Skip to content Skip to footer

Java e Bibliotekës në Kosovë – Edicioni i 22-të “Biblioteka mes traditës dhe inovacionit”

Prishtinë, 6 tetor 2025

Nën moton “Biblioteka mes traditës dhe inovacionit”, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u hap zyrtarisht edicioni i 22-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë, një ngjarje tashmë tradicionale që promovon rolin e bibliotekave si qendra të dijes, kulturës dhe përparimit teknologjik.
Ceremonia zyrtare e hapjes filloi me pritjen e të ftuarve në hollin e Bibliotekës Kombëtare, duke vazhduar me fjalët përshëndetëse nga znj. Blerina Rogova Gaxha, Drejtoreshë e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, si dhe nga përfaqësues ndërkombëtarë: znj. Majlinda Toçi, Zëvendësdrejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, z. Mehmet Demir nga Drejtoria e Përgjithshme e Bibliotekave dhe Botimeve të Turqisë dhe z. Jovica Nikchevski, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë ceremoni u lansua zyrtarisht Rrjeti Bibliotekar i Kosovës, një nismë e rëndësishme për bashkëpunimin dhe shkëmbimin profesional mes bibliotekave në vend, duke synuar forcimin e kapaciteteve dhe qasjen më të mirë për lexuesit në mbarë Kosovën.
Të pranishmit patën rastin të ndjekin një videodokumentar të shkurtër mbi historinë, rolin dhe rëndësinë kulturore e arkitektonike të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës – një institucion unik në rajon.
Atmosferën e mbrëmjes e pasuroi një kuartet nga Filarmonia e Kosovës, duke sjellë një ndërthurje të elegancës muzikore me ambientin e veçantë të bibliotekës.
Në vijim, u bë hapja e ekspozitës “Trashëgimia orientale në Kosovë: Dorëshkrimet orientale në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, ku për herë të parë u prezantuan rreth 30 vepra të rralla, ndër to 25 dorëshkrime autentike dhe 5 libra të shtypur, që reflektojnë pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore. Ekspozita do të jetë e hapur për publikun në hollin e ekspozitave të BKK-së gjatë gjithë javës.
Mbrëmja u përmbyll me një koktej rasti, ku të ftuarit patën mundësinë të shoqërohen dhe të ndajnë ide për bashkëpunime të mëtejshme në fushën bibliotekare.
Java e Bibliotekës në Kosovë do të vazhdojë me aktivitete të ndryshme përgjatë datave 6-12 tetor 2025, duke ofruar panele, ekspozita, ligjërata dhe aktivitete për të gjitha grupmoshat.