» Portali Albanologjik Shqipëri - Kosovë
         
 

Tiranë, 5 mars, 2011

Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh kulturor midis institucioneve qendrore të bibliotekarisë së dy shteteve dhe duke e mbështetur në Rezolutën e Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë “Shkenca e bibliotekave dhe Albanologjia, më 5 mars 2011 në Tiranë, u nënshkrua Marrëveshja për krijimin e portalit albanologjik Shqipëri-Kosovë. Marrëveshja u nënshkrua nga Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Në këtë ceremoni solemne ishin të pranishëm personalitete të njohura të jetës politike, kulturore e shkencore të Shqipërisë, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, përfaqësues të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës etj.

Duke folur për rëndësinë e krijimit të portalit të përbashkët albanologjik, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ferdinand Xhaferaj, i cili ishte i pranishëm në këtë aktivitet, ndër tjera, tha se me këtë portal të përbashkët ne po krijojmë një hapësirë të unifikuar, e cila u jep mundësi përdoruesve dhe lexuesve përtej dhe këtej kufirit që të kenë qasje në burimet albanologjike.

Në aktet e Marrëveshjes synohet që të dy institucionet do të bashkëndihmojnë në informimin e përdoruesve për bazën kombëtare të të dhënave të dy bibliotekave përkatëse, si dhe të ushtrojnë ndaj njëra-tjetrës të drejtën e shkëmbimeve të informacionit bibliografik të karakterit albanologjik, në radhë të parë, të objekteve të digjituara : dorëshkrime, antikuarë, harta, fotografi, periodikë, etj.

Në këtë drejtim të dy institucionet do të nxisin implementimin e teknologjive të reja të informacionit në proceset dhe shërbimet bibliotekare, ndërsa Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të ofrojë ndihmesën profesionale dhe shkencore për përparimin e procesit të digjitimit në Kosovë nëpërmjet organizimit të seminareve apo veprimtarive trajnuese në Tiranë dhe Prishtinë.

Gjithashtu, përmes kësaj marrëveshjeje të dy institucionet kryesore bibliotekare të dy shteteve, duke u mbështetur në kushtet e shoqërisë së informacionit dhe të teknologjive të reja, do të përshpejtojnë realizimin me sukses të detyrave funksionale që lidhen me rolin e tyre si ndërmjetëse mes dijes albanologjike dhe informacionit të pafund që bartin koleksionet gjegjëse, nga njëra anë, dhe lexuesit që i përdor ato, nga ana tjetër.

Pra, duke u mbështetur në këtë marrëveshje, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës do të bashkëpunojnë me ekipe të caktuara profesionale në krijimin e portalit të përbashkët Shqipëri – Kosovë, i cili do të ofrojë qasje në burime bibliografike: libra, artikuj, harta, dorëshkrime etj., apo burime digjitale të karakterit albanologjik.

Qëllimet dhe objektivat kryesore të këtij projekti të rëndësishëm kombëtar ndërlidhen me përparësitë që mund t’i kenë të dy institucionet për të kontribuar më konkretisht në promovimin e trashëgimisë kulturore të shkruar kombëtare të dy vendeve përkatëse në portale europiane dhe botërore, përmes rrjetit botëror të informacionit.

Promovimi i portalit albanologjik Shqipëri-Kosovë do të bëhet në kuadër të edicionit të nëntë të manifestimit ndërkombëtar :”Java e Bibliotekës në Kosovë” i cili do të mbahet në Prishtinë nga 12-16 prill 2011. Kjo veprimtari organizohet nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe, gjithsesi, është manifestimi kryesor i vitit për bibliotekat në Kosovë.

 

 

 

 
» LAJME TJERA ...
 
 
» Tetor-2016
» Java e Bibliotekës në Kosovë 2015
» Dita Botërore e Librit
» 90 vjet të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë
» Portali Albanologjik "Shqipëri Kosovë"
» Kongresi i 75-të i IFLA-s në Milano të Italisë
» Biblioteka Evropiane në BKUK
» Sesion bibliotekar me temën SIB Aleph 500
 
     
 

 

 
         
         
         

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014