Skip to content Skip to footer

Përkujtim për Aleksandër Moisiun (2 Prill 1879 – Mars 1935)

SYLË MUJAJ

Themelues dhe kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Aleksandër Moisiu”, Lugano-Zvicër

Aleksandër Moisiu, vigan i skenës teatrore evropiane dhe botërore, një ndër artistët më të mëdhenj shqiptar, prehet përjetësisht, e për t’u përhapur pastaj valë-valë si shprehje e gjallë e nderimit që kanë shqiptarët kudo që jetojnë dhe punojnë për veprën madhore të këtij artisti të shumëvlerësuar.

Aktori ynë i madh, Moisiu, nëpër kryeqytete të ndryshme të botës, përpara miliona artdashësve, përcolli autorë, personazhe dhe ide të mëdha. Ai gjithmonë, në betejat e artit e të jetës, u ndodh në krah të forcave intelektuale progresive, e në kohë të turbullta e të ngarkuara me rreziqe, zëri i tij u bë kambanë zgjimi dhe ndërgjegje artistike e epokës së vet.

Ndërkaq, ne, duke mbajtur gjallë nderimin për të dhe duke ndriçuar e sjellë në ditët tona, sot e në të ardhmen, dëshmi dhe gjykime të reja, rivlerësojmë traditën, figurat përfaqësuese, identitetin tonë kulturor me fytyrë evropiane.

Përderisa Moisiu ia dha talentin Evropës sepse ajo kishte kapacitet dhe nevojë për ta shfrytëzuar talentin e tij, ai nuk e harroi asnjëherë Shqipërinë, këtë vend të vogël, por që teatrit evropian ia dha një gjeni me temperament të jashtëzakonshëm. Ky artist i madh i fali artit botëror gjithë fuqinë e talentit të tij, duke u bërë kështu pararendës i integrimeve artistike evropiane, një zë bashkimi pa kufi.

Duke qenë se arti dhe artisti paraprijnë, përhapin vlera estetike që lartësojnë njeriun, frymën ringjallëse të dashurisë, vëllazërimit dhe të mirëkuptimit midis popujve, jo rastësisht, për figurën e Moisiut u shkruan shumë libra e u bënë studime për veprën e tij artistike nga autorë shqiptarë e të huaj. Pikërisht kjo është mënyra më e mirë me të cilën Moisiu do të kishte dashur të nderohej – me punë.

Si shenjë kujtimi nga 32 vite të mërgatës sime pranë Moisiut.

Vlerësimi për një artist siç ishte Moisiu mbetet një nga përgjegjësitë më të theksuara që duhet t’i kemi ne, populli i tij shqiptar. Njëjtë, ne nuk duhet të mjaftohemi me përpjekjet tona që emri i këtij gjeniu të teatrit botëror, e sidomos të këtij bashkëkombësi që e ngriti shumë lart emrin e shqiptarit, të përcillet gjeneratë pas gjenerate dhe të mos e humbë asnjëherë shkëlqimin e merituar.

Të nisur pikërisht nga kjo ndjenjë përgjegjësie dhe krenarie, së bashku me disa shqiptarë nga Kosova, në kujtim të veprës së këtij artisti të madh, krijuam në Lugano, për gjithë shqiptarët e Kantonit të Ticinos, Klubin e Shqiptarëve me emrin kuptimplotë “Aleksandër Moisiu”.

Kjo Shoqatë u krijua për t’i mbajtur të bashkuar shqiptarët në këtë Kanton, si dhe për t’i edukuar shqiptarët e moshave të ndryshme me ndjenjën për traditën kulturore kombëtare.

Krijimi i kësaj Shoqate në vitet e 90-ta, tërhoqi vëmendjen e shtypit, kinostudiove, si dhe të televizioneve të ndryshme të asaj kohe. Ndër ta ishte edhe televizioni shqiptar Alba-film, që në vitin 1994, në bashkëpunim me ne, realizuan një emision kushtuar figurës së Moisiut të madh. 

Në këtë emision dhanë kontributin e tyre njerëz të shquar të shkencës dhe artit të Ticinos, si shkrimtari i shquar zviceran, Aliati, prifti Michele, si dhe disa njohës të veprimtarisë së Moisiut. 

Për ta përkujtuar e respektuar veprën e tij, më 17, 18 dhe 19 mars 1994, ishin organizuar tre manifestime në nivel të simpoziumeve ndërkombëtare, ku të mëdhenjtë e kulturës e të artit të një populli të tërë, ishin mbledhur për të përkujtuar e respektuar veprën e ndritur të këtij gjiganti të teatrit. Në këto manifestime u mblodhën dhe referuan njerëzit më të shquar të të gjitha trevave, të cilët prezantuan fakte historike, deri atëherë disa dhe të panjohura, dhe hodhën dritë mbi këtë figurë të ndritur të kombit tonë, i cili, megjithëse punoi e jetoi larg Shqipërisë, siç kishte pohuar vetë ai, rridhte gjak i kulluar shqiptari.

MOISIU

Arritëm pranë teje
Durim Sizifi
Lëshomëni të pushoj
në shkallët e Luganos
Dua ta përshëndes
Moisiun
N’këtë pranverë
të gëzimit
Dhe sot
të jesh
a t’mos jesh
Ballkani gjëmon
A thua porosia
jote jeton
Po pse Moisi
ndodhi kjo çmenduri
Oshtimë nëpër kampe
Mbushur plot e përlot
Isha në Zürich
në Lozanë
si kudo shqiptarë
Gjenevë e Luganë
u bë si dikur
n`Tiranë