Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, më 23.4.2026, u mbajt forumi i diskutimit me temë “Inteligjenca artificiale dhe shkrimi”, në nder të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit.
Në këtë forum morën pjesë profesionistë nga fusha të ndryshme, si letërsia, gazetaria, drejtësia dhe teknologjia, të cilët kontribuan në një diskutim ndërdisiplinor mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në procesin e shkrimit. Përmes këtyre perspektivave të ndryshme, u trajtuan dimensionet teorike dhe praktike të bashkëveprimit ndërmjet teknologjisë dhe krijimtarisë.
Forumi krijoi një hapësirë të gjallë dialogu mbi ndikimin që inteligjenca artificiale po ushtron në procesin krijues dhe në të ardhmen e shkrimit. Diskutimet u përqendruan kryesisht në çështje thelbësore si: a mund të konsiderohet inteligjenca artificiale një bashkautore në krijimtarinë letrare, si ndryshon koncepti i autorësisë në epokën digjitale, cilat janë sfidat etike dhe ligjore që lidhen me përdorimin e saj, a e rrezikon inteligjenca artificiale identitetin autorial, si dhe në ç’mënyrë mund të ndikojë ajo në të menduarit e pavarur te të rinjtë.
Panelistët trajtuan gjithashtu raportin ndërmjet krijimtarisë njerëzore dhe teknologjisë, duke u shprehur se, megjithëse inteligjenca artificiale mund të shërbejë si mjet ndihmës në procesin e shkrimit, ajo nuk mund të zëvendësojë përvojën njerëzore, ndjeshmërinë dhe kontekstin kulturor që e bëjnë letërsinë autentike. Gjatë forumit u diskutua edhe për mundësitë që ofron inteligjenca artificiale në lehtësimin e hulumtimit, përpunimit të tekstit dhe zgjerimit të qasjes në dije.
Ky forum u vlerësua si një nismë mjaft e rëndësishme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të hapur dialogun kulturor dhe për të nxitur diskutimin kritik mbi zhvillimet bashkëkohore të teknologjisë në raport me krijimitarinë autoriale nga një perspektivë ndërdisiplinore.
Në fund, u theksua nevoja që këto diskutime të mbeten të hapura dhe të vazhdojnë edhe në aktivitete të ardhshme.




















