|
Tiranë, 24 janar, 2011
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë u organizua ceremonia përmbyllëse e kremtimit të 90-vjetorit të themelimit të institucionit kryesor bibliotekar të këtij shteti.
Me pjesëmarrjen e personaliteteve më të njohura shtetërore të Shqipërisë, në mesin e të cilëve ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ministra, ambasadorë, shkrimtarë, botues, përfaqësues të jetës akademike etj., u bë përurimi i bibliografisë së librit shqip, e cila përfshin afër pesë shekuj, nga viti 1555 deri 1944.
Kjo bibliografi përbën njërin ndër projektet më madhore të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe më të drejtë është cilësuar ngjarje historike për gjithë botën kulturore shqiptare.
Për botimet “Libri Shqip 1555-1912” (vëllimi I) dhe “Bibliografi e Librit Shqip 1913-1944”( vëllimi II), kumtesat e tyre i paraqitën Nevila Nika, drejtoreshë e Arkivit të Shtetit dhe Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Gjithashtu, u hap edhe ekspozita “Naim Frashëri: një aventurë editoriale 1882-1912.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Aurel Plasari nderoi me medalje të veçanta ”90 vjet Bibliotekë Kombëtare”, në cilat janë të gdhendura fjalët e Naim Frashërit: “Njerinë e ka bërë njeri të mbaruarë gjuha dhe shkronjat. Këto janë të parat’ e mbrothësisë”. Këto medalje të mirënjohjes u krijuan për herë të parë dhe posaçërisht me rastin e këtij përvjetori. Në këtë ceremoni solemne, u nderuan personalitete të jetës politike dhe kulturore: Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë, Ferdinand Xhaferaj, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Flavia Tibalin, drejtoreshë e Institutit Italian të Kulturës, Sherif Delvina, anëtar i Këshillit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare, Bujar Hudhri, botues i “Onufrit” dhe Farfuri Xhaja, specialiste e bibliotekës.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë kanë bashkëpunim të frytshëm në shumë drejtime. Themelimi i përbashkët i Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë në vitin 2006, iniciativa për krijimin e përbashkët të portalit të koleksioneve albanologjike, pasurimi dhe zhvillimi i koleksioneve i të dy bibliotekave kombëtare me interes reciprok, trajnimet profesionale, janë vetëm disa nga fushat e shumta të bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve të rëndësishme të kulturës kombëtare.
|
|

|
|