» NË 72 VJETORIN E BIBLIOTEKËS KOMBËTARE TË KOSOVËS – DHUROHET BIBLIOTEKA PERSONALE E ESAD MEKULIT

     
 
 

Prishtinë, 25 nëntor 2016

Në këtë organizim, në të cilin ishte i pranishëm ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala, veprimtari e shkrimtari i njohur Adem Demaçi, si dhe profesorë, shkrimtarë, dashamirë të artit dhe kulturës, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku shpalosi punën dhe arritjet e Bibliotekës gjatë vitit që e lamë pas. Duke treguar historikun e zhvillimit të Bibliotekës Kombëtare, ai tha se është një rrugë e lavdishme e mijëra njerëzve të Kosovës e të jashtë saj, që përgjatë 72-vjetëve kanë blerë e kanë dhuruar libra e biblioteka vetjake, duke bërë mundin për t’i prurë në këtë bibliotekë, siç edhe një rrugë e lavdishme e qindra njerëzve të punës së ndërgjegjshme të disa brezave punonjësish e specialistësh të bibliotekës, të cilët kanë ruajtur e përpunuar ato si një trashëgimi që sot të ruhet e të trajtohet si pasuri kombëtare shumë e çmuar. Ai tha se kjo bibliotekë e ky koleksion na bëjnë të jemi krenarë për përpjekjen e shumë brezave që kanë punuar për ta zhvilluar atë, por na bën edhe përgjegjës për të punuar, në përpjekjen për ta mëkëmbur atë.
Me këtë rast, përmendi përkrahjen që Biblioteka ka marrë nga Ministria e Kulturës me subvencionimin e të gjitha aktiviteteve që ka organizuar gjatë vitit 2016 dhe shtimin e buxhetit për vitin 2017, për ta ndihmuar bibliotekën në një sërë planifikimesh e projektesh.
Më pas, në këtë ceremoni mori fjalën vajza e poetit Esad Mekuli, Drita Mekuli, e cila me plot krenari e emocion u shpreh: “Kur e mendoj jetën e prindit tim, e shoh një jetë sa të pasur dhe komplekse, aq edhe sfiduese, në një kontekst shumë të vështirë historik, që kërkonte shumë mend dhe mund, që në rrethana të asokohëshme shoqërore dhe politike, në shumicën e kohës antiafirmuese dhe jodashamirëse për popullin shqiptar, si dhe akteve represive dhe agresive në periudha të caktuara, që të gjendet një rrugë, mënyrë, mundësi, e cila do të siguronte progres të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm arsimor dhe kulturor të popullit shqiptar, krahas formave të tjera të rezistencës.” Ajo rikujtoi se bindja e thellë e babait të saj (Esad Mekulit) ka qenë se arsimimi, edukimi, kultura e një populli, janë ato që ia sigurojnë atij prosperitetin afatgjatë shpirtëror dhe ekonomik, njëkohësisht e forcojnë, e lartësojnë, e mbrojnë atë dhe ia sigurojnë një vend të dinjitetshëm në familjen e popujve evropianë. “Unë një bibliotekë e përjetoj si zemër të një populli. Institucionet kulturore, veçmas një Bibliotekë Kombëtare madhështore si kjo e jona, janë shtyllat kryesore e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore dhe mendore të këtij populli për brezat që do të vijnë.” Kjo është arsyeja kryesore që familja e Esad Mekulit ka vendosur që Bibliotekën e tij, bashkë me materiale të tjera në lidhje me jetën dhe veprën e tij, t’ia dhurojë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ky gjest ka një domethënie të jashtëzakonshme për fondin e Bibliotekës, rrjedhimisht edhe për trashëgiminë e ruajtur kulturore të Kosovës.
Kurse, poeti dhe studiuesi i shumë librave, profesor Agim Vinca, foli për krijimtarinë dhe veprimtarinë e Esad Mekulit. Ai tha se rruga jetësore e Esad Mekulit lidhet me Kosovën, me fatin e saj dhe dramën e saj si poet e veprimtar. “Esad Mekuli është një njeri që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare në Kosovë dhe përgjithësisht. Esad Mekuli është para së gjithash poet i cili u identifikua me zërin e popullit të vet”, pohoi Vinca.

 









 
 

Në ceremoninë e 72 Vjetorit, nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, punëtorja e kësaj biblioteke Shqipe Asllani, ka marrë çmimin vjetor Punëtore e Dalluar, ndërsa që janë shpërblyer me nga një dhuratë, punëtorët që janë pensionuar këtë vit Drita Deva dhe Ajnishahe Krasniqi.
Më pas, është çelur ekspozita për 100 vjetorin e lindjes së Esad Mekulit, me eksponate që kanë qenë pjesë të pandashme të punës e të jetës së tij, duke përfshirë edhe fotografi, dorëshkrime të shkruara me makinë shkrimi, dorëshkrime të shkruara me dorë, që familja e autorit i ka sjellë, një koleksion librash autorialë, librash të përkthyer nga Esad Mekuli, si dhe tekste të botuara në gazeta dhe revista, që janë pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Biblioteka e Esad Mekulit do të ketë statusin e Bibliotekës Legatë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe do të mund të vizitohet nga përdorues e njerëz të interesimeve për këtë pjesë të trashëgimisë së ruajtur nga autori.