Prishtinë, 26 nëntor 2025
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita dokumentare “Koha e shndërrimit: Kosova 1968–1981 – dokumente dhe dëshmi”, e realizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, me rastin e Festës së Flamurit. Ekspozita sjell një përzgjedhje të gjerë dokumentesh arkivore që ndriçojnë një periudhë thelbësore të historisë së Kosovës, kur ndryshimet shoqërore dhe kërkesa për të drejta u artikuluan me më shumë forcë dhe qartësi.
Ngjarja u hap nga U.D. Drejtori Ekzekutiv i ASHAK-ut, z. Bekim Aliu, i cili nënvizoi peshën historike të viteve 1968–1981 dhe theksoi se dokumentet e kësaj ekspozite “na ndihmojnë ta shohim veten më qartë”, duke sjellë për publikun një pasqyrë të sinqertë të transformimeve të kohës.
Ekspozita u nderua gjithashtu me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i cili përgëzoi punën e ASHAK-ut dhe theksoi se vitet 1968 dhe 1981 janë “vite kyçe e shndërruese në historinë tonë politike e kombëtare”, periudhë që formësoi një gjeneratë të re me ideale të qarta dhe guxim qytetar.
Me një fjalë rasti iu drejtua të pranishmëve edhe Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, znj. Blerina Rogova Gaxha, e cila vuri në pah rolin e institucionit në ruajtjen e kujtesës kolektive:
“Biblioteka Kombëtare mbetet vendi ku dokumentet marrin zë dhe historia rigjen kuptimin e saj. Kjo ekspozitë na rikujton se e kaluara nuk është vetëm për t’u ruajtur, por për t’u kuptuar dhe për t’u përdorur si themel në ndërtimin e të ardhmes.”
Ekspozita paraqet dokumente të rralla, materiale arkivore dhe fotografi që ilustrojnë transformimet shoqërore, politike dhe kulturore të viteve 1968–1981, një periudhë në të cilën qytetarët e Kosovës artikuluan me vendosmëri aspiratat e tyre për barazi, dinjitet dhe identitet kombëtar.













