Skip to content Skip to footer

Ydriz Basha i Novosejt : ligjërata, fjalime dhe intervista

Parathënie

Vëllimi Ligjërata, Fjalime dhe Intervista thekson karakterin personal dhe vlerat diturore dhe atdhetare të Ydriz Bashës në detyrën dhe misionin për të mbrojtur çështjen e Kosovës, duke prezantuar vendosmërinë e tij për t’u kujdesur me zellin e një intelektuali, para forumeve ndërkombëtare për të drejtën e Kosovës për vetëvendosje.

Ydriz Basha u ftua për të mbajtur ligjërata dhe fjalime në konferenca, simpoziume, seminare, që trajtonin aspekte të ndryshme të politikave evropiane, përfshirë veçmas ato në të cilat trajtohej problemi i Kosovës, dhe ne po i përfshijmë leksionet e tij të përmbledhura në këtë vëllim. Këto veprimtari në të cilat e shpalosi qëndrimin e vet z. Basha, janë mbajtur në Paris, Bruksel, Stamboll, Tournai, Frankfurt, Namur, Bon, Nju Jork, Tiranë e Strasbourg.

Ligjëratat e tij inkurajojnë me argumentin intelektual dhe aftësinë për të prezantuar para forumeve ndërkombëtare të drejtën e Kosovës, problem që e trajtonte në përputhje me vlerat e deklaruara të Perëndimit dhe vlerat që, në aktualitetin e atëhershëm, kishin politikat e jashtme të vendeve evropiane. Është kjo koha e vlimeve të mëdha politike, kryesisht e dy dekadave të fundshekullit XX, në Evropën Lindore, veçanërisht në ish-Jugosllavi e në Kosovë, kur përpjekjet e qytetarëve brenda kampit komunist tregonin fuqishëm shkëputjen nga regjimet totalitare dhe përqafimin e vlerave të demokracive të vendeve perëndimore. Koha kur mërgata shqiptare, më këtë rast edhe mërgata në Belgjikë, punonte pareshtur duke lobuar për Kosovën. Ata po angazhoheshin për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës përmes protestave, konferencave, shkrimeve e korrespondencave të ndryshme, duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për të mbështetur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Njëri prej tyre ishte Ydriz Basha, i cili gëzonte respekt në qarqe të caktuara me ndikim të vendeve perëndimore dhe pati mundësinë ta përfaqësojë Kosovën në konferenca e simpoziume të ndryshme ndërkombëtare.

Fjalimet e Ydriz Bashës kanë për fokus tema – herë gjithëpërfshirëse dhe – herë specifike, për Kosovën, por dhe – fjalime që u kushtohen ngjarjeve apo personaliteteve të njohura kombëtare. Fjalimet e tij karakterizohen nga një vetëdije historike kombëtare, një fuqi retorike bindëse, që përfshin jo vetëm dëshmi, por edhe emocion.

Duke parë dallimin midis ligjëratës, fjalimit dhe intervistës, ato janë ndarë në kapituj të veçantë për t’i veçuar, më këtë rast, llojet e duhura të të folurit publik. Në këtë vëllim janë përfshirë nëntë ligjërata të mbajtura në konferenca, simpoziume dhe seminare ndërkombëtare; gjashtë fjalime ceremoniale (prej tyre katër fjalime ceremoniale festive dhe dy fjalime ceremoniale mortore); tri fjalime në demonstrata; një fjalim në kuvend partie; një fjalim në Parlamentin Evropian dhe një konferencë për shtyp në Parlamentin Evropian.

Ligjëratat dhe intervistat janë shoqëruar me shënimet mbi autenticitetin e teksteve, duke përfshirë datën, vendin, subjektin, temën që përmbanin, duke inkorporuar, gjithashtu, fusnota për të dhënë informacione shtesë, me karakter shpjegues dhe plotësues për persona, vende, organizata të ndryshme, akronime etj. Ndërsa në kapitullin Intervista, janë përfshirë intervista që Ydriz Basha i ka dhënë shtypit ndërkombëtar dhe shqiptar gjatë periudhës 1981 – 1999. Ky kapitull përbëhet prej gjashtëmbëdhjetë intervistave dhe një përmbledhjeje që del prej konferencave për shtyp, që hedhin dritë mbi realitetin në Kosovë, në kohën kur vështirë po depërtonte informacioni për ngjarjet në vendin tonë, pasi ishte kjo koha kur kishte një ndikim të jashtëzakonshëm propaganda e autoriteteve jugosllave.

Intervistat e Ydriz Bashës të realizuara në shtypin belg, francez, amerikan e shqiptar, janë renditur në mënyrë kronologjike, që lexuesi ta ketë të njohur frymën që kanë përcjellë intervistat nëpër kohë dhe rrethana të ndryshme. Po përmendim këtu intervistat në periodikun belg, si: La Dernière Heure, Le Soir, La Libre Belgique; periodikun francez: Droits de l’Homme; periodikun amerikan: The Wall Street Journal; periodikun e Shqipërisë: Bashkimi, Opinioni, Koha Jonë, Dita; periodikun e Kosovës: Zëri. Për të ofruar një pasqyrë më të qartë rreth intervistave të përzgjedhura, si dhe me qëllim ofrimin e informacionit rreth medies që përmes intervistës me Ydriz Bashën ka arritur të trajtojë çështje të rëndësishme të kohës, tekstet janë pasuruar me fusnota si: titulli i gazetës ku ishte botuar intervista, titulli i intervistës në origjinal, emri i gazetarit që e kishte realizuar intervistën, data dhe viti i botimit etj. Në disa nga këto fusnota, lexuesi mund të kuptojë se si ishte paraqitur realiteti kosovar nga shërbimet jugosllave, si janë dhënë informacione të paverifikuara, të cilat kanë ndikuar në shpërndarjen e dezinformatave në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar, për të mos nxjerrë në pah të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët. Në këtë kapitull, nuk përfshihen të gjitha intervistat e Ydriz Bashës dhënë medieve, por veç ato që trajtojnë çështjen e Kosovës, duke veçuar, më këtë rast, në disa nga intervistat e plota, vetëm pyetjet dhe përgjigjet për Kosovën.

Nga një perspektivë koherente e teknikave të rrëfimit publicistik, ky vëllim si një, si alternativë ndaj librit, ka bërë bashkë ligjërata, fjalime e intervista, duke qenë një burim i vlefshëm dhe i larmishëm i betejës për të vërtetën për Kosovën që e udhëhoqi Ydriz Basha.