Biblioteka Kombëtare e Kosovës mori pjesë për herë të pestë në Panairin e Librit në Leipzig. Gjatë edicionit të këtij viti, ne u prezantuam me mbi 100 tituj të autorëve, si dhe me gjashtë autorë pjesëmarrës në panele diskutimi.
Të pranishëm në hapje ishin edhe Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, znj. Saranda Bogujevci, Zëvendësministrja, znj. Nora Arapi-Krasniqi, si dhe Ambasadori i Kosovës në Gjermani, z. Faruk Ajeti, të cilët gjatë ditës, përveç pjesëmarrjes në panel diskutimi, patën mundësi të takohen edhe me drejtues të Panairit të Librit në Leipzig, si dhe me përfaqësues të TRADUKI-t, rrjetin evropian për përkthimin dhe promovimin e letërsive të Evropës Juglindore.
Në kuadër të panairit u organizuan dy panele diskutimi me temat: “Kujtesë e kontestuar, zëra të lidhur: Letërsia dhe politika në Ballkan” dhe “Gjuhë të vogla, histori të mëdha: Letërsia shqipe në kontekst global”. Diskutimet trajtuan ndërthurjen e letërsisë me politikën, dimensionin human të letërsisë, si dhe përvojat dhe rrëfimet me kuptim universal, duke nxitur interes dhe debat tek publiku.
Në këto panele morën pjesë znj. Jehona Kicaj, znj. Majlinda Bregasi, znj.Nerimane Kamberi, z. Arbër Selmani, znj. Meliza Krasniqi dhe znj. Eli Krasniqi, ndërsa drejtoresha e përgjithshme e BKK-së, znj. Blerina Rogova Gaxha, gjithashtu mori pjesë në dy panele diskutimi, në kuadër të programit të Tradukit, me temat: “Kujtesa si rezistencë: format, ndryshimet dhe sfidat e trashëgimisë së kujtesës” dhe “Bibliotekat kombëtare dhe politika kombëtare”.
Gjatë katër ditëve të panairit në Leipzig, në stendën tonë kemi mirëpritur shumë bashkatdhetarë nga qytete të ndryshme të Gjermanisë. Po ashtu, stenda jonë tërhoqi vëmendjen e publikut gjerman, i cili tregoi interes të veçantë për t’u njohur me Bibliotekën Kombëtare dhe autorët përfaqësues.
Për fund, por jo më pak e rëndësishme, një falënderim i veçantë për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe TRADUKI-n për mbështetjen dhe bashkëpunimin, si dhe për autorët pjesëmarrës dhe stafin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për angazhimin e tyre në realizimin e suksesshëm të këtij panairi.






















