Dr. ETLEVA DOMI
Zv. drejtore e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë
Abstrakti
Kumtimi paraqet një panoramë të koleksionit të shtypit arbëresh që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, si dhe ndihmesën e specialistëve në përpunimin dhe qasjen online të tij. Nga një shpërfaqje e koleksioneve të këtij shtypi, numërohen gazeta dhe revista, që datojnë prej vitit 1848. Në të përshkruhen organet më të zëshme të shtypit arbëresh, si: Shqiptari i Italisë, Fiamuri Arbërit, Arbri i Ri etj., të drejtuara nga personalitete, si: Jeronim De Rada, Zef Skiro, Anselmo Lorekio etj.; pasqyrohet puna e kujdesshme e bibliografëve në përpilimin e botimeve të ndryshme bibliografike, si dhe strategjia digjitale e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, e cila synon digjitimin e informacionit bibliografik dhe koleksioneve të shtypit, përfshirë veprimtarinë botuese të arbëreshëve të Italisë.
Fjalët kyçe: Shtypi arbëresh; Arbëreshët e Italisë; Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë; Strategjia digjitale; Koleksionet bibiotekare.
Nga një shpërfaqje e shpejtë e koleksioneve të shtypit arbëresh që gjenden në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, gazetat dhe revistat e arbëreshëve të Italisë datojnë prej vitit 1848. Mund të thuhet me gojëplot që historia e shtypit arbëresh është pjesë e historisë së shtypit shqiptar dhe zanafillën e ka tek arbëreshët e Italisë, ku tri organet emërmëdha të De Radës : « L’Albanese d’Italia”, “Fiamuri Arbërit” dhe “Arbëri i ri” hodhën themelet e tij.
Ndër koleksionet e shtypit të arbëreshëve të Italisë, të ruajtura me shumë kujdes në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, renditen një mori organesh, të regjistruara, të kataloguara, të organizuara, të përpunuara, ku dallohen organet kryesore « të zëshme » të këtij shtypi, disa prej të cilëve do i përmend shkurtimisht:
Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), që arbëreshi i shquar De Rada nxori më 23 gusht të vitit 1848 në Napoli, ku u shkrua, sado pak shqip (në të folmen e arbëreshëve të Italisë së Jugut) dhe u botuan vepra letrare në gjuhën e lashtë amtare të autorëve arbëreshë » . Për vlerat që bart si organi i parë i shtypit arbëresh, koleksioni i plotë është tanimë përduarsh për komunitetin shkencor e kulturor shqiptar, edhe si riprodhim anastatik në letër e variant elektronik = sjellë falë përkujdesjes së një prej ikonave të botës arbëreshe Prof. Francesco Altimarit.
Fiamuri i Arbërit (La bandiera dell’Albania), dalë më 20 korrik 1883, nën kujdesin e një komiteti zotërinjsh nga Shqipëria dhe kolonitë e tyre, me drejtor përgjegjës De Radën, në gjuhën shqipe (arbërisht) dhe italisht, duke u bërë me të vërtetë një flamur që përhapi në gjith’ Evropën zërin e nacionit shqiptar » , mirëpritur edhe nga personalitetet kulturore të kohës.
Arbri i Ri (La giovane Albania), botuar në Palermo më 31 mars 1887 me nismën dhe nën drejtimin e poetit arbëresh Zef Skiroi dhe bashkëpunëtorit të tij Françesk Stasi Petta, si dhe Ili i Arbresvet (La stella degli albanesi), botuar në Kozencë nën drejtimin e Antonio Argondica më 1 gusht 1896.
Kombi shqiptar (La Nazione Albanese), me moton “Shkiperia avanti!», botuar më 15 janar 1897, me drejtor publicistin arbëresh Anselmo Lorekio, një ndër aktivistët më të shquar të lëvizjes kulturore e politike të arbëreshëve të Italisë në lidhje me çështjen shqiptare. Në të gjenden: dokumente, memorandume, thirrje, telegrame, peticione, relacione, deklarata, raporte e artikuj të botuar më vonë prej tij edhe në revistën Shqipëria, që doli në periudhën 1919-1923 etj.
Në këtë koleksion shtypi ruhen edhe organe të tjera, – ku spikatin shkrimet e korifejve arbëreshë, – si: Shqipëria e Re, botuar në Napoli; Flamuri i Shqipërisë drejtuar nga Zef Skiroi; Revista e Ballkanit me drejtor përgjegjës Terenc Toçin; Pasqyrë italo-shqiptare, botuar në Palermo nën drejtimin e Rozolino Petrotës, i cili synonte “të kontribuonte që të bëheshin përherë e më të forta dhe përherë e më të sinqerta lidhjet e miqësisë dhe solidarësisë vëllazërore mes popullit italian dhe popullit shqiptar” ; Kronika italo-shqiptare, botuar në Palermo më 20 janar 1926 nën drejtimin e Francesco Matrengës etj., duke mos lënë pa përmendur edhe disa organe të rëndësishme të botës së arbëreshëve të Italisë, që nisën të lulëzonin në qytezat arbëreshe pas Luftës së II-të Botërore, si: “Lajmëtari i Shqipërisë”, «Zjarri», «Katundi ynë », «Lidhja», «Vatra jonë », « Zëri i arbëreshvet/La voce degli italo-albanesi » apo « Mondo Albanese ».
Një pjesë e koleksioneve të organeve të shtypit arbëresh të lartpërmendura, ofrohen tanimë edhe në variantin digjital. Gjithashtu, shkrime të shumta të botuara mbi to, gjejnë pasqyrim në botime bibliografike të periodikut korrent apo retrospektiv, të përgjithshme apo tematike, në format tradicional (letër) dhe elektronik, që janë mjete të fuqishme për studime e kërkime shkencore.
Mbështetur në politika digjitale të mirëdrejtuara, procesi i digjitimit të koleksioneve të shtypit, që mundëson qasjen e tyre nga kudo, në çdo kohë e për cilindo, përbën një prej prioriteteve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Falë projektit madhor “Ngritja e sistemit të digjitalizimit të Bibliotekës Kombëtare”, (në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit), me potencialin për të sjellë shpejt një revolucionarizim të vërtetë të shërbimit ndaj lexuesit, si dhe përpjekjeve të vijueshme institucionale kulmuar në periudhën e pandemisë COVID-19, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u ka ardhur në ndihmë përdoruesve internetistë nëpërmjet disa rubrikave të reja në faqen zyrtare të saj (www.bksh.al).
Koleksioni i revistave të botuara në shqip numëron 118 tituj, përfshirë edhe organe të shtypit të diasporës të arbëreshëve të Italisë, pajisur me metadata, që mund të shfletohen lehtësisht online, në rubrikën “Biblioteka digjitale”/“Periodikë” në faqen zyrtare të Bibliotekës Kombëtare.
Po ashtu, në rubrikën “Bibliografi” nëpërmjet informacionit të përcjellë nga korpusi bibliografik “Bibliografia e artikujve të periodikut shqip 1912-2004”, çdokush ka tanimë qasje në 92.674 faqe, mundësuar nga armata e bibliografëve “të heshtur” e shumë “të kujdesshëm”, të cilët kanë regjistruar, përpunuar, organizuar mijëra artikuj, që nëpërmjet larmisë së indekseve, – urëlidhëse “magjike” mes bibliografisë dhe përdoruesve, – i orientojnë ata në kërkimin bibliografik.
Sot për të gjithë ne shtrohen pyetjet:
A mos duhen shtuar kërkimet bibliografike për pasurimin dhe plotësimin e koleksionit të shtypit të diasporës në bibliotekat tona kombëtare?
A mos duhen shtuar përpjekjet për më shumë qasje online në to?
Në kushtet e paplotësisë të koleksionit të shtypit të diasporës, natyrisht që PO.
Ka ardhur koha që hulumtimet kërkimore-shkencore të jenë pjesë e strategjive të bibliotekave tona kombëtare duke bashkëpunuar për zhvillimin e koleksioneve të shtypit të diasporës, duke përdorur të gjithë “arsenalin” bibliografik që mjedisi digjital na ofron sot, pasi bibliotekat mbeten bartëset më të mëdha të kulturës dhe historisë së një shoqërie, në të cilën ato kanë një rol vital jetik.
Kur bibliotekat po transformohen çdo ditë e më shumë nga “fole” konservatore të kujtesës dhe trashëgimisë në qendra fleksible informacioni, kur misioni i bibliotekës digjitale në kohën e globalizimit është që të sigurojë qasje të pakufizuar për lloje të ndryshme të burimeve të informacionit në botë, edhe bibliotekat tona duhet të mundësojnë qasje sa më të madhe në trashëgiminë kulturore shqiptare nëpërmjet rrjetit global të informacionit, madje qasje në portale që të flasin edhe shqip.
Këtë shkrim po e përfundoj me një thënie të James Billington-it , i cili na kujton që “Liria dhe shoqëria demokratike kanë lindur në kulturën librore dhe pa to kultura nuk mund të mbijetojë. Për këtë arsye ne e konsiderojmë si mjaft të rëndësishëm integrimin e një bote të re të dijes dhe komunikimit elektronik në kulturën librore tradicionale, ku bibliotekarët janë ruajtësit më besnikë të tyre ”.
Bibliografi
Çabej, Eqrem. Në botën e arbëreshëve të Italisë, botimi i dytë i plotësuar, përgatitur nga Matteo Mandala, Tiranë : «Çabej », 2014.
Petrota, Gaetano. Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë : «Almera », 2008.
Zelka, Luan. Në mbrojtje të kombit : Shtigjeve të shtypit të Rilindjes (përmbledhje studimesh), Tiranë : «Toena », 1999.