Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” më 29 dhe 30 shtator mori pjesë në takimin e 12-të vjetor të drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Evropës Juglindore, mbajtur në Shkup, Maqedoni e Veriut, nën temën “Strategjia rajonale për inteligjencën artificiale”. Në takim mori pjesë drejtoresha e përgjithshme, Dr. Blerina Rogova Gaxha. Pjesëmarrja në këtë takim reflekton përkushtimin tonë për avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe eksplorimit të rolit të inteligjencës artificiale në shërbimet bibliotekare.
Në kuadër të këtij takimi u prezantua edhe Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Trashëgiminë kulturore: inovacioni, qëndrueshmëria dhe kornizat ligjore për ruajtje dhe pjesëmarrje, e cila mblodhi së bashku përfaqësues nga bibliotekat kombëtare, UNESCO, Blue Shield, IFLA, si dhe institucione të tjera relevante ndërkombëtare për të diskutuar metodat dhe teknologjitë inovative për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, strategjitë për qëndrueshmëri afatgjatë si dhe kornizat ligjore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në mbrojtjen e trashëgimisë.
Kosova pati nderin të kontribuonte si pjesëmarrëse aktive në këto diskutime, duke ndarë përvojat e saj institucionale dhe duke promovuar trashëgiminë e pasur kulturore kombëtare.



