Skip to content Skip to footer

Java e Bibliotekës në Kosovë 2025 – Dita e pestë

Prishtinë, 10 tetor 2025

Në kuadër të edicionit të 22-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh informuese dhe edukative për vizitorët, duke hapur dyert për një vizitë gjithëpërfshirëse në shërbimet dhe sektorët e saj.

Gjatë ditës, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me procesin e digjitalizimit të materialeve bibliotekare, duke përfshirë përzgjedhjen, skanimin, përpunimin teknik dhe publikimin e tyre në platformën digjitale të Bibliotekës. Vizita në Qendrën e Digjitalizimit ndriçoi rëndësinë e këtij procesi në ruajtjen dhe ofrimin e qasjes moderne në fondin dokumentar.

Një tjetër ndalesë e rëndësishme ishte prezantimi i procesit të katalogimit, ku u shpjegua mënyra se si materialet organizohen në sistemin bibliotekar për të mundësuar një qasje më efikase dhe të strukturuar për përdoruesit.

Vizitorët u njohën gjithashtu me koleksionet e veçanta të Bibliotekës, që përfshijnë dorëshkrime të rralla, botime të vjetra, koleksione fotografike, arkiva personale dhe materiale me rëndësi të madhe kulturore e historike. Ky prezantim u shoqërua me një ndjesi të thellë respekti për trashëgiminë kombëtare që Biblioteka ruan me përkushtim.

Në laboratorin e restaurimit, pjesëmarrësit panë nga afër teknikat profesionale të restaurimit dhe konservimit të librave të dëmtuar, ndërsa vizita në zyrën e libërlidhjes shpalosi procesin e përpunimit dhe formatimit të materialeve për qëndrueshmëri afatgjatë.

Gjithashtu, vizitat në zyrën e pranimit dhe shërbimin e referencave ofruan një pasqyrë të qartë mbi mënyrën si pranohet, regjistrohet dhe sistemohet fondi bibliotekar, si dhe ndihmën që u ofrohet përdoruesve për orientim dhe qasje në katalogë dhe burime digjitale.