Skip to content Skip to footer

Biblioteka Kombëtare e Kosovës përfaqësoi Kosovën në Panairin e Librit në Leipzig

Biblioteka Kombëtare e Kosovës përfaqësoi Kosovën në Panairin e Librit në Leipzig nga data 27 deri më 30 mars 2025, një nga ngjarjet më të rëndësishme të botës së librit që zhvillohet çdo vit në Gjermani. Ky panair, i dyti më i madh në vend, këtë vit u mbajt nën moton Fjalët lëvizin botët, duke theksuar fuqinë e letërsisë për të ndikuar dhe ndryshuar shoqëritë.

Në kuadër të programit Leipzig Liest, nga Biblioteka Kombëtare u organizuan disa ngjarje letrare me pjesëmarrjen e autorëve nga Kosova. Ngjarja Letërsia nga Kosova solli në qendër autorin dhe përkthyesin Qerim Ondozi dhe botuesen Feride Berisha, të cilët diskutuan mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare dhe sfidat e përkthimit.

Ndërkohë, në ngjarjen Kujtesa individuale dhe kolektive, me autorin e mirënjohur Ag Apolloni u diskutua mbi shkrimtarin si urë mes kujtesës individuale dhe kolektive ku u prezantua edhe libri i tij tashmë i përkthyer në anglisht, Red Riding Hood: Fairy Tale for Grown-Ups, i cili reflekton fuqinë e letërsisë për të mbajtur gjallë memorien kolektive të luftës.

Një tjetër diskutim i rëndësishëm, Gjuha, migrimi dhe letërsia në Kosovë, u organizua nga TRADUKI dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, me pjesëmarrjen e drejtoreshës Blerina Rogova Gaxha dhe shkrimtares Jehona Kicaj ku u diskutua mbi sfidat e letërsisë bashkëkohore kosovare në sfondin e përvojave traumatike të luftës, arratisjes dhe migrimit.

Për përkthimin e ngjarjeve letrare u kujdes përkthyesja e njohur Zuzana Finger.

Këto aktivitete zgjuan interes të madh si te publiku shqiptar, ashtu edhe te lexuesit dhe botuesit gjermanë. Shumë vizitorë treguan interes për historinë dhe letërsinë e Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunime dhe prani të shtuar të letërsisë shqipe nga Kosova në skenën ndërkombëtare.