Parathënie
Jehona e Shqipes: disa mendime; disa kujtime
Është e vështirë të përshkruaj emocionin që ndiej kur mendoj për vitet e para të Jehonës së Shqipes. Mendoj për fillimet modeste, por emocionuese. Mendoj për ndeshjen me historinë dhe qëllimin që na dha energji neve që qemë aty në fillim. Mendoj për miqësitë që u kultivuan midis grupeve të vogla të burrave dhe grave që nisën së bashku të bënin realitet një ëndërr, dhe krenarinë që ndiemë duke ditur se kishim kapërcyer sfida të panumërta – financiare, personale, ideologjike – për t’i bërë vend programit tonë radiofonik vendas në peizazhin politik dhe social të diasporës në Evropë dhe më gjerë.
Që nga transmetimi i tij i parë më 16 shkurt 1986, kur Sakip Skepi, Ydriz Basha, Avni Islamaj, Ali Islamaj, Naim Likaj, Durak Duraku dhe Gani Sheta u mblodhën të stresuar në studion modeste të Radio Panik në Bruksel për të nisur programin e tyre javor në radio, Jehona e Shqipes është vënë si një “institucion” në diasporë por edhe në mjedisin mediatik belg.
Ishte dhe mbetet, Zëri i Shqiptarëve të Lirë, edhe nëse ajo që nënkupton kjo sot është krejt ndryshe nga ajo që nënkuptonte në vitin 1986 kur shqiptarët në Kosovë ishin ngarkuar me barrën mizore të shtypjes së dhunshme dhe shqiptarët e Shqipërisë po mbyteshin nën peshën e paranojës hermetike të Enver Hoxhës dhe realitetet e saj ndëshkuese në jetët e tyre të izoluara.
Grupi i burrave, të cilët rrinin pezull rreth mikrofonave dhe mjeteve teknike për të cilat nuk dinin pothuajse asgjë, ishin sa të tensionuar aq edhe të frikësuar. Ata e dinin se po rrezikonin. Në fakt, ata po rrezikonin shumë: të talleshin për mungesën e përvojës dhe të rinisë, të talleshin për ambicien e tyre, të viheshin në shënjestër të kritikave për gabimin më të vogël dhe të merreshin për arrogantë që s’flisnin në emër të askujt përpos tyrin. Kështu, ata u drodhën pak kur Sakip Skepi lansoi siglën muzikore tashmë të njohur në orën 15:00 të asaj të diele dimri. Ata nuk e dinin atë atëherë, por ky grup idealistësh të rinj po hynte në një aventurë që do të kontribuonte në historinë e diasporës në mënyrë transformuese. Atë ditë disa prej tyre takoheshin për herë të parë. Sakip Skepi i kishte bashkuar: ai ishte hallka që i bashkonte. Ai ishte ngjitësi dhe motori që i kishte drejtuar për në studio dhe në sfidën që kishin pranuar. Nuk kishte qenë një detyrë e lehtë. Ai ishte takuar me opozitë gjatë gjithë rrugës dhe kritikët e tij madje e kishin akuzuar se ishte i lidhur me Sigurimin.
Ai ngulmoi dhe, kur ia doli të bindë Ydriz Bashën të drejtonte ekipin, të bëhej “zëri” i Jehonës së Shqipes, ua mbylli gojën të gjithëve. Menjëherë pas transmetimit të parë, Kimete Mitrovica iu bashkua ekipit dhe, duke bërë kështu, theu një tabu të fuqishme në botën konservatore, patriarkale të komunitetit shqiptar të mërguar në Bruksel, duke i dhënë zë një gruaje në sferën publike. Gjërat po ndryshonin në botën konservatore të diasporës shqiptare në Bruksel.
Çdo të diel, i gjithë komuniteti mblidhej rreth radiove të tyre për të dëgjuar njoftimet publike, muzikën, editorialet e Ydriz Bashës dhe lajmet nga Kosova, Shqipëria dhe bota. Në kohën kur ngjarjet historike të vitit 1990 shpërthyen në skenën botërore, Jehona e Shqipes u ankorua me sukses në jetën shoqërore dhe kulturore të komunitetit shqiptar që jetonte në Belgjikë dhe në Francë. Ishte gati të merrte rolin më të madh që po i ngarkonin ngjarjet e jashtëzakonshme.
Historia po ecte shpejt pas rënies së Murit të Berlinit: Blloku Sovjetik po shpërbëhej, sistemi hermetik politik i Shqipërisë po rrënohej. Jehona e Shqipes, me gatishmëri dhe me zotësi, u mor me ndryshimet dhe u bë, në një farë mënyre, pjesëmarrëse në këto ndryshime. Për shembull, Ydriz Basha përdori valët e radios për të komunikuar drejtpërdrejt me Ramiz Alinë në një apel që mbërriti në Tiranë. Menjëherë pas kësaj, Partia Demokratike e kontaktoi për të kërkuar ndihmë në përgatitjen e zgjedhjeve të para. Në shkurt të vitit 1991, anëtarët e delegacionit të parë të Partisë Demokratike, të ftuar të familjes Basha në Bruksel, u intervistuan në studiot e Jehonës së Shqipes në të parën nga qindra intervista me zërat kryesorë në kuadër të transformimit të thellë që po ndodhte në Shqipëri, e më vonë edhe në Kosovë.
Deri në fund të atij viti të rëndësishëm, Jehona e Shqipes ishte kthyer në një urë lidhëse midis diasporës politike që jetonte në mërgim që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe lidershipit politik antikomunist në Shqipëri. Gjatë gjithë kësaj kohe veprimi dhe reagimi, me luftën në ish-Jugosllavi, e cila kulmoi me shpërthimin e konfliktit në Kosovë në vitin 1998, Jehona e Shqipes bashkoi komunitetin rreth një kauze të përbashkët: mbështetjen e shqiptarëve të Kosovës në kërkim të lirisë. Bota e shqiptarëve ka ndryshuar thellësisht dhe, fatmirësisht, që nga viti 1986. Sot, jemi të lirë, të gjithë ne. Sfida jonë tani është të menaxhojmë dhe të ndajmë mes vete premtimet që na i dha liria dhe në këtë, ka zërin edhe Jehona e Shqipes.
Shpresoj që të kumbojë për një kohë shumë të gjatë: ishte e nevojshme më 1986 dhe është e nevojshme sot.
Kimete Mitrovica-Basha