Në kuadër të hapësirave funksionale që ofron Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Amfiteatri i Vogël zë një vend të veçantë si një ambient i ngrohtë, intim dhe i pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme për organizimin e ngjarjeve me pjesëmarrje më të vogël. Me një kapacitet prej 75 ulësesh, kjo hapësirë është ideale për takime, prezantime, punëtori, diskutime publike dhe aktivitete të tjera kulturore apo edukative që kërkojnë një atmosferë më të afërt dhe bashkëpunuese.
Funksionalizimi i këtij amfiteatri është realizuar me mbështetjen e organizatës FINCA, dhe në përputhje të plotë me standardet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, nën mbikëqyrjen e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore. Kjo ka bërë të mundur që hapësira të ruajë autenticitetin e saj historik, ndërsa njëkohësisht të pajiset me teknologji moderne që i japin funksionalitet bashkëkohor. Pajisjet audiovizuale të avancuara mundësojnë realizimin e ngjarjeve në një nivel të lartë profesional, duke garantuar cilësi të zërit dhe pamjes, si dhe një përvojë të këndshme për audiencën.






