Skip to content Skip to footer

Biblioteka Kombëtare e Kosovës përfaqëson vendin në Kongresin Botëror të Bibliotekarisë dhe Informacionit në Kazakistan

Biblioteka Kombëtare e Kosovës (BKK) do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Kongresin Botëror të Bibliotekarisë dhe Informacionit, i cili këtë vit do të mbahet në Astana (Kazakistan), nga data 18-22 gusht, nën organizimin e IFLA-s (Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare). 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është anëtare e IFLA-s që nga viti 2016, pjesë e rrjetit më të madh botëror që bashkon shoqata dhe institucione bibliotekare nga mbi 150 vende. IFLA luan një rol kyç në zhvillimin e politikave globale për bibliotekat, promovimin e qasjes së barabartë në informacion dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e bibliotekarisë.

Kongresi Botëror i Bibliotekarisë dhe Informacionit është ngjarja më e rëndësishme e sektorit në nivel global, duke mbledhur çdo vit mijëra profesionistë, ekspertë dhe vendimmarrës për t’i ndarë praktikat më të mira, për të diskutuar sfidat e kohës dhe për të hartuar vizionin e ardhshëm të bibliotekave.

Në kuadër të këtij kongresi, drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, do të prezantojë kumtesën me titull:

“Rindërtimi i kujtesës përmes mbledhjes digjitale: Rasti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”, e cila trajton përpjekjet e institucionit për të ruajtur dhe rikthyer memorien kolektive të vendit përmes mbledhjes dhe arkivimit digjital të materialeve dokumentare. (vjegëza e programit të sesionit: https://iflawlic2025.abstractserver.com/program/#/details/sessions/165)

Pjesëmarrja në këtë ngjarje ndërkombëtare është një mundësi e rëndësishme për ta paraqitur përvojën dhe arritjet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, për t’i forcuar rrjetet e bashkëpunimit dhe për të kontribuar në diskutimet globale mbi rolin e bibliotekave në epokën digjitale.