Skip to content Skip to footer

Mbyllet me sukses Kongresi Botëror i Bibliotekave dhe i Informacionit 2025

Biblioteka Kombëtare e Kosovës përfundoi me sukses pjesëmarrjen në Kongresin e 89‑të Botëror të Bibliotekave dhe të Informacionit, të organizuar nga IFLA në Astana, Kazakistan.

Kjo ngjarje madhore, që mblodhi mbi 1300 delegatë nga 140 vende, ishte një mundësi e jashtëzakonshme për shkëmbim përvojash dhe krijim lidhjesh të reja bashkëpunimi në fushën e bibliotekarisë dhe të informacionit.

Në kuadër të kongresit, u zhvilluan takime të rëndësishme me lidershipin e IFLA-s: Leslie Weir (Presidente e sapozgjedhur), Te Paea Paringatai (Presidente e ardhshme), Vicki McDonald (Ish-presidente), si dhe me drejtues të bibliotekave kombëtare nga: Greqia, Koreja e Jugut, Turqia, Maqedonia e Veriut, Katari, Singapori, Skocia, Gjermania, Kanadaja, Holanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe shumë vende të tjera të botës.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës u prezantua me kumtesën “Rebuilding memory through digital collecting: The case of the National Library of Kosovo”, si pjesë e sesionit “Collecting in a digital world: Inclusivity and sustainability”. Drejtoresha e BKK‑së, znj. Blerina Rogova Gaxha, paraqiti projektet e digjitalizimit dhe përpjekjet për ruajtjen e kujtesës kombëtare në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Gjatë kongresit u mbajt edhe Asambleja e Përgjithshme e IFLA-s, në kuadër të së cilës u votuan dhe u miratuan çështje të rëndësishme për të ardhmen dhe qeverisjen e institucionit global të bibliotekave.

Pjesëmarrja jonë në këtë kongres përforcon përkushtimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të qenë pjesë aktive e dialogut global për të ardhmen e bibliotekave, librit dhe dijes – duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke e vendosur Kosovën në hartën ndërkombëtare të inovacionit kulturor dhe informativ.