Parathënie
Kur u nis puna për përgatitjen e librit shumëvëllimësh të Ydriz Bashës, që përfshin punën shkrimore të tij, kishim në dorë gjithë arkivin e tij që u dhurua me vullnetin e mirë e të pakusht të familjes Basha, bashkëshortes së Ydriz Bashës – Kimete Mitrovica-Basha dhe vajzave të tyre Sarah-s dhe Aurélie-s. Shkrimet e autorit, të publikuara në shtypin e kohës dhe shkrimet e tjera që ishin në dorëshkrim, ishin ruajtur, përpunuar, digjitalizuar dhe gjithë koleksioni i digjitalizuar i qe dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, përfshirë edhe materiale në origjinal. Dhurimi i arkivit të Ydriz Bashës ishte një vlerësim për Bibliotekën Kombëtare. Ishte frymëzuese t’na besohej ruajtja në arkivin e bibliotekës e gjithë materialit dorëshkrimor të Ydriz Bashës. Basha u lind në fshatin Novosej, në një rajon të thellë verior të Shqipërisë, familja e të cilit ishte përndjekur nga regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1949, dhe ishte strehuar në Kosovë – në Ferizaj. Më pas, më 1956, ata patën marrë azil në Belgjikë, ku jetojnë që atëherë. Basha kishte studiuar për mjekësi në Leuven, më pas psikanalizën në Institutin Frojdian në Paris. Emri i tij në Shqipëri është i njohur për luftën e tij në emigracion kundër komunizmit, e – fare pak i njohur në Kosovë për betejën e tij politike e publicistike për Kosovën, të nisur që më 1967 e deri më 2005. Duke e menduar të kryer punën, tash kur po hynim në fazën e kujdestarisë së këtij koleksioni dorëshkrimor, ne, në fakt, posa kishim filluar punën. Po shfletonim me kureshtje gjithë materialin me synim zbulimin e përmbajtjes dhe përpunimin e tyre. Sikur kemi mund me pa, pas leximit, pretendimi ynë nuk po mbeste vetëm në identifikim dhe përpunim të këtyre përmbajtjeve dorëshkrimore. Ato kishin një rëndësi të veçantë për kohën por edhe për aktualitetin e tyre, dhe mund ta kenë edhe sot e kësaj dite. Të rëndësishme për t’u zbuluar e hulumtuar në dritën e vëzhgimeve e të njohjes të një plejade të tërë veprimtarësh që po jetonin e punonin në Bruksel. Në gjithë këtë korpus tekstesh të shkruara në shqip, frëngjisht e anglisht, që i përkisnin formave të ndryshme të pasqyrimit mediatik – zhanresh informuese e analitike, ligjërata, fjalime, intervista, letërkëmbime, rezoluta, procesverbale e shkrime të tjera, temë ishte Kosova dhe ne po mësonim aty për realitetin dhe të vërtetat e Kosovës nga botëkuptimi i një intelektuali dhe atdhetari emigrant, që kishte shkruar për Kosovën. Janë vëllimet: I. Publicistika; II. Ligjërata, Fjalime dhe Intervista; III. Letrërkëmbime; IV. Jehona e Shqipes; V. Rezoluta dhe dokumente të tjera, që përbëjnë një premisë të rëndësishme të njohjes së një veprimtarie të shquar të emigracionit politik shqiptar. Shkrime me natyrë të ndryshme dhe të pasura me trajtimin që i bëjnë çështjes së Kosovës dhe frymës së një zgjimi patriotik të një ndërgjegjeje kombëtare për Kosovën. Leximi zbulon një enigmë të denjë për studim të mëtejshëm. Cili është motivimi që shtyn kaq shumë një emigrant si Ydriz Basha, që lë vendin e tij më 1949, ose si Kimete Xhelal Bej Mitrovica, i ati i së cilës lë vendin e tij Kosovën më 1946, që t’ia kushtojnë gjithë jetën atdheut të vet, duke qenë të angazhuar politikisht për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi dhe çlirimin e Kosovës nga robëria serbe? Cili është motivimi i kolonive shqiptare i brezave të tërë emigrantësh shqiptarë, shkrimtarë, publicistë, politikanë, biznesmenë, punëtorë krahu, ta bëjnë këtë? Mbase në këtë botim edhe në këto vëllime të Ydriz Bashës, do të kërkohet një pjesë e kësaj përgjigjeje. Mbase përgjigjja do të kërkohet në një hetim magjepsës të rrënjëve të identitetit kombëtar shqiptar në një të kaluar të idealizuar që është i rrjedhshëm e po jeton, në një dialog kombëtar mbi zemrën dhe shpirtin e vendit, përballë një kërcënimi të perceptuar. Mbase përgjigjja është se mungesa e përhershme e atdheut e ushqeu një mall të thellë për vendin e vjetër të tij. Lexuesi mëson për fatin e shqiptarëve të Kosovës dhe se si ajo po mbrohej nëpërmjet shkrimeve; si po ndikonte fjala e shkruar në mendimin publik dhe diplomatik jashtë, duke i dhënë një nxitje diplomacisë evropiane që të merrej me çështjen e Kosovës në kohën kur vendi ishte nën qeverisjen e rëndë komuniste. Përmbajtja e shkrimeve po zbulonte se Ydriz Basha ishte njëri nga mbrojtësit më me ndikim dhe më të artikuluar të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës në Evropë, duke u thirrur parimisht në detyrimet e shteteve (më këtë rast të Serbisë) në respektimin e të drejtave të njeriut. Kjo përfshinte një detyrim që nuk mund të refuzohej, prej nga ishte pikënisja e tij për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës. Paraqiteshin në shkrimet e Bashës shumë fakte për Kosovën, qëkur Kosova kishte mbetur në administrimin jugosllav e deri kur u çlirua. Lexuesi do të shihte një spektër të gjerë burimesh, analizash e argumentesh. Në shkrimet e tij lexohen synimet, vlerat dhe emocionet e tij; një reagim e reflektim i mprehtë, i guximshëm dhe intensiv për Kosovën dhe vitet e hidhura të saj nën dhunën serbe; zëri personal për zhgënjimet apo për entuziazmin më rastin e përpjekjeve për ta përhapur të vërtetën për Kosovën; mund të lexohej për kushtet dhe rrethanat në të cilat autori po përpiqej ta informonte opinionin ndërkombëtar për Kosovën; përvojat tipike dhe lidhjet e tij të forta me atdheun; roli i tij me korrespondencat me diplomatë, miq, të afërm etj. Ydriz Basha na paraqitet si publicist kokëfortë për ta bërë të njohur problemin e Kosovës, e thuhet se ishte folës e konferencier i përmendur për frëngjishten e tij plot elegancë e finesë, diplomat i mprehtë atipik që tejkalonte përgjegjësitë zyrtare shtetërore për ta mbështetur Kosovën e për të folur për të. Ai pati mendim politik të kujdesshëm më betejën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Ishte i matur e intuitiv për të kuptuar se kur dhe ku duhet zgjuar vëmendjen e opinionit ndërkombëtar dhe të diplomacisë perëndimore për të reaguar për Kosovën. Ishte kritik e qortues për padrejtësitë e paudhësitë e politikës evropiane ndaj Kosovës. Ishte i ashpër për armiqtë e Kosovës. I zjarrtë kur fliste e vlerësonte portrete e profile figurash kombëtare dhe rolin që luajnë heronjtë në krijimin e një kombi, ndërsa që ai u soll si një individ që kryente misionin tij në formësimin dhe promovimin e ndjenjës së krenarisë si shqiptar. Ishte i bindshëm e me vullnet të fortë patriotik për të bërë thirrje e për t’u prirë demonstratave që organizoheshin në Bruksel e gjetiu. Në portretizimin e figurës së Ydriz Bashës, ne do të shohim komentues nga e majta dhe e djathta që do të përpiqen se si të interpretojnë këtë zë të rëndësishëm të emigracionit politik shqiptar me lëvizjet politike e ideologjike, duke e vënë në lidhje m’një anë. Ndërsa që thuhet se ai mundi ta ndryshonte qëndrimin politik e ideologjik pa ndryshuar kurrë mendim e vënë në dyshim atdhetarinë. Shkrimet e botuara të tij në këtë vepër shumëvëllimëshe, që përfshijnë temën e Kosovës, historinë dhe të vërtetat e saj, përfaqësojnë një model të punës së dokumentimit të trashëgimisë kulturore të emigracionit shqiptar, në të cilin do të mund të lexohet qartë jeta dhe vepra e një emigranti, si dhe shprehja e përgjegjësisë dhe e përkushtimit të tij atdhetar. Është një përpjekje për t’i ruajtur dhe bërë të qasshme për publikun dëshmitë dhe emocionet e asaj të kaluare kaq të veçantë, një marrëdhënie e ngushtë dhe e vazhdueshme e emigracionit shqiptar me Kosovën. Pra, qëllimi i këtij botimi është të plotësojë një nevojë të vërtetë – të kuptohet se çfarë ka bërë emigracioni politik shqiptar për çështjen e Kosovës; më këtë rast nëpërmjet teksteve të autorit/veprimtarit Ydriz Basha, njohim emrat e veprimtarinë e të tjerëve atdhetarë. Kjo është shprehje e ruajtjes dhe ndërlidhjes e kaluar – e tashme – madje edhe e ardhme, mes kujtesës kombëtare. Ky botim është njëri prej fragmenteve të kujtesës së emigracionit politik shqiptar dhe se jo vetëm plotëson kujtesën kombëtare në fushën e botimeve të kulturës së emigracionit, por edhe çel rrugën për njohjen dhe studimin shumëplanësh të kësaj trashëgimie në fushën e përmbajtjes së tyre, tematikës, ndikimit dhe receptimit. Nëse do të ravijëzonim një tablo të kësaj periudhe do të na duhet të theksojmë se, çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj karakterizohet nga vendosmëria për të mos ia ndarë sytë Kosovës, nga zotësia, guximi dhe sakrifica edhe e emigracionit për ta bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur. Në kushtet e një vendi të lirë e të pavarur, institucionet e trashëgimisë kulturore, më këtë rast edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, është në përpjekje për të rrokur të gjitha fushat e jetës shoqërore e mendore, në kushtet kur ato nuk kanë mund të dokumentohen dhe kur kjo trashëgimi ishte e ndaluar të ruhej. Të drejtojmë vëmendjen veçanërisht te autorët dhe temat që kanë qenë të ndaluara dhe që kanë vlera të veçanta njohëse. Këto materiale do të përbëjnë një korpus tepër të rëndësishëm pune e referimi për çdo studiues shqiptar apo të huaj që do të merret me emigracionin shqiptar të kësaj periudhe. Zbulimet e materialeve, shpesh i detyrohen fatit, pa qenë edhe fryt kërkimesh sistematike. Më këtë rast, takimi me Kimete Basha-Mitrovicën, ka qenë fat për ne. Biblioteka ka bërë një punë të kujdesshme gjatë përgatitjes së botimit të veprës, ndaj përmbajtjes së dokumenteve, klasifikimit e strukturimit të tyre; të përkthimit, redaktimit e lekturimit të materialeve të një autori që shkruan frëngjisht e anglisht dhe që, në shqip, me ngulm provon dhe ia del ta shkruajë shqipen edhe pse nga një kontekst kulturor i ndryshëm shumëgjuhësor në rrethanat kur autori fliste e shkruante në disa gjuhë. Në tekstet e tij gjejmë ligjërimin e shkruar e të folur që identifikohet me emrin e autorit, leksikun e tij, fjalë të shqipes së përbashkët, fjalë të përdorura në kushtet e dygjuhësisë, ose huazime të fjalëve të dëgjuara në një krahinë të ngushtë. Pra një koncept i gjuhës së hapur, që pranon edhe normën, edhe variacionin. Gjatë leximit të teksteve, duke iu përmbajtur frymës së shqipes, janë ruajtur konstrukte gjuhësore me të cilat identifikohet gjuha e autorit. Janë ruajtur fjalë e terma të huaj, që i përkasin fjalorit folës e shkrimor të autorit, duke dashur të ndiqet një ecuri e përvijimit që e ka shoqëruar hershëm gjuhën e autorit për nga mjetet e shprehësisë së përdorur. Shihet pasurimi i përmbajtjes së gjuhës me fjalëforma që lidhen drejtpërdrejt me fjalë të veçanta të leksikut popullor, akademik e politik dhe që u shtojnë vlera prirjeve të tij për gjuhën. Materiali është organizuar në një mënyrë të qartë, sipas llojit zhanror publicistik, duke iu dhënë lexuesit në mënyrë metodikisht të strukturuar, sipas kronologjisë, përmbajtjes e zhanrit, me disa referime dhe me një aparat të gjerë ndihmës, të plotësuar me treguesit (indekset) e emrave, që leximi të ketë qasje të shumëfishtë, që janë elemente të rëndësishme të studimit apo njohjes së dukurive apo fateve të veçanta të personave dhe institucioneve. Tekstet janë plotësuar me detaje të caktuara siç janë fusnotat, të pajisura me shënime dhe shpjegime që përkujtojnë e përveçojnë njerëz e ngjarje. Fusnotat janë plotësuar nga bibliotekarët – redaktorë të këtij botimi, për realitetet e ngjarjet në Kosovë, ndërsa që fusnota që kujtojnë protagonistë dhe episode të ngjarjeve të emigracionit shqiptar në Belgjikë, janë plotësuar nga Kimete Mitrovica-Basha, një histori jetësore e emigracionit që znj. Basha e ka ndjekur dhe kuptuar nga afër, duke mbuluar detyra të rëndësishme dhe duke qenë një bashkëshoqëruese e punës dhe e veprimtarisë intelektuale të Ydriz Bashës. Pra, gjenden informacione dhe shpjegime themelore në fusnota, në fillim apo brenda secilit tekst, për t’ia lehtësuar punën lexuesit për atë që lexon. Më këtë rast, ato janë të qarta dhe informative që i duhen dikujt për të identifikuar emrin, kohën, historinë e një çështjeje; që të kalojë lehtë nga një citim i një artikulli, në përmbajtjen e tij. Fusnota përpos ofrimit të informacioni a shpjegimit për lexuesin aktual, që t’i gjejë përgjigjet për pyetjet që mund t’i shtrojë, është edhe për lexuesin që do të vijë më vonë, për shkak të kujtesës së kalueshme e të harresës. Patriotizëm tani është të vlerësojmë guximin e bashkatdhetarëve tanë, të cilët kishin emigruar atje, kishin punuar tërë jetën për Kosovën; të vlerësojmë zellin e tyre, durimin e tyre, mikpritjen e tyre, mirësinë e tyre, duke respektuar punën dhe veprën e secilit prej tyre që është një pjesë jona e trashëgimisë. Gjëja më e rëndësishme është ta kthejmë vëmendjen kah kjo trashëgimi kulturore e emigracionit, të njerëzve që morën arratinë me ndjenjën e njerëzve të përzënë e të braktisur, ndërsa që ata nuk braktisën dot vendin e tyre me mendje e zemër. Puna dhe veprimtaria e tyre duhet të ruhet. Ata duhet të kujtohen e të përkujtohen në atdheun e tyre. Mërgimtari që ka jetuar e punuar gjithë jetën e vet për vendin amë, duke qenë një ëndërrimtar, duhet të kujtohet e të respektohet. Në këtë nismë, sa më shumë që të vonohemi, mbledhja dhe dokumentimi i kulturës së emigracionit shqiptar do të jetë i mangët, e një ditë mund të mos ketë mbetur më asnjë relike e atyre që nuk jetuan në kohën tuaj. Pra, halli është që ajo që është krijuar, nëse nuk mblidhet e ruhet, lehtë bëhet e shkatërrueshme. Herë pas here, pak e nga pak, mund të punojmë për mbledhjen dhe dokumentimin e kësaj kulture dhe nuk është një punë rraskapitëse nëse ajo është e shtrirë mbi një organizim, komunikim e mirëbesim midis bibliotekave, arkivave dhe individëve e familjeve që ruajnë pjesë të kësaj trashëgimie. Kushedi sa veprimtarë e familje të tyre mund të kenë ruajtur dëshmi të punës e veprës së tyre për Kosovën. Ky botim do të mund të gjejë vërtetimin e plotësimin më botime të tjera, që meritojnë të përgatiten pasi të jetë gjurmuar e mbledhur materiale që dokumentojnë veprimtarinë atdhetare të autorëve e veprimtarëve të tjerë të emigracionit shqiptar.