Skip to content Skip to footer

Ydriz Basha i Novosejt : letërkëmbime

Parathënie

Letërkëmbime është vëllimi i tretë i kompletit të veprave të Ydriz Bashës.

Vëllimi përfshin veprimtarinë epistolare të autorit, e cila është përzgjedhur sipas tematikës: vetëm ajo ku flitet për Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës, që ishte parim i përgjithshëm i përzgjedhjes së dorëshkrimeve për botim.

Letërkëmbime përfshin korrespondencën e Ydriz Bashës me personalitete të njohura të medieve, diplomacisë, politikës dhe jetës publike të botës perëndimore e sidomos asaj frankofone, si dhe me personalitete të mërgatës shqiptare, gjatë një periudhe pothuajse dyzetvjeçare, që nga viti 1967 deri më 2005.

Epistolari Letërkëmbime, në themelet e tij, në njërën anë, shpalos marrëdhëniet korrespondente të Ydriz Bashës me personalitete të shquara të opinionit ndërkombëtar, si një dëshmi e evidentuar e rolit dhe kontributit të tij, në përpjekjen e krijimit të një fryme më afirmative ndaj çështjes së Kosovës, në një periudhë historike të vështirë për shqiptarët e Kosovës – si punë e ditëpërditshme dhe, në anën tjetër, shpërfaq kontributin e drejtpërdrejtë të tij, në organizimin e aktiviteteve të mërgatës shqiptare, në Belgjikë, në shenjë solidarizimi me shqiptarët e Kosovës. Pjesa dërrmuese e letrave të këtij epistolari janë përkthyer nga gjuha frënge. Disa sosh janë transliteruar dhe nga një përzgjedhje e kujdesshme, disa prej tyre, janë paraqitur si dorëshkrime me shkrim dore, në shtojcën e vëllimit.

Letërkëmbime është përzgjedhje prej 155 letrash dhe është konceptuar nga ana strukturore e ndarë në dy kapituj: 1. Basha Letërdërguesi (107) dhe 2. Basha Letërmarrësi (48). Kapitujt ndahen në kategori, nënkategori dhe nën nënkategori letrash. Kategoritë dhe ndarjet e tyre janë strukturuar sipas parimit kronologjik dhe sipas funksionit apo përfaqësimit institucional të subjekteve, të cilëve u janë drejtuar apo nga të cilët janë pranuar letrat. Ndërsa, ndarjet e tjera të kategorive janë strukturuar duke pasur parasysh numrin e letrave drejtuar dhe pranuar nga një institucion ose subjekt përfaqësues; dy apo më shumë letra ndërtojnë një nënkategori apo një nën-nënkategori.

Kapitulli i parë: Basha Letërdërguesi, që është njëherësh edhe kapitulli më i madh, ndahet në tetë kategori letrash: 1.1. Letra drejtuar medieve dhe përfaqësuesve të tyre; 1.2. Letra drejtuar ambasadorëve; 1.3. Letra drejtuar përfaqësuesve politikë; 1.4. Letra drejtuar përfaqësuesve të OKB-së dhe të organizatave të tjera politike; 1.5. Letra drejtuar përfaqësuesve të pushtetit lokal; 1.6. Letra drejtuar organizatave joqeveritare; 1.7. Letra drejtuar përfaqësuesve publikë; 1.8. Letra drejtuar bashkatdhetarëve.

Gjithashtu, edhe kapitulli i dytë: Basha Letërmarrësi, ndahet në tetë kategori letrash me emërtime të njëjta, por me funksion të anasjellë të këmbimit. Në kapitujt: 1. Basha Letërdërguesi dhe 2. Basha Letërmarrësi, disa kategori ndahen në nënkategori, ku disa sosh, po ashtu ndahen në nën-nënkategori: ky shkallëzim ndarjesh jep një pamje të qartë të korrespondencës së Ydriz Bashës me personalitete të larta të fushave të ndryshme publike, që njëkohësisht shpërfaq edhe diagramën e relacioneve të tij me një numër të madh të tyre, veçanërisht me: Gérard Israel, Otto von Habsburg, Edouard Van Velthem, etj.

Gjithnjë, duke pasur parasysh gamën e gjerë të protagonistëve në këtë epistolar, kemi ndjekur një parim kyç, tejet të rëndësishëm, i cili gjithashtu është ndjekur në të gjitha vëllimet e këtij kompleti: pasurimin e letrave me fusnota biobibliografike dhe shpjeguese, për të dhënë ndonjë shpjegim plotësues dhe, për arsye të tipologjisë dhe funksionit të letrave, pjesa më e madhe e fusnotave mëtojnë ta njoftojnë lexuesin me të dhëna bazike rreth subjekteve dhe institucioneve përkatëse, si dhe relacioneve të tyre të ndërsjella me autorin.