Skip to content Skip to footer

Forumi “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e ish-Jugosllavisë (RSFJ)” hap platformën “Zá n’Kujtesë”

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt forumi i diskutimit “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën e ish-Jugosllavisë (RSFJ)”, organizuar në bashkëpunim me Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL). Kjo ngjarje shënoi hapjen e kolanës së organizimeve “Zá n’Kujtesë”, platformë kjo e re e IKKL-së që do të zhvillohet në mënyrë periodike.

Forumi u hap nga drejtori i IKKL-së, z. Atdhe Hetemi, i cili potencoi rëndësinë e organizimit të ngjarjeve të tilla, të cilat shërbejnë si thirrje për ndërgjegjësim, dokumentim dhe për drejtësi.

“Zá n’Kujtesë” është zëri i atyre që nuk patën mundësinë të flasin. Është përpjekja jonë për të ndërtuar një kujtesë të thellë, të ndershme dhe të qëndrueshme, përmes një ballafaqimi të guximshëm me të kaluarën. Një kujtesë që nuk ndërtohet sipas nevojave të caktuara ditore, por mbi dëshmi, mbi të vërtetën historike dhe mbi dinjitetin njerëzor.” – tha drejtori i IKKL-së, z. Atdhe Hetemi.

Pas z. Hetemi, fjalën e mori Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.

“Jemi bashkë këtu sot në Bibliotekën Kombëtare, në këtë forum diskutimi për ushtarët e vrarë shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë. Kjo dëshmon që institucionet shtetërore dhe shoqëria jonë nuk e harrojnë asnjë kategori të krimeve të kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve dhe asnjë periudhë të historisë që na ka sjellë deri këtu ku jemi sot. Vrasja e djemve të rinj shqiptarë në Armatën e Jugosllavisë, teksa po e kryenin shërbimin ushtarak të obligueshëm, është një kapitull krejt i veçantë i krimeve të kryera nga Jugosllavia, e veçanërisht nga Serbia, ndaj shqiptarëve. Kjo histori është e shtrirë në një periudhë mbi 40-vjeçare, që nga viti 1951, kur kanë ndodhur dy vrasjet e para të tilla.” – tha z. Albin Kurti.

“Janë mbi 135 raste me histori të këtilla, disa prej të cilave do t’i dëgjojmë edhe sot në këtë forum. Por përtej kësaj, të gjitha këto raste dhe secili prej tyre do të hulumtohet, do të evidentohet dhe do ta ketë dosjen e tij në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Kjo është edhe një nga arsyet përse e kemi themeluar këtë institut.” – shtoi ai.

Ndërkaq, drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, znj. Blerina Rogova Gaxha, theksoi se Biblioteka Kombëtare, si institucion i ruajtjes së trashëgimisë dokumentare të vendit, është e përkushtuar të mbështesë çdo përpjekje për të dokumentuar të vërtetën, për ta bërë të qasshme dhe për të ndërtuar kështu një kulturë kolektive të kujtesës që nuk lejon fshirjen apo shtrembërimin e historisë sonë.

“Ne të gjithë këtu jemi dëshmitarë moralë, jemi ata që e kemi përjetuar vuajtjen. Kjo dëshmi morale ndihmon mobilizimin e kujtesës në formë institucionale. Memorizimi i dhunës e i tmerrit i shërben parandalimit dhe moslejimit të krimit ciklik. Sot, kur nderojmë kujtimin e këtyre ushtarëve të rinj, duhet gjithashtu të premtojmë që jeta dhe vdekja e tyre të mos mbeten vetëm statistikë. Ato janë histori njerëzore që meritojnë të dëgjohen, të dokumentohen dhe të ndriçohen me të gjitha mjetet që një shoqëri demokratike ka në dispozicion.”

Më pas fjalën e morën: z. Riza Xhakli – ish i burgosur politik për rastin Aziz Kelmendi, z. Gani Morina – përfaqësues i Këshillit të Familjarëve të Ushtarëve të Vrarë në Armatën Jugosllave, z. Cen Desku – përfaqësues i familjes së Jetullah Deskut.

Në mbyllje u hap ekspozita dokumentare “Ushtarët shqiptarë të vrarë në armatën e ish-Jugosllavisë (RSFJ)”. Ekspozita ndriçon kete kapitull të errët të historisë sonë – vrasjen e dhjetëra ushtarëve shqiptarë të rinj gjatë shërbimit të detyrueshëm ushtarak në kazermat e armatës jugosllave, kryesisht gjatë viteve ’70, ’80 dhe ’90.

Ekspozita rrëfen jetët e tyre përmes portreteve familjare, letrave personale, dokumenteve ushtarake, certifikatave të vdekjes, pamjeve të ceremonive mortore dhe raportimeve të kohës. Ajo fokusohet në identitetin dhe jetën e rekrutëve gjatë shërbimit, kthimin e tyre në arkivol, dhimbjen e nënave dhe kujtimin që familjet e populli ruajnë për ta.