Skip to content Skip to footer

Ydriz Basha i Novosejt : rezoluta dhe dokumente të tjera

Parathënie

Rezoluta dhe dokumente të tjera, është vëllimi i fundit i përmbledhjes së veprave të autorit Ydriz Basha.

Është një vëllim i veçantë që përmban shumëllojshmëri të dokumenteve që qëndrojnë harmonishëm së bashku. Këto materiale ju japin qasje të drejtpërdrejtë në përmbajtje të dokumenteve zyrtare e jozyrtare, të cilat pasqyrojnë punën dhe veprimtarinë e Ydriz Bashës dhe të bashkëveprimtarëve e bashkëkohanikëve të tij për Kosovën, që janë të vlefshme dhe bindëse për nga vlera e dokumentimit.

Radhitja e këtyre materialeve do të sigurojë që lexuesit të mund të lundrojnë lehtësisht nëpër informacione të ndryshme të dokumenteve apo të përmbajtjeve, duke u ndihmuar atyre në një farë mënyre qasje në materiale që janë publikime të jashtme, si: Rezoluta, Memorandume, Komunikata, ose të brendshme – si Procesverbale, të drejtuara ose të shkëmbyera vetëm për ata që kanë qenë pjesë e këtyre takimeve.

Nga materialet dokumentare të përzgjedhura nga arkiva e autorit, përpunimi i të cilave ka kërkuar një punë këmbëngulëse, janë zgjedhur për t’u botuar këto dokumente, të cilat datojnë nga viti 1981 deri më 1998, sipas kësaj ndarjeje: I. Rezoluta – 5; II. Memorandume – 2; III. Komunikata – 8; IV. Paralajmërime – 1; V. Lajmërime – 2; VI. Njoftime për Shtyp – 4, si dhe VII. Procesverbale – 8.

Kryesisht këto dokumente janë hartuar nga vetë autori, Ydriz Basha, një njeri që i njihte shprehjet e stërholluara të diplomacisë së kohës, por që, gjithashtu, mundohej që të shprehte në mënyrë të thjeshtë ndjenjat dhe aspiratat kombëtare, dhe të vinte në pah çështje të rëndësishme të ndërkombëtarizmit të problemit të Kosovës.

Materiali është paraqitur në këtë formë: dokumentet origjinale, dhe ato të përkthyera në shqip, janë ndarë në kategori, dhe janë renditur në mënyrë kronologjike brenda kategorive, duke shënuar sipër tyre vendin e prejardhjes dhe datën e hartimit, dhe me nga një titull të shkurtër ku vihet në dukje ideja kryesore. Në fund të disa prej dokumenteve kemi vënë fusnota, duke pasur parasysh se informacioni që po shtonim është i rëndësishëm për lexuesin dhe me qëllim që të bëhet më e kuptueshme për lexuesin përmbajtja e dokumentit, dhe rrethanat në të cilat ato dokumente janë hartuar. Në përgjithësi dokumentet janë dhënë të plota, por në disa raste e kemi parë me vend të heqim nga dokumentet pjesë të veçanta (si më rastin e procesverbaleve), duke ruajtur përmbajtjen që paraqet vlera historike dokumentimi.

Këto dokumente që po botohen na japin ide më të qartë mbi aktivitetet e Ydriz Bashës dhe të bashkëveprimtarëve, të cilët kanë vepruar në Belgjikë dhe vende të tjera në dhe jashtë Evropës. Materiali në këtë vëllim e bën të qartë për lexuesin se shoqatat me organizim politik kishin karakter masiv popullor dhe ishin dëshmi e një pune të emigracionit politik shqiptar. Botimi i këtyre dokumenteve ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e lexuesve mbi çështje, të vërtetat e të cilave ndihmojnë lexuesit/studiuesit me interesime të veçanta për t’i kuptuar, njohur e studiuar ato.