Prishtinë, 7 tetor 2025
Pas hapjes solemne dhe domethënëse të Javës së Bibliotekës në Kosovë, dita e dytë e Javës vijoi me një program të pasur profesional dhe kulturor, duke sjellë në fokus temat kyçe të trashëgimisë, të digjitalizimit dhe rolit të bibliotekave në epokën moderne të transformimeve të mëdha teknologjike.
Gjatë ditës u mbajtën dy sesione tematike me interes të veçantë:
“Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe digjitalizimi”, dhe
“Bibliotekat në epokën e transformimit: teknologjia, identiteti dhe kultura”
Në këto sesione morën pjesë profesionistë dhe studiues nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Biblioteka Kombëtare e Maqedonisë së Veriut, Biblioteka Kombëtare e Bullgarisë dhe Biblioteka e Turqisë, të cilët ndanë përvoja dhe praktika mbi sfidat dhe mundësitë që sjell digjitalizimi në ruajtjen dhe qasjen ndaj trashëgimisë kulturore.
U diskutua roli i bibliotekës si një urë lidhëse mes identitetit kulturor dhe teknologjisë, si dhe mënyrat se si institucionet bibliotekare mund të përshtaten me nevojat e kohës, pa humbur rolin e tyre si ruajtëse të kujtesës kolektive.
Pas sesioneve shkencore, vijoi një moment i veçantë: ceremonia e dhurimit të librave nga Biblioteka Kaser, një akt simbolik që vlerësoi rëndësinë e solidaritetit kulturor dhe të shkëmbimit të dijes përtej kufijve.
Me fjalë përshëndetëse u paraqitën:
Michaela Wolf, nga Universiteti i Grazit, Tahir Latifi, nga Universiteti i Prishtinës, dhe Ajete Zogaj, nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Ky gjest përforcoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në zhvillimin e koleksioneve bibliotekare dhe në promovimin e një kulture të hapur dhe gjithëpërfshirëse të dijes.






























