Skip to content Skip to footer

Java e Bibliotekës në Kosovë 2025 – Dita e tretë

Prishtinë, 8 tetor 2025

Dita e tretë e Javës së Bibliotekës në Kosovë

Java e Bibliotekës në Kosovë po vazhdon me aktivitete të larmishme që hedhin dritë mbi rëndësinë shumëdimensionale të bibliotekave në jetën kulturore dhe arsimore të shoqërisë. Dita e tretë e kësaj jave filloi me sesionin tematik: Ndikimi i bibliotekave në promovimin e leximit.

Gjatë këtij sesioni u theksua roli i bibliotekave si ruajtëse të trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe trashëgiminë orientale që ruhen në fondet bibliotekare. Pjesëmarrësit diskutuan mënyrat se si mund të promovohet kjo trashëgimi, duke nxitur qasjen më të gjerë në literaturën që lidhet me historinë dhe kulturën tonë. Po ashtu, u debatua për sfidat dhe mundësitë e nxitjes së leximit në komunitet dhe rolin e bibliotekave si ura lidhëse mes lexuesit dhe dijes.

Më pas, dita vazhdoi me një diskutim të hapur mbi përkthimin e letërsisë shqipe dhe qasjen e lexuesve të huaj ndaj veprave në gjuhën shqipe. Ky diskutim u moderua nga Saranda Krasniqi, dhe solli një panel të veçantë me figura të njohura ndërkombëtare e vendore: poetja dhe përkthyesja znj. Nerimane Kamberi, përkthyesi dhe botuesi francez z. Sébastien Gricourt, si dhe autori dhe përkthyesi britanik z. Robert Wilton.

Panelistët ndanë përvojat e tyre mbi sfidat e përkthimit të veprave shqipe në gjuhë të tjera, veçanërisht në anglisht dhe frëngjisht, duke vënë në pah mungesën e përfaqësimit të letërsisë shqipe në tregun ndërkombëtar. Ata diskutuan rëndësinë që ka përkthimi cilësor në prezantimin dinjitoz të autorëve shqiptarë në botë, si dhe nevojën për mbështetje institucionale për të nxitur këtë proces.

Në kuadër të Javës së Bibliotekës, u zhvillua një aktivitet i veçantë letrar i dedikuar fëmijëve dhe leximit, me titullin: Ne dhe librat (Një debat i hapur letrar me nxënësit e klasave 1-5), i organizuar në bashkëpunim me shtëpinë botuese Dukagjini. Ky debat i hapur letrar kishte për synim të nxitë dashurinë për leximin, të forcojë aftësitë e të shprehurit dhe të zhvillojë mendimin kritik tek fëmijët.

Përmes diskutimeve mbi leximet shkollore, fëmijët patën mundësinë të shprehin mendimet dhe përjetimet e tyre, duke e parë librin jo vetëm si një mjet edukimi, por edhe si burim frymëzimi dhe kënaqësie.

Mbrëmja e ditës së tretë u mbyll me shfaqjen e dy filmave të njohur, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, duke sjellë artin e filmit si pjesë përbërëse e shprehjes kulturore dhe rrëfimit shoqëror:

Zgjoi – me regji të Blerta Bashollit, një film i fuqishëm dhe i vlerësuar ndërkombëtarisht, që trajton forcën, sakrificën dhe guximin e një gruaje në përballje me realitetin pasluftës në Kosovë.

Vera andrron detin – me regji të Kaltrina Krasniqit, një rrëfim i ndjeshëm dhe poetik që eksploron identitetin, lirinë personale dhe raportin me të kaluarën në një shoqëri tradicionale.