Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u mbajt ceremonia përkujtimore në nderim të 80-vjetorit të lindjes së poetit, këngëtarit, gazetarit, publicistit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla. Kjo ngjarje u organizua nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Ngjarja u hap nga moderatorja, e cila me fjalë të ndjera përshëndeti të pranishmit: familjarë, miq, artdashës e përfaqësues të institucioneve kulturore, duke theksuar se figura e Jusuf Gërvallës nuk është thjesht një kujtim historik, por një zë i gjallë i ndërgjegjes sonë kombëtare.
Aktorja Sheqerie Buçaj hapi programin artistik me interpretimin emocional të poezisë “Fletë Testamenti”.
Në vijim, zëvendësministrja e Kulturës, Daulina Osmani, mbajti një fjalë përshëndetëse institucionale, duke theksuar rolin e Gërvallës në kulturën dhe historinë shqiptare.
Aktori Veton Osmani solli në skenë poezinë “Fluturojnë e bien”, duke e ngjyrosur atmosferën me ndjenja të thella.
Mysafiri special, muzikologu i njohur Rafet Rudi, mbajti një fjalim për veprën dhe trashëgiminë kulturore të Gërvallës.
Me interpretimin “Nga memoaret e një shëtitësi”, Semira Latifi preku zemrat e të pranishmëve.
Një moment shumë emocional ishte fjala e Donika Gërvallës, vajzës së Jusufit, e cila ndau me publikun kujtime dhe reflektime personale mbi jetën dhe krijimtarinë e të atit.
Programi përfundoi me një performancë muzikore nga këngëtari Shpat Deda, i cili interpretoi këngën “Kënga e Bylbylit”, si një përmbyllje simbolike në nder të një figure që mbetet frymëzim për brezat.
Ky përkujtim ishte më shumë se një ngjarje kulturore – ishte një rikthim në frymën, vargun dhe shpirtin e lirë të Jusuf Gërvallës. Ai jeton përmes fjalës, muzikës dhe kujtesës sonë kolektive.















