Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” mirëpret edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë, një ngjarje e cila tashmë është shndërruar në traditë kombëtare dhe rajonale. Nga data 6 deri më 12 tetor 2025, Prishtina dhe qytetet e tjera të Kosovës do të bëhen skena të aktiviteteve që ndërthurin librin, kulturën, trashëgiminë dhe teknologjinë.
Hapja solemne dhe lansimi i rrjetit bibliotekar
Java fillon me një ceremoni të veçantë hapjeje ku marrin pjesë përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore e kulturore, si dhe drejtues të bibliotekave kombëtare nga rajoni. Një moment historik i këtij edicioni është lansimi i rrjetit bibliotekar të Kosovës, i cili përfshin 48 biblioteka në një sistem unik, duke hapur një kapitull të ri për bashkëpunimin, qasjen dhe shërbimet bibliotekare moderne në vend.
Publiku do të ketë rastin të shohë edhe ekspozitën “Trashëgimia orientale në Kosovë”, që sjell për herë të parë mbi 30 dorëshkrime dhe botime të rralla nga fondet e Bibliotekës Kombëtare.
Sesionet shkencore dhe temat kryesore
Gjatë javës do të zhvillohen sesione shkencore me tema të ndryshme, si:
- Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe digjitalizimi
- Bibliotekat në epokën e transformimit: teknologjia, identiteti dhe kultura
- Ndikimi i bibliotekave në promovimin e leximit
- Përkthimi i letërsisë shqipe dhe qasja e lexuesve ndërkombëtarë
- E drejta e autorit dhe bibliotekat
Në këto aktivitete marrin pjesë studiues, autorë, përkthyes, ekspertë dhe bibliotekarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bullgaria, Austria dhe vende të tjera, duke e kthyer Prishtinën në një qendër rajonale të debatit kulturor e shkencor.
Aktivitetet kulturore dhe letrare
Programi ofron lexime poetike, promovime librash, panele me shkrimtarë e përkthyes, si dhe aktivitete me nxënës e studentë. Një vend i veçantë i kushtohet përkujtimit të Martin Camajt, në 100-vjetorin e lindjes së tij, me lexime, diskutime dhe materiale arkivore të rralla.
Punëtori dhe vizita në Bibliotekën Kombëtare
Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të vizitojnë hapësirat dhe laboratorët e Bibliotekës Kombëtare, duke njohur nga afër proceset e digjitalizimit, katalogimit, koleksioneve të veçanta, bibliotekës muzikore, restaurimit dhe shërbimeve për përdoruesit.
Kinematografia dhe arti
Çdo mbrëmje, publiku do të shijojë filma të kinematografisë kosovare, mes tyre:
- “Zgjoi” – Blerta Basholli
- “Vera andrron detin” – Kaltrina Krasniqi
- “Babai” – Visar Morina
- “Në kërkim të Venerës” – Norika Sefa
- “Nëntor i ftohtë” – Ismet Sijarina
- “Heroi” – Luan Kryeziu
Aktivitetet në bibliotekat komunale
Java e Bibliotekës shtrihet edhe në qytete të tjera si Pejë, Prizren, Gjakovë dhe Suharekë, me aktivitete të dedikuara për fëmijë, të rinj dhe lexuesit më aktivë. Ekspozita, punëtori, lexime dhe aktivitete edukative e bëjnë këtë javë një festë të librit në mbarë Kosovën.