Skip to content Skip to footer

“Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie”

Prishtinë, 21 nëntor 2025

Java e Kulturës Kombëtare në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë ka nisur me ekspozitën dokumentare “Nga lufta në liri: Çlirimi i Kosovës në dokumente, kujtime dhe medie”. Ceremonia e çeljes u zhvillua të premten, më 21 nëntor 2025, në orën 17:30, në ambientet e qendrës “Sotir Kolea”.

Kjo ekspozitë është pjesë e programit të Javës së Kulturës Kombëtare, të organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

E organizuar në nder të 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës, ekspozita vjen si rezultat i një bashkëpunimi ndërinstitucional mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës, nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Ekspozita prezanton një përzgjedhje të pasur materialesh historike: gazeta dhe medie të kohës, libra dhe kujtime personale të autorëve, dëshmitarëve dhe gazetarëve; fotografi dhe artefakte autentike nga fronti, jeta në mërgim dhe kthimi i refugjatëve; si dhe një dokumentar të veçantë, me pamje arkivore dhe rrëfim kronologjik të rrugës drejt lirisë.