DURIM TAÇI
Shkrimtar e përkthyes, Philo – Praktika filozofike, Milano
Pas një dhjetëvjeçarësh të jetesës në emigrim, zgjidhjes së problemeve të saj ekzistenciale, diaspora i kthehet pasurimit të jetës shpirtërore, vetorganizohet, veprimtaritë e saj rriten në nivel, nga ku merr rëndësi edhe libri, që do të thotë leximi. Dhe leximi në emigrim vjen e bëhet një akt kujtese reflektive. Vetë trashëgimia e përvoja jetësore që diaspora bart më vete, përmes leximit si proces, shndërrohet në një mundësi ballafaqimi e reflektimi me shoqëritë ku ajo gjallon.
Po përse veprimtaria lexuese e mërgimtarit është akt reflektimi e pasurim i traditës? Jo vetëm prej faktit se mërgimtari lexon shqip. Procesi do të ishte i ngjashëm, pavarësisht nga teksti e gjuha. Shumë më tepër ngase leximi është akt individual: është ballafaqim e përfshirje me dhe në një sistem kompleks simbolesh. Pra, mrekullia qëndron në faktin se mërgimtari në rolin e lexuesit, i aftë të mendojë simbolikisht për të ndërtuar kuptim e gjetur orientim, është i shënjuar fort nga përvoja e tij e jetës. Gjatë procesit të leximit është vetë kujtesa që thirret të hyjë në marrëdhënie, aktualizohet, nuk i vjen në bllok, me atë forcën e saj vrastare të nostalgjisë, siç i ndodh rëndom mërgimtarit teksa mediton për atdheun e vendet që ka lënë. Në ndërveprim me tekstin ajo vjen e copëzohet, simbolizohet dhe grish për reflektim e mendim, bëhet një forcë aktive shëruese ndaj vetë nostalgjisë.
Mërgimtari, ndryshe nga veprimtaritë e tjera, kur vihet në rolin e lexuesit, është aktiv, ka mundësinë të marrë vendime. Dhe e bën në një fraksion sekonde, edhe pse mbi bazën e informacioneve ende të paplota. Saktësia e tij e perceptimit në rolin e lexuesit është gjithmonë e përkohshme, pasi bazohet në një vlerësim të atypëratyshëm dhe mund të zhbëhet nga provat e mëtejshme. Sapo e ka gjetur kuptimin dhe drejtimin e asaj që shikon, dëgjon dhe ndien, ai fillon e beson se perceptimi i realitetit është i vërtetë, dhe kjo fatlumësisht është një e vërtetë e re.
Pra, lexuesi mërgimtar udhëhiqet nga një larmi dukurish që nuk kanë frikë të hyjnë në konflikt me realitetin e ri ‘objektiv’, atij i mjafton shpresa që e bën të rendë drejt së vërtetës së vet, e mbush ajo ndjesia e një përkatësie të re shoqërore e cila e çon drejt një bindjeje, drejt një besimi të përbashkët komunitar të rinovuar. Gjatë leximit ai lë pas nostalgjinë vrastare për atë që ka humbur dhe gjen një dimension tjetër që i jep siguri dhe e nxit të jetë aktiv në shoqërinë e re ku bën pjesë.
Mërgimtari lexues lufton midis perceptimit empirik dhe ndërtimit të kuptimit, por edhe midis kësaj ngrehine të re kuptimore të paplotë dhe formimit të bindjes, pasi marrëdhënia në këtë proces është një dinamikë perceptimi, kuptimi dhe besimi, që formëson mënyrën e tij njerëzore të mendimit. Dhe është ky trekëndësh dinamik i leximit: perceptim – kuptim – besim, që udhëheq mërgimtarin lexues drejt çështjes së tij më thelbësore: të ndierit i integruar dhe në integrim të vazhdueshëm në vendin e huaj ku jeton. Mërgimtari lexues, bën rivlerësim të informacionit të tekstit për të konfirmuar apo hedhur poshtë parashikimet, hyn në një proces sistemimi të vazhdueshëm pas një informacioni të beftë parak, bën korrigjim apo kthim pas, gjithnjë duke mbajtur në fokus ndërtimin e kuptimit. Dhe, fakti që këtu flitet thjesht për një mekanizëm neuronesh, na bën ta kemi të qartë se nuk kemi të bëjmë me trurin që pret domosdo informacion pamor. Teksa lexohet, truri para se t’i shikojë mirë fjalët ka nisur të formulojë një hipotezë dhe i drejton sytë e lexuesit atje ku duhet të shikojnë, me një hamendje të bërë gati mbi atë se çfarë duhet të kapin në tekst.
Mërgimtarit, kur bëhet element i procesit mrekullibërës të leximit, në çdo gjuhë, shqip apo e huaj, janë parashikimet ato që i kontrollojnë ndërtimin e kuptimit dhe të orientimit mbi botën. Truri njerëzor është i gatshëm për të parashikuar, për të konfirmuar e për të hedhur poshtë hamendësimet e para.
Këtu çelim një parantezë, së pari, na duhet të kujtojmë që mendimi zotërues mbi leximin deri në tridhjetë vjetët e shkuara bazohej vetëm mbi vizionin fonologjik: leximi kuptohej thjesht si identifikim i fjalëve të shkruara përmes njohjes së germave që i përbënin, pa marrë parasysh informacionin kontekstual, faktor thelbësor ky sidomos për lexuesin mërgimtar. Mërgimtari jeton në një kontekst tjetër, të huaj për të!
E dyta, dikur mbizotëronte bindja që truri pranon vetëm të folurën gojore, si formë natyrore e gjuhës, që do të thotë, ta vendosësh procesin e leximit mirëfilli vetëm brenda nivelit të vetëdijshëm e të injorosh rolin e së pavetëdijshmes.
Është e provuar, gjithashtu, që gjatë procesit të leximit nuk fiksohen të gjitha fjalët, lihen jashtë vëmendjes gati një e treta e tyre. Kështu ndodh edhe me vetë fjalën, nuk identifikohen të gjitha germat e saj. Pra, truri njerëzor shkon të gjejë atë që parashikon me aftësinë e tij për të zotëruar e manipuluar sisteme simbolike. Pamorja dhe gojorja janë dy forma që përdorin sisteme abstrakte simbolike për të paraqitur botën dhe përvojën tonë brenda saj.
Kuptimi mund të përfytyrohet si një navigator që na udhëheq, jo si një produkt i fundmë. Kuptimi është ai që kontrollon automatizmin tonë. Koncepti i sotëm, ai i leximit bazuar mbi sensin, kuptimin, thekson se, lexuesit orientohen duke formuluar parashikime semantike të cilat bazohen mbi një larmi sistemesh simbolike. Nuk ka vende të caktuara në tru ku ndodh ky proces hamendjesh dhe pohimesh, pasi këtu flitet për një aftësi të përgjithshme të trurit.
A mund të kapet leximi?[1]
Filologë dhe filozofë e shikojnë si një dukuri që lë vetëm vragë, mund të ‘gjurmohet’, por nuk mund të kapet. Ne vazhdojmë të lexojmë, por nuk mund të kuptojmë se çfarë po bëjmë. Një vepër e shkruar nuk është kurrë e plotë apo e paplotë, ajo thjesht është, sikurse diskursi filozofik që nuk mund të shkojë kurrë në një përfundim e, siç na thotë Levinas, mundet vetëm të ndërpritet: mënyra më e respektuar e leximit të veprës së një tjetri është ‘ta vësh në dyshim’ dhe ta tradhtosh.
Atëherë, meqë leximi nuk mund të kapet, si mund të gjurmohet?
Pikësëpari, në kompozimin e një diskursi. Një tekst i plotë, – nëse ndodh të ketë një të tillë – vlen gjithmonë më pak se përvoja e kërkimit drejt realizimit të tij. Gjatë leximit nuk është se vihet re plotëria, nuk nisesh nga teksti i plotë për të zbritur pastaj tek kapitujt, paragrafët, fraza, fjala, germa, por përjetohet e kundërta, shkohet në kërkim të lëvizjes që çon tek ajo plotëri, pasi i rëndësishëm është procesi: kompozimi ka më shumë rëndësi se vetë vepra e kompozuar. Për këtë arsye, paaftësia për të përjetuar momentin e të shkruarit nuk është dështim, ajo na zbulon se shkrimit si proces ne mund t’i lexojmë vetëm lëvizjet.
Një mundësi e dytë pranievjen nga fakti se gjatë leximit ndryhemi brenda etikës, afrohemi me respekt ndaj tekstit e autorit, me mirëdashje. Ndryshe nuk ka lexim. Nuk lexon urrejtja, por dashamirësia.
Mundësia e tretë e gjurmimit të leximit varet nga mënyra se si një shkrimtar përdor vetën e dytë. Tekstet në vetën e dytë pranojnë njëkohësisht si lexuesin dhe vetë aktin e leximit. Ti është një përemër i rrallë në letërsinë moderne: dihet që si filozofia edhe letërsia nuk e pranojnë vetën e dytë ose, si alternativë, edhe kur veta e dytë përdoret, janë vetë kritikët që nuk duan ta njohin. Ka pasur një hierarki: ‘unë’ apo ‘mua’, vjen e para, ndjekur nga ‘ata’, ‘ne’ dhe në fund mbetet ‘ti’. Këtu do të sillja si shembull të përdorimit me sukses të vetës së dytë romanin e kolegut nga Kosova, Adil Olluri, “Bartësi i shpirtrave të përzënë” dhe me shumë modesti romanin tim “Extra Time”, i cilësuar nga kritika si ‘metaforë e leximit’.
Një rrugë e katërt e gjurmimit të leximit është mundësia e plotësimit të dëshirës. Të mendosh do të thotë të dëshirosh. Por dëshira krijon pengesa dhe shkon drejt paradoksit: ajo dëshiron zhdukjen e saj, pra plotësimin, realizmin e, nëse kjo ndodh, dëshira nuk është më si e tillë. Dhe leximi është dëshirë në përmbushje.
Si përfundim, do të ritheksoja, se leximi si proces është marrëdhënia më e favorshme që mërgimtari mund të krijojë me veten e tij, në radhë të parë, pastaj edhe me gjuhën amtare, traditën, sikurse edhe me vetë vendin ku jeton. Leximi është një mekanizëm aktiv që ia lufton sëmundjen e nostalgjisë dhe e ndihmon atë të përjetojë integrimin në komunitetin ku jeton.
E fundit, shpresojmë që institucionet e shteteve tona ta promovojnë sa më shumë leximin në emigrim përmes mbështetjes së gjithanshme logjistike e infrastrukture.
[1]
Lisa MacNally, Reading theories in contemporary fiction, Bloomsbury Academic, London 2013