» Agjensitë Kombëtare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës
         
 
         
» Agjencia Kombëtare e ISBN -së
 
 
 
Sistemi i ISBN-së (Numri Standard Ndërkombëtar i Librit) në nivel ndërkombëtar ka filluar të funksionojë në fillim të vitit 1970. Ky sistem është zhvilluar dhe vijon të zhvillohet, të ruhet dhe të koordinohet vite me radhë nga Agjencia Ndërkombëtare e ISBN-së (http://www.isbn-international.org).

Selia e Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së për disa dekada ka qenë e vendosur në Berlin. Nga viti 2006 kjo agjenci ka ndërruar vend dhe është vendosur në Londër. Tani rreth 160 vende të botës janë të integruara në mënyrë aktive në sistemin e ISBN-së, mes tyre vendeve, që nga viti 2001, gjendet edhe Kosova.

Sistemi i ISBN-së u zhvillua në kohën kur kompjuterët u bënë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm në botë. Një numër i tillë ndërkombëtar ishte zgjidhje ideale në kohën e kompjuterizimit. Kështu, për nevoja të ndryshme në procesin e qarkullimit të librit, në vend që të bëhen përshkrime të gjata bibliografike, është i mjaftueshëm numri me vetëm disa shifra.

Agjencia Kombëtare e ISBN-së funksionon brenda Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Ajo përkrah në mënyrë të vazhdueshme botuesit e Kosovës për integrimin e tyre në sistemin e ISBN-së dhe pajisjen e botimeve të tyre me këtë numër.

Agjencia Kombëtare e ISBN-së:

  • Përkrah pjesëmarrjen në sistemin e ISBN-së në vend;
  • Vendos marrëdhënie bashkëpunimi me botuesit;
  • Alokon identifikuesit për botues dhe mban regjistrin e botuesve dhe identifikuesve të tyre;
  • Informon botuesit për implementimin e sistemit në mënyrë korrekte dhe të përshtatshme;
  • Siguron materiale dhe burime të cilat ndihmojnë në implementimin korrekt të ISBN-së;
  • Informon botuesit për gabimet në përdorimin e ISBN-së;
  • Mban relacione me Agjencinë Ndërkombëtare të ISBN-së në interes të botuesve të vendit;
  • Raporton rregullisht pranë Agjencisë Ndërkombëtare të ISBN-së.
         
» Agjencia Kombëtare e ISMN -së
 
 
 

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës ka krijuar Agjencinë Kombëtare të ISMN-së për Kosovë, e cila funksionon që prej vitit 2003. Agjencia Kombëtare e ISMN-së është anëtare e Agjencisë Ndërkombëtare të ISMN-së:http://www.ismn-international.org/international.html, me seli në Berlin.
ISMN-ja është krijuar për të identifikuar veprat muzikore, ndryshe nga ISBN që mundëson identifikimin e librave dhe materialeve të ngjashme. Duke qenë standard i pranuar ndërkombëtar në ISO (ISO 10957), ISMN-ja përdoret në shumë shtete të botës për të bërë të mundur identifikimin, tregtimin dhe shkëmbimin e veprave muzikore dhe pjesëve të tyre në mënyrë efikase.

Nga një numër 10 shifror, ISMN-ja është shndërruar në numër 13 shifror nga viti 2007. Veprat muzikore në Kosovë, të cilat marrin ISMN, të vëna nga Agjencia Kombëtare e ISMN-së me seli në BKUK, identifikohen me serinë 801950 – 801969. Një numër i plotë i ISMN-së përbëhet nga disa elemente:
Iniciali ISMN, i cili i shtohet numrit të ISMN-së për qëllim dallimi nga ISBN-ja, apo standardet e tjera;

  1. Kodi ndërkombëtar ‘979’;
  2. Kodi ‘0’, i cili zëvendëson shkronjën ‘M’, që është përdorur më herët në ISMN-në dhjetëshifrore;
  3. Numri bazë i serisë, p.sh. ‘801950’;
  4. Numri i identifikimit të njësisë ‘01’, dhe;
  5. Shifra e kontrollit, p.sh. ‘7’, e cila tregon validitetin e ISMN-së.

Duke i bashkuar të gjitha këto elemente të përmendura, fitojmë një ISMN të plotë valide 13-shifrore:

ISMN 979-0-801950-01-7

Veprat muzikore të cilat marrin ISMN përfshijnë:

  • Partiturat;
  • Partiturat miniaturë (për studime);
  • Partiturat vokale;
  • Kompletet e pjesëve;
  • Pjesët individuale;
  • Pop folio-t;
  • Antologjitë e partiturave;
  • Materialet në mediume të tjera, të cilat janë pjesë integrale të një vepre muzikore (p.sh. një shirit i incizuar - kasetë, që është një prej ‘pjesëve’ të një kompozicioni);
  • Tekstet e këngëve ose lirikat e botuara me vepra muzikore (nëse janë në pjesë individuale);
  • Shpjegimet e komentet, të botuara me vepra muzikore (si dhe ato në pjesë individuale);
  • Librat e këngëve (opcionale);
  • Veprat muzikore në mikroformë;
  • Veprat muzikore braile;
  • Veprat muzikore elektronike.

Veprat muzikore të cilat nuk marrin ISMN përfshijnë:

  • Librat që trajtojnë tema muzikore;
  • Incizimet zanore a videot, që qëndrojnë të mëvetësishme (përfshirë edhe incizimet që mund të gjenden në materiale të bëra për kompjuter);
  • Periodikët dhe serialet, si tërësi - për dallim nga vëllimet individuale në seri.

Për të mësuar më shumë sa i përket përdorimit dhe funksionimit të ISMN-së, kliko botimin “ISMN: doracak për përdorues”, ose “Broshurën e ISMN-së”.

Detyrat e Agjencisë Kombëtare të ISMN-së në BKUK janë:

  • të mbajë kontakte me botuesit e Kosovës dhe t’i përfshijë botuesit e rinj në sistem;
  • të mbajë lidhje me Agjencinë ndërkombëtare të ISMN-së në dobi të të gjithë botuesve të Kosovës;
  • të vendosë, në konsultim me organizatat tregtare dhe botuese serinë e numrave identifikues të botuesve;
  • të caktojë identifikuesit e botuesve për ata botues legjitim, të cilët mund t’i bashkëngjiten sistemit të ISMN-së në Kosovë;
  • të mirëmbajnë një regjistër të këtyre botuesve dhe të identifikuesve të tyre të ISMN-së;
  • të ofrojë këshilla dhe ndihmë teknike për botuesit dhe të sigurojë që janë respektuar standardet dhe procedurat e rregullta;
  • të vërë në dispozicion një doracak udhëzues për botuesit;
  • të ofrojë listë të gatshme të numrave të ISMN-së për botues;
  • të informojnë botuesit për ndonjë ISMN dublikate apo jovalide;
  • të caktojë ISMN-në të të gjitha njësive të atyre botuesve të cilët nuk vënë ISMN-në dhe të japin këshilla për caktimin e tyre;
  • të arrijë që të vërë numrat e ISMN-së në të gjithë Kosovën;
  • të vërë lidhje me agjencitë bibliografike si dhe me ato që merren me botimin e listave të materialeve muzikore për shtypjen e ISMN-ve së bashku me titujt të cilat iu referohen;
  • të ofrojë mundësi që botuesit t’u vënë ISMN edhe botimeve të mëhershme, si dhe që të botohen ato në bibliografitë apo listat e caktuara për qëllime tregu;
  • të ndihmojë sistemin tregtar në shfrytëzimin e ISMN-së në sistemin kompjuterik;
  • të furnizojë rregullisht Agjencinë ndërkombëtare të ISMN-së, dhe pa pagesë, me të dhëna të plota për prefikset dhe adresat e botuesve për futjen e tyre në udhëzuesin ndërkombëtar të botuesve të muzikës;
  • të informojë rregullisht Agjencinë ndërkombëtare të ISMN-së për aktivitetet e saj, si dhe për gjendjen momentale të sistemit të ISMN-së në Kosovë, dhe;
  • të kontribuojë financiarisht për mirëmbajtjen e Agjencisë ndërkombëtare të ISMN-së.

         
 


 
» BOTIME TJERA ...
 
 
» Botime të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës
» Revista BiblioLETRA
» Broshura Java e Bibliotekës në Kosovë
» ...
 
     

 

 

 
         

 
     
     
     


All rights reserved by The National Library of Kosova. Copyright © 2014