Prishtinë, 9 tetor 2025
Dita e katërt e Javës së Bibliotekës në Kosovë
Dita e katërt e Javës së Bibliotekës në Kosovë solli një varg aktivitetesh që nënvizuan rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, mbrojtjes së të drejtave të autorit dhe vlerësimit të figurave të shquara të letërsisë shqiptare.
Dita e katërt e Javës së Bibliotekës në Kosovë filloi me një ngjarje të veçantë kulturore, promovimin e katalogut Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, një botim që ndriçon fondet e rralla dhe koleksionet më përfaqësuese të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ky katalog përfaqëson një përpjekje për të dokumentuar dhe bërë të qasshme thesaret kulturore e historike që ruhen në institucionin më të lartë bibliotekar të vendit. Gjatë prezantimit, u theksua rëndësia e këtij publikimi për studiuesit, studentët dhe publikun e gjerë, si dhe për afirmimin e pasurisë kulturore të Kosovës.
Pas kësaj ngjarjeje, u zhvillua tryeza tematike E drejta e autorit dhe bibliotekat, e moderuar nga znj. Lavdie Mani nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës. Në këtë diskutim morën pjesë juristë dhe profesionistë të fushës së kulturës dhe botimeve: Zjarrta Osmani, juriste nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Florin Lata, jurist nga firma ligjore “Vokshi & Lata”, Halil Kurmehaj, jurist dhe këshilltar i Zëvendëskryeministrit të Kosovës, dhe Nazmi Rrahmani, shkrimtar dhe botues, drejtor i shtëpisë botuese “Faik Konica”
Panelistët trajtuan çështje që lidhen me sfidat praktike dhe ligjore në ruajtjen dhe shpërndarjen e materialeve të mbrojtura me të drejtë autori brenda bibliotekave. U diskutua gjithashtu nevoja për përditësimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e ndërgjegjësimit institucional për të drejtën e autorit në kontekstin e zhvillimeve digjitale. Pjesa e fundit e tryezës iu kushtua një diskutimi të hapur me pjesëmarrësit, ku u parashtruan pyetje dhe u ndanë përvoja nga praktikantë të fushës së bibliotekave dhe botimeve.
Pjesa tjetër e ditës vazhdoi me një aktivitet letrar kushtuar 100-vjetorit të lindjes së poetit Martin Camaj. Ngjarja filloi me fjalën hyrëse të studiuesit Anton Nikë Berisha, i cili foli për rëndësinë e figurës së Martin Camajt në letërsinë shqipe. Aktiviteti përfshiu analizë dhe diskutim mbi veprën e Camajt, shfaqje të një interviste arkivore të tij, si dhe lexime poetike nga veprat më të njohura të poetit, duke krijuar një atmosferë reflektuese dhe ndjesore mbi trashëgiminë e tij letrare.
Mbrëmja u përmbyll me shfaqjen e filmit BABAI nga regjisori Visar Morina, duke sjellë një dimension të ri artistik në programin e ditës dhe duke ofruar një reflektim të thellë mbi temat e migrimit, identitetit dhe marrëdhënieve familjare.



























