrimtarët translingual, domethënë ata që shkruajnë në gjuhën e vendit pritës, a duhet të kategorizohen si kategori më vete, për shembull shkrimtarë migrantë dhe, të mbeten thjesht, pjesë e fenomenit të emigracionit, apo duhet të çlirohen nga etiketimet? Qëllimi i etiketimit është për t’i mbështetur, por rrezikon mënyrën se si përcillet kjo letërsi te lexuesi. Letërsia e etiketuar është gjithnjë në disavantazh dhe rrezikohet nga glorifikimi apo infantilizimi, si dhe nga ekzotizimi.
2. Kultura e emigracionit dhe krijuesi
Nëse përcaktimi i kulturës së emigracionit nga perspektiva e jashtme kundruese varet, siç e pamë, nga faktori gjeografik (vend përcjellës apo vend pritës) dhe faktori politik (politika mbështetëse apo asimiluese), nga perspektiva e brendshme e mërgatës, drejtohet nga faktorë të tjerë, ndër të cilët kryesore është situata në vendin amë. Këtu mund të dallojmë dy kontekste:
• Kultura e emigracionit në kohë të zorit për vendin përcjellës, përkundrejt
• Kultura e emigracionit në kohë të qeta për vendin përcjellës.
Në rastin e parë, mërgata është krejtësisht e kthyer nga vendi i origjinës dhe aktiviteti i saj është i përqendruar në realizimin e objektivave primare, të tilla si sigurimi i pavarësisë kur vendi amë është i pushtuar; ruajtja e gjuhës dhe e dokumenteve të saj, kur këto rrezikohen me shfarosje; sigurimi i kanaleve për përçimin e lajmeve botës përreth; aktivitete kulturore për mbledhje fondesh financiare etj. Shembull tipik është aktiviteti i mërgatës kosovare gjatë luftës së fundit të Kosovës. Si edhe aktiviteti i mërgatës shqiptare gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri.
Në rastin e dytë, mërgata është e kthyer kah vetja dhe aktiviteti i saj është i përqendruar në realizimin e objektivave kulturore në vetvete. Siç e shpjegon Sheffer (2003: 155):
Usually, as soon as stateless diasporas achieve their goals of independent national states in their homelands, thus becoming state-linked diasporas, most of them tend to pursue a “communal strategy” in their host countries. … that strategy is intended primarily to strengthen diaspora communities. When diasporas shift to that strategy, they place new emphasis on reinforcing their solidarity, preventing population losses, increasing the membership in diaspora organizations, expanding the activities of those organizations, maintaining a high degree of readiness for mobilization, and ensuring the availability of resources for communal continuity. … it can produce sufficient resources to ensure the diasporas’ own well-being without provoking much opposition from their host countries, which otherwise might try to restrict diasporas’ efforts to assist their homelands.
Shembuj të këtij konteksti të ri, në të cilin trojet e origjinës nuk përjetojnë kohë të zorit, janë veprimtaritë që zhvillohen sot nga mërgata shqiptare në Suedi, në të cilat vihet re përqendrimi jo vetëm në prodhimtarinë e vet kulturore, por edhe në atë vendlindjes. Si për shembull, aktivitetet e shoqatës The Library Project Kosova, që punon vullnetarisht për promovimin e leximit dhe të librave në Kosovë. Po ashtu, promovimi i letërsisë shqiptare në Suedi. Mjafton, për shembull, të shihet katalogu i pasur me libra shqip në bibliotekat e Suedisë, të siguruara nga mërgata. Në këtë kuptim, mërgata merr funksionin e ambasadorit kulturor. Këtu përfshihen edhe aktivitetet që synojnë përfshirjen e fëmijëve me prejardhje shqiptare në lexime librash shqip nëpër bibliotekat suedeze. Mërgata është edhe më e interesuar për botime në shqip në vendin e origjinës, se sa për botime të këtilla në Suedi. Në përgjithësi, mund të thuhet se veprimtaritë e mëdha me karakter patriotik, që synonin sensibilizim dhe ndërgjegjësim, nuk janë më aktuale dhe kur bëhen, ngjajnë anakronike. Kërkesa për cilësi të kulturës së emigracionit është shenjë e kohëve të mira për vendin e origjinës.
Mund të themi, kështu, se kultura e emigracionit nga perspektiva e mërgatës karakterizohet nga dy fenomene, që i quaj fenomeni i pasqyrës dhe ai i dyzimit:
– Fenomeni i pasqyrës është ai që përshkruam më lart: mërgata reflekton gjendjen e vendit amë. Në kohë të zorit të vendit të origjinës, mërgata synon të plotësojë atë që i mungon vendlindjes. Kështu është e njohur përpjekja e mërgatës shqiptare të Kosovës për mbrojtjen dhe forcimin e identitetit Shqiptar. Për mërgatën shqiptare antikomuniste të Shqipërisë, ishte qendrore ruajtja e identitetit intelektual.
Në kohë të qeta, nga ana tjetër, mërgata pasqyron zhvillimet dhe problemet e vendit të origjinës. Vihet re lehtë, për shembull, se problematika e botimeve të panumërta dhe pa kriter, që karakterizon editorinë në vendlindje, shtrihet dhe përfshin edhe mërgatën.
– Fenomeni i dyzimit është tipar i pashmangshëm për një ekzistencë si ajo e emigracionit, mes vendit përcjellës dhe atij pritës. Prania a bashkëjetesa në të njëjtën kohë e dy sendeve, e dy dukurive, e dy trajtave, e dy mënyrave etj., që e pranojnë, por shpesh edhe e kundërshtojnë ose përjashtojnë njëra-tjetrën, krijon tensione që në rastin më të mirë çon në krijimtari interesante, në rastin më të keq çon në botime boshe që kanë vlerë në kohë të zorit, por jo në kohë të sodit.
Dhënia e legjitimitetit nëpërmjet dokumentimit dhe botimit të kulturës së emigracionit, që po diskutojmë këtu, mund të jetë aktual dhe relevant sot në kontekstin kundrues të vendit përcjellës, por është konsideruar si i rëndësishëm në kontekstin krijues përgjatë gjithë historisë së mërgatës shqiptare. Kështu, prodhimtaria në shqip e mërgatës shqiptare në Suedi ka qenë gjatë nën kujdesin dokumentues të shoqatave apo autorëve të veçantë. Kujtoj këtu dhjetë vëllimet Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi me dokumente dhe historikë të shoqatës së shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Suedi, “Papa Klementi XI Albani”, vëllimi dhe filmi “Shqiptarët e Suedisë” nga Lidhja e Shoqatave Shqiptare Iliria dhe, së fundmi, vëllimi “Shqiptarët në retrokujtesën nordike” të Qerim Kryeziut, ku një pjesë e madhe i kushtohet veprimtarisë kulturore të mërgatës në Suedi. Këtyre u shtohen edhe aktivitete të shumta përkujtimore dhe dokumentuese, të tilla si emisionet radiofonike të organizuara nga shoqata “Migjeni”, në Borås.
Si përmbyllje, çfarë përfundimi mund të nxirret nga një diskutim i tillë mbi kahet e ndryshme të kulturës së emigracionit në kontekstin e dokumentimit? Është e rëndësishme që ta vëmë dokumentimin në perspektivën e duhur. Një trashëgimi e caktuar është e rëndësishme dhe e vlefshme në kontekste dhe nga këndvështrime të caktuara, por e humbet krejt vlerën jashtë tyre, prandaj edhe duhet bërë duke ruajtur kontekstin e krijimit. Megjithatë, të gjithë ne, si kundrues ashtu edhe krijues të kulturës së emigracionit, jemi në kërkim të vlerave të qëndrueshme në kohë dhe në hapësirë. Prandaj edhe dokumentimi duhet të ketë si synim final dokumentimin e këtyre vlerave.
Referenca
Basile R., Coniglio, N. & Licari, F. 2022. Distance from diasporas and immigrants’ location choice: evidence from Italy. Në Spatial economic analysis, Vol.18 (1), p.108-125.
Glasgow: Routledge.
Cohen, J. H. & Sirkeci, I. 2011. Cultures of Migration: The Global Nature of Contemporary Mobility. Austin: University of Texas Press.
Miyamoto, B. & Ruiz, M. (eds). 2021. Art and Migration: Revisioning the Borders of Community. Manchester University Press.
Sheffer, Gabriel. 2003. Diaspora politics: at home abroad. New York: Cambridge University Press.
Solterer, H., & Joos, V. (eds.). 2022. Migrants shaping Europe, past and present. Manchester University Press.
[1] Me mërgatë shënojmë këtu diasporën: ”Diasporas – the network of immigrants from a specific origin country living in foreign localities” (Basile, 2022: 108).