» Kongresi i 75-të i IFLA-s në Milano të Italisë – Reagim i Përfaqësuesve të Kosovës
         
 

Itali - Milano, 25 gusht 2009

Përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, dr. Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Sami Piraj, drejtor i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës dhe Besim Kokollari, kryetar i Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës, të cilët me ftesë zyrtare po marrin pjesë në Kongresin e 75-të të IFLA-s (Federata Ndërkombëtare e Asociacioneve dhe Institucioneve Bibliotekare) që po mbahet në Milano të Italisë, më 24 gusht 2009 patën takim zyrtar me Ingeborg Verheul, drejtoreshë për Komunikim dhe Anëtarësim në IFLA.

Në këtë takim u diskutua lidhur me kërkesën e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe Shoqatës së Bibliotekarëve të Kosovës për anëtarësim të rregullt në këtë organizatë. Siç dihet, kërkesa për anëtarësim të institucioneve i është bërë Bordit udhëheqës të IFLA-s vitin e kaluar gjatë takimit të Kuvendit të përgjithshëm të saj të 74-të të mbajtur në Quebec të Kanadasë. Sipas zyrtares së lartë të IFLA-s, institucionet bibliotekare të Kosovës i plotësojnë të gjitha kriteret për të qenë anëtarë të rregullt të IFLA-s, përveç kodit të vendit, për të cilën çështje është kompetente organizata ISO (Organizata e Stanadardeve Ndërkombëtare).

Në këtë takim u disktua edhe për kumtesën me titull “Librat dhe bibliotekat serbe në Kosovë e Metohi”, e paraqitur nga autorët serbë, Gordana Stokiq Simonçiq dhe Zoran Vukadinoviq në Kongresin e IFLA-s. Pas këtij takimi, përfaqësuesit e Kosovës u dërguan një reagim zyrtar Bordit udhëheqës të IFLA-s dhe Komitetit të FAIFE-së (Komiteti për Qasje të Lirë në Informacion dhe Liri të Shprehjes)lidhur me të pavërtetat që i paraqitën autorët serbë të kësaj kumtese para opionionit bibliotekar ndërkombëtar. Teksti i këtij reagimi është:

Autorët serbë Gordana Stokiq Simonçiq dhe Zoran Vukadinoviq, të cilët e paraqitën kumtesën e tyre me titull “Libri dhe bibliotekat serbe në Kosovë dhe Metohi”, në sesionin e Historisë së Bibliotekave në Kongresin e 75-të të IFLA-s në Milano, sollën para opionionit bilbiotekar ndërkombëtar dezinformata dhe të pavërteta të shumta, që kanë të bëjnë me librin dhe bibliotekat në Kosovë.

  • Autorët e kësaj kumtese, fatkeqësisht, ende pretendojnë se Kosova është territor i Serbisë, ndërkaq, dihet fakti se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.
  • Autorët e kësaj kumtese dezinformojnë opinionin se gjoja: “Sot nuk ka komb evropian, bibliotekat e një pjese të territorit të së cilit janë më në rrezik sesa koleksionet e librave serb në Kosovë...”, ndërsa e vërteta për këtë çështje është ndryshe. Të gjitha fondet dhe koleksionet e librit serb në Kosovë, si në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe në bibliotekat e tjera të Kosovës janë ruajtur, mirëmbajtur, përpunuar dhe shfrytëzuar si të gjitha koleksionet e tjera bibliotekare. Ndërkaq, në periudhën 1991-1999 në Kosovë, pikërisht regjimi serb i Millosheviqit ka djegur, shkatërruar e asgjësuar me mijëra libra në gjuhën shqipe. Vetëm në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, pa i numëruar bibliotekat e tjera të djegura e të shkatërruara anë e kënd Kosovës, sipas raporteve vendore dhe ndërkombëtare, janë dërguar dhe asgjësuar mbi 100 000 ekzemplarë librash në fabrikën e letrës në Lipjan afër Prishtinës.
  • Autorët e kësaj kumtese, gjithashtu, japin informata të pasakta lidhur me historinë e Kosovës, duke falsifikuar të dhëna të shumta për trashëgiminë kulturore, institucionet arsimore dhe kulturore, institucionet e kultit, etj.
  • Autorët e kësaj kumtese spekulojnë opinionin lidhur me themelimin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Madje, marrin edhe guximin të japin dezinformata se gjoja qeveria e Serbisë e ka themeluar këtë institucion. Dihet fakti se Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është themeluar nga Kuvendi i Kosovës.

Më tutje, ata e anashkalojnë qëllimisht periudhën e viteve 1990-1999, ku regjimi serb i Millosheviqit ka bërë okupimin klasik të institucioneve arsimore, kulturore, shkencore, etj. Në këtë periudhë punëtorët shqiptarë u dëbuan me dhunë nga puna, si në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, ashtu edhe bibliotekat e tjera, që rezultoi në administrimin e tyre nga personeli serb. Prandaj, pos që nuk është bërë pasurimi i fondeve me librin shqip në biblioteka për një periudhë 10-vjeçare, në mënyrë sistematike është bërë shkatërrimi i koleksioneve bibliotekare. Për më tepër, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare e Kosovës është përdor si bazë ushtarake e ushtrisë serbe.

Këto dezinformata tejet qëllimkëqija, të njëanshme dhe të motivuara politikisht, që kanë të bëjnë me librin dhe bibliotekat në Kosovë, ku trajtohen veçmas koleksionet e librit serb, gjithsesi paraqesin spekulime të llojit të vet që i bëjnë këta dy autorë.

Opinioni ndërkombëtar e di qartë se kush ka shkatërruar, asgjësuar dhe djegur në Kosovë. Prandaj, dëshmitë për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Kosovë, përfshirë librin, bibliotekat, arkivat, insituticonet e kultit, etj., janë të njohura, si përmes raportit të IFLA/FAIFE-së të botuar në prill të vitit 2000, ashtu edhe përmes raportit “Case No. IT-02-54-T, të paraqitur hetuesisë së Tribunalit të Hagës, me rastin e gjykimit të Millosheviqit, si edhe të shumë raporteve, analizave dhe hulumtimeve të tjera lidhur me këto çështje.

Në çdo shoqëri demokratike duhet të respektohen mendimi dhe fjala e lirë. Megjithatë, kur paraqiten si tendencioze, qëllimkëqija, të pasakta, dhe ku sulmohet kultura dhe civilizimi i një populli, prezantimet e tilla, siç është rasti me kumtesën e dy autorëve serbë, janë më shumë se të dëmshme.

Shpresojmë dhe besojmë se ky reagim yni do të shqyrtohet nga instancat e larta të IFLA-s dhe të jetë i njohur për opionin e gjerë bibliotekar.

 

Itali - Milano, 26 gusht 2009

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës u pranua në Konferencën e Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të Botës

Në kuadër të programit të Kongresit të 75-të të IFLA-s që po mbahet në Milano të Italisë, në takimin e radhës së Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare nga e mbarë bota, në mesin e 133 shteteve anëtare të Konferencës së Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare, nga 26 gusht 2009 u bë anëtare e rregullt e kësaj Konference edhe Biblioteka Kombëtare dhe Univeristare e Kosovës, që përfaqësohet nga drejtori i saj dr. Sali Bashota.

Konferenca e Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare (CDNL) është asociacion i pavarur i Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare nga e mbarë bota, e themeluar të avancojë dhe të promovojë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në çështje të interesit të përbashkët në shumë fusha që kanë të bëjnë me librin dhe bibliotekat. Drejtorët e Bibliotekave Kombëtare takohen për çdo vit gjatë punimeve të Kongresit të IFLA-s.

Konferenca e Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare (CDNL) ka për vizion krijimin dhe zhvillimin e një biblioteke digjitale globale, e cila do të mund të shfrytëzohet gjerësisht dhe pa kufizime përmes internetit nga përdorues të mbarë botës, duke ofruar qasje në materialet dhe koleksionet e të gjitha bibliotekave kombëtare në interes të hulumtuesve, studiuesve, të zhvillimit ekonomik, arsimor dhe të avancojë mirëkuptimin ndërkombëtar përmes formave të ndryshme të integrimeve kulturore dhe intelektuale.

Anëtarësimi në këtë asociacion më të lartë të Drejtorëve të Bibliotekave Kombëtare të botës është një sukses tjetër i ri i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës në nivelin ndërkombëtar. Gjithsesi, kjo arritje kontribuon edhe në afirmimin dhe zhvillimin e bibliotekarisë së Kosovës në përgjithësi.

 

 

 
» LAJME TJERA ...
 
 
   
» 90 vjet të Bibliotekës Kombëtare tė Shqipėrisė
» Portali Albanologjik "Shqipëri Kosovë"
» Kongresi i 75-të i IFLA-s në Milano tė Italisė
» Biblioteka Evropiane në BKUK
» Sesion bibliotekar me temën SIB Aleph 500
» ...
 
     

 

 
         
         
         

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014