Prishtinë, 11 tetor 2025
Biblioteka Kombëtare e Kosovës – Pjetër Bogdani, përmbylli me sukses edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës, një ngjarje tashmë tradicionale në kalendarin kulturor e profesional të vendit, e cila u zhvillua nga data 6 tetor deri më 12 tetor 2025. Kjo javë i kushtohet promovimit të kulturës së leximit, zhvillimit profesional të bibliotekarëve dhe ngritjes së vetëdijes për rolin kyç që bibliotekat luajnë në shoqëri.
Gjatë gjithë javës, ambientet e Bibliotekës Kombëtare u shndërruan në një hapësirë dinamike diskutimi, reflektimi dhe shkëmbimi profesional, duke mirëpritur bibliotekarë, studiues, akademikë, autorë, përkthyes, studentë dhe lexues të pasionuar nga vendi dhe rajoni.
Ky edicion u karakterizua nga një frymë e fuqishme ndërkombëtare, falë pjesëmarrjes së përfaqësuesve nga bibliotekat kombëtare të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Turqisë. Ata ndanë përvoja konkrete, praktika të mira dhe sfida të përbashkëta në drejtim të modernizimit të bibliotekave dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal.
Java nisi me hapjen Ekspozitës: Trashëgimia orientale në Kosovë: Dorëshkrimet orientale në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila solli në vëmendje materiale të rralla nga fondi arkivor i BKK-së. Më tej, programi përfshiu:
Tryeza të rrumbullakëta dhe forume mbi temat aktuale si: e drejta e autorit në epokën digjitale, përkthimi letrar dhe ndërkulturaliteti, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, si dhe digjitalizimi i koleksioneve të rralla.
Ligjërata profesionale nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë mbi transformimin teknologjik të bibliotekave, sfidat e bibliografisë bashkëkohore dhe zhvillimin e shërbimeve për komunitetin.
Promovimi i katalogut Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, një botim që prezanton vlerat e rralla dhe të papërsëritshme të fondit dokumentar dhe arkivor të institucionit, si dëshmi e trashëgimisë kulturore kombëtare.
Në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, përgjatë gjithë javës u organizuan shfaqje të gjashtë filmave vendorë me rëndësi artistike e historike, duke e lidhur bibliotekën me artet pamore dhe kinematografinë.
Një element tejet domethënës i këtij edicioni ishte shtrirja e aktiviteteve në nivel kombëtar: biblioteka publike në qytetet kryesore të Kosovës organizuan ngjarje të ngjashme, duke e kthyer Javën e Bibliotekës në një festë të përbashkët të librit dhe dijes për të gjithë qytetarët.

















