Skip to content Skip to footer

Biblioteka Kombëtare e Kosovës – anëtare vëzhguese në rrjetin letrar evropian TRADUKI

Duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe integrimin e letërsisë kosovare në hapësirën evropiane të përkthimit dhe botimit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës është pranuar si anëtare vëzhguese në rrjetin letrar evropian TRADUKI.

Ky vendim vjen si rezultat i një procesi të gjatë angazhimi dhe lobimi institucional, i cili ka nisur në dhjetor të vitit 2024. Qëllimi kryesor i këtij procesi ka qenë krijimi i mundësive më të mëdha për përkthimin, botimin dhe promovimin e letërsisë shqipe nga Kosova në gjuhën gjermane, si dhe rritja e pranisë së autorëve kosovarë në rrjete dhe platforma ndërkombëtare të letërsisë.

Gjatë Panairit të Librit në Leipzig, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e rrjetit TRADUKI dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, duke riafirmuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e

bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, kanë zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues kulturorë dhe institucionalë të rrjetit TRADUKI, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Këto takime kanë kontribuar në avancimin e procesit të aplikimit dhe në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërinstitucional.

Në tetor të vitit 2025, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në këtë rrjet, ndërsa në mbledhjen e Komitetit të TRADUKI të mbajtur në nëntor 2025 është miratuar pranimi i Kosovës si anëtare vëzhguese.