Prishtinë, 4 nëntor 2025
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u zhvillua një takim i rëndësishëm me drejtues dhe përfaqësues të bibliotekave nga e gjithë Kosova, për prezantimin e platformës së re “KOHA” dhe procesit të implementimit të Rrjetit Bibliotekar të Kosovës. Ky rrjet do të lidhë 48 biblioteka – komunale, universitare dhe speciale – në një sistem të përbashkët katalogimi, duke avancuar sistemin e informacionit dhe të shërbimeve bibliografike në vend.
Në këtë takim u prezantua platforma me fokus në përdorimin, navigimin dhe informacionet praktike dhe të dobishme për punën dhe integrimin e përbashkët.
Në kuadër të kësaj, këtë javë ka filluar faza e trajnimeve me qëllim përgatitjen profesionale të stafit dhe pajisjen e tyre me njohuritë e nevojshme për implementimin e rrjetit. Më pas, trajnimet do të shtrihen në të gjitha 48 bibliotekat e përfshira në rrjet.
“KOHA” synon të krijojë një rrjet unik bibliotekar, duke lehtësuar katalogimin e përbashkët, qasjen në informacion dhe shërbimet bibliografike për përdoruesit në mbarë vendin.


