Skip to content Skip to footer

Letërsia transnacionale nga Kosova dhe korniza e saj Ballkanike

Prof. Dr. CHRISTIAN VOSS

Drejtues i Departamentit për Studimet Sllave të Jugut, Instituti për Studimet Sllave dhe Hungareze, Universiteti i Humboldt

Abstrakt

Artikulli jep një pasqyrë të letërsisë së re dhe të kohëve të fundit nga Ballkani Perëndimor dhe në këtë mënyrë ndërmerr një kontekstualizim të letërsisë kosovare të diasporës. Kjo letërsi e “ndërmjetësisë” (inbetweenness), hibriditetit dhe lëvizjes mes dy kulturave merr tema aktuale të letërsisë botërore postkombëtare dhe zgjon interes në Perëndim. Këtu prezantohen romanet e autorit finlandezo-kosovar Pajtim Statovci, amerikano-bullgarit Miroslav Penkov dhe amerikano-boshnjakit Aleksandar Hemon, ku që të tre trajtojnë multikulturalizmin dhe konfliktet etnike.

Hyrje

Bashkëthemeluesja e formatit të suksesshëm televiziv Kuartet letrar, Sigrid Löffler, prezantoi përmbledhjen “Letërsia e Botës së Re dhe rrëfimtarët e saj të mëdhenj”[1]. Teza e saj është riformësimi letrar i mind map (perceptimi i pikëpamjes) eurocentrike për të bardhët të ndikuar nga tregimtarët postmigrantë dhe transnacionalë, duke filluar me të ashtuquajturin brezin Windrush, emigrantë të Karaibeve në Londër, 1948-1970, me shkrimtarë si: Samuel Selvon – The Lonely Londoners (shq. Londinezët e vetmuar, 1956), Sir Vidiadhar Surajprasad Naipaul (V.S. Naipaul) – The Enigma of Arrival (shq. Enigma e mbërritjes, 1993), Salman Rushdie, e deri te fituesi i çmimit Nobel (2021), Abdulrazah Gurnah. Kjo është interesante për studimet e Kosovës dhe Evropës Juglindore, pasi Löffler e sheh valën e migrimit të shkaktuar nga luftërat jugosllave të viteve 1990 si një fenomen letrar dhe e vendos atë drejtpërdrejtë pranë letërsisë së migracionit pasperandorak dhe postkolonial prej nga mesi i shekulli i XX, qendra e të cilit ishte Londra.

Nëse supozojmë se letërsia ndodh pikërisht në kryqëzimin, ku kujtimet e dëshmitarëve okularë kthehen në një kujtesë kulturore të kanonizuar, atëherë kjo nënkupton që letërsia harton kujtimet afatshkurtra dhe afatgjata të grupeve kolektive. Pra, nuk është për t’u habitur që letërsia transnacionale kosovare në shekullin XXI ka më shumë ngjashmëri me letërsinë tjetër postjugosllave sesa me atë shqipe, pasi që përvojat në gjysmën e dytë të shekullit XX, si për shembull në Bosnjë, janë të ngjashme me ato në Kosovë. Sot, letërsia e fuqizuar shqiptare e diasporës, me autorë si Gazmend Kapllani apo Ardian-Christian Kyçyku, tregon përvojën e daljes nga izolimi ekstrem i Shqipërisë, ndërsa letërsitë postjugosllave përpiqen të përballojnë traumën e luftës dhe dështimin e shoqërisë multikulturore.

Çfarë është letërsia transnacionale?

Paradigma përcaktuese postkoloniale e konceptit të orientalizmit, e prezantuar nga Edward Said si krijim i njohurive koloniale për të degraduar të sunduarit si inferiorë dhe si “të tjerë”, është hibriditeti që nga Homi Bhabha është përshkruar si third space (shqip: hapësirë e tretë), si kreolizëm dhe si ndërmjetësi.[2] Që nga vitet 1990, autorë, veçanërisht nga zonat e luftës së ish-Jugosllavisë dhe nga Shqipëria, nga Evropa Juglindore, kanë qenë me rëndësi të veçantë në shkrimin e «letërsisë vektoriale» ose «letërsisë jorezidente» që është hibride dhe transnacionale, dhe e cila në aspektin ndërkulturor-bipolar është për t’u lexuar.[3] Kjo nënkupton edhe përdorimin e gjuhës e cila që nga ikona Vladimir Nabokov (1899-1977), i cili kaloi nga rusishtja në anglisht si një emigrant rus i bardhë në Berlin dhe më pas në SHBA, duke shkaktuar një ndryshim në gjuhën e shkrimit ose duke praktikuar codeswitching ose translanguaging.

Si refugjatë dhe emigrantë nga shoqëritë e prapambetura patriarkale, autorët transnacionalë i përjetojnë metropolet pluraliste të botës perëndimore si një shok kulturor, por edhe si racizëm ndaj të bardhëve dhe përjashtimit shoqëror, ku në këtë mënyrë ofrojnë tekste kyçe për homeliness at home (shqip: Ndjenja të qenit në shtëpi) të kohës moderne postetnike dhe postkombëtare. Unë ende mendoj se është e gabuar t’i përshkruajmë ata si “nomadë”, siç bëri Diana Hitzke në vitin 2014, pasi kjo nuk është një mënyrë jetese e trashëguar ndër breza, por zakonisht një emigrim i detyruar, ku ata zakonisht arrijnë të gjejnë qetësi në shtetin ku ata emigrojnë.[4] Autorët shqiptarë, në veçanti si Gazmend Kapllani apo Pajtim Statovci, i stilizojnë emigrantët shqiptarë në Greqi apo Finlandë si individë të pafuqishëm me përsosmëri të lartë. Edhe nëse shoqëritë etnikisht të mbyllura, kryesisht ato të Evropës Juglindore dhe Lindore, mund të kontribuojnë në çështjet kyçe të kohës sonë, si lëvizshmëria dhe identitetet pluraliste, hibride, janë ende migrantët nga këto vende ata që sot po i trajtojnë me sukses këto tema. Suksesi i tyre qëndron në sjelljen e përvojës lokale të Ballkanit në një nivel të globalizuar dhe të deterritorializuar dhe duke e bërë atë relevante. Shembulli kryesor i kësaj është Georgi Gospodinov, i cili është në gjendje të transpozojë nostalgjinë dhe dhimbjen e trishtimin e socializmit bullgar në një nivel universal përmes figurës mitologjike të Minotaurit.[5] Ndërsa klasikët e shekullit XX, si Franz Kafka, Jorge Luis Borges dhe Samuel Beckett, të tre të lindur në periferi, përkatësisht në Pragë, Buenos Aires dhe Dublin, ndryshonin vendndodhjen duke thyer normat e realizmit,[6] me trendin e ri që nga vitet 1990-ta: think globally, act locally (mendoni globalisht, veproni lokalisht). Autorët e paraqitur nuk shkruajnë për jetën në kryeqytetet e tyre të modernizuara nxitimthi dhe sipërfaqësisht, por na çojnë në krahinën më të largët, si dhe ofrojnë një përkthim kulturor për audiencën e tyre globale.

Megjithatë letërsia transnacionale nuk mund të përbëhet vetëm nga biografitë e autorëve të saj, por gjithashtu përbëhet nga stile tipike shkrimi dhe rrëfimi, ashtu si edhe ndryshimi i këndvështrimeve narrative, modelet dinamike hapësinore, loja me auto dhe heterostereotipet si dhe, në përgjithësi, shpërbërja dhe sfidat e rregullat e shkrimit të parimit klasik.[7] Autorët transnacionalë, të paraqitur këtu, konvergojnë gjithashtu tematikisht. Si bredhës ndërmjet dy botëve, ata analizojnë në mënyrë precize racizmin dhe ksenofobinë në vendet perëndimore, ku ata kanë emigruar, ndërsa në të njëjtën kohë tregojnë hapur problemet në komunitetet e tyre etnike, si dhe të atyre kryesisht të mbyllura sipas prejardhjes, dhe adresojnë mizogjininë, homofobinë dhe islamofobinë. Marrëdhënia me islamin luan një rol qendror këtu. Në këtë pikë duhet theksuar se letërsia transnacionale nga Evropa Juglindore ka shkrimtare të mëdha femra, si Lindita Arapi, Ornela Vorpsi nga Shqipëria, Lana Bastašić dhe Dubravka Ugrešić nga ish-Jugosllavia.[8] Fokusi i vetëm tematik në tekstin aktual ka bërë që këtu të diskutohen vetëm autorët meshkuj.

Kosovë: Pajtim Statovci[9]

Intensifikimi i përshkallëzimit politik pas vitit 1981, në veçanti politika e segregacionit racor nën pushtetin e Sllobodan Millosheviçit, përshkallëzimi me dëbimet masive në 1998 dhe 1999, si dhe ndërhyrja e NATO-s, nënkuptojnë një kthesë të qartë për kulturën dhe letërsinë kosovare. Si rrjedhojë, sot, Kosova ka një diasporë të madhe, e cila jo vetëm që rrezaton përmes superyjeve, si Dua Lipa dhe Rita Ora, apo futbollistëve si Granit Xhaka, por është e shquar edhe në aspektin letrar.

Si shembull, dëshiroj të prezantoj autorin e ri finlandez-kosovar Pajtim Statovci, romani i dytë i të cilit, Crossings, u botua në gjermanisht në vitin 2021. Statovci ka lindur në Kosovë në vitin 1990 dhe dy vjet më vonë, bashkë me familjen e tij, emigroi në Finlandë. Deri më sot ai ka botuar tre romane në finlandisht, i dyti prej të cilëve, Crossings (shqip: Vendkalimet kufitare), është botuar së fundmi në gjermanisht. Statovci na paraqet heronj liminal – gjithnjë në prag të një krize nervore dhe në prag identitar – çuditshmëria dhe shqiptaria e portretizuar mitologjikisht e të cilëve përbëjnë metaforën e madhe për të kaluar çdo lloj kufiri.

My Cat Yugoslavia[10] tregon historinë e një të riu psiko dhe sociopatik, i cili katarsisin e tij e përjeton vetëm përmes një akti dhune në shtëpinë e prindërve të tij në Kosovë (hedhja e një gjarpri helmues ndaj gjyshit të tij). Historia tregon për jetën e familjes kosovare, dështimin për t’u integruar në Finlandë dhe shpërbërjen e tyre.

Statovci mban provokimin më të madh në romanin e tij të tretë, Bolla (shqip: Bolla) të vitit 2018, i cili rrëfen lidhjen e dështuar të dashurisë së një çifti homoseksual serbo-shqiptar në Prishtinë në vitet 1990-2000.[11] Dy linja narrative të Arsimit, një shqiptar, dhe Milloshit, një serb, bashkohen në fund të romanit: Arsimi kthehet në Kosovë vetëm pas luftës, pasi ka qenë prej vitesh në Evropën Perëndimore, por që deportohet prej atje. Në anën tjetër, Milloshi ka qenë në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe ka bërë karrierë në ushtrinë serbe. Arsimi e gjen në një institucion psikiatrik, ku aty zbulon ditarin e tij, i cili është përfshirë që në fillim të librit si filli i dytë. Së pari, ky fill ka rrjedhojë enigmatike narrative. Milloshin e kemi njohur në fillim vetëm si viktimë, një burrë paksa i turpshëm, i cili ka qenë viktimë e dhunës në familje dhe po përpiqet të studiojë mjekësinë në Prishtinë. Vetëm në faqet e fundit të librit mësojmë se ai ka qenë i pranishëm në masakrat më të rënda serbe ndaj civilëve shqiptarë (Prekaz, Drenicë, Rahovec, Reçak).

Sigurisht që nuk është rastësi që romani Crossings u zgjodh për publikun lexues gjerman[12]: Ai nuk është vendosur në Kosovë, por në Shqipëri, dhe duket disi i sajuar në programimin e tij queer: Edhe një herë bëhet fjalë për shqiptarizmin në migrim. Romani ka një hark kohor më të ngushtë, përkatësisht vitet 1990 deri në 2003. Fillon me tentativën për vetëvrasje të një emigranti transeksual në Romë, në vitin 1998. Që herët lexuesit e kuptojnë se ky është migranti Bujari, odiseja e të cilit e kthen atë prej Romës, Berlinit, Madridit, New Yorkut dhe Helsinkit në Tiranë. Edhe një herë, Statovci zgjedh një stil narrativ jolinear, me shumë perspektiva, kështu që ne duhet ta bashkojmë vetë rrjedhën e tregimit.

Bujari dhe shoku i tij i fëmijërisë Agimi janë të pandashëm dhe ëndërrojnë të ikin nga Shqipëria. Pas muajsh mundimesh si njerëz të pastrehë në Tiranë dhe Durrës, ata blejnë një motobarkë të vogël për të kaluar në Itali, por Bujari në det të hapur e shtyn mikun e tij nga barka pasi ai e ngacmon seksualisht dhe që nga ajo kohë ai merr identitetin e tij queer. Në vijim është një udhëtim jashtëzakonisht i mbushur me aksion dhe dinamikë nëpër botë dhe një proces i vetëzbulimit seksual, i shënuar nga dhuna dhe mashtrimi që paralelizohet me rishpikjet kombëtare dhe seksuale (në zhargon, kjo do të ishte trans, cis straight, trans romantic, gay). Ndërsa ishte ende në Shqipëri, ai rregullisht u abuzua seksualisht nga punëdhënësi i tij, një pronar restoranti. Ai për pak u përdhunua në Veding të Berlinit (Wedding) kur ai u shfaq si një grua boshnjake – Ariana; Në Madrid ai vepron si një heteroseksual, i cili,  pasi që e dashura e sheh atë me veshje të femrave para pasqyrës, e godet atë, të dashurën, dhe e shtron në spital; Në New York ai grabitet nga një drag queen me të cilën ai kishte rënë në dashuri; Pasi ai, bashkë me qiradhënësen e tij, udhëton nga New York-u në Helsinki, takohet me gruan trans Tanja, identitetin e së cilës ai e vjedh dhe madje e lejon veten të filmohet si pjesëmarrës në një talent show televiziv në dhomën e gjumit dhe në dollapin e saj.

Tema e Crossings është edhe më e fortë sesa në veprën e parë, mallkimi i të qenurit shqiptar – dhe kjo në dy aspekte: si nga realiteti brenda vendit, ashtu edhe nga mungesa e ndonjë reputacioni dhe prestigji jashtë vendit. Dy djemtë janë të shtyrë nga dëshira e tyre për të provuar dhe gjetur diçka ndryshe. Statovci edhe një herë lidh orientimin kombëtar me atë seksual dhe kërkon lirinë e zgjedhjes për të dy.

Nga letërsia aktuale kosovare, zgjodha një roman që është botuar së fundmi në gjermanisht – ai përfaqëson talentet e tjera të reja të gjeneratës së re, shumë të lëvizshme[13], të cilat përpunojnë në mënyrë autentike temat kryesore të identiteteve pluraliste dhe hibride nga sfondi i biografive të tyre.

Florian Kienzle përktheu romanin Keine Helden weit und breit të Ndriçim Ademajt (shqip: Pa heronj, pa bujë)[14], i cili është narratologjik dhe tipik i letërsisë transnacionale në tregimin e saj tejet autobiografik. Ai tregon për jetën e përditshme në një lokal në Gjenevë dhe në pjesën e dytë fëmijërinë e tij në Kosovë 1998-1999. Në Gjenevë, narratori shtyp plotësisht përvojën e dhunës dhe traumës së fëmijërisë. Mungesa e marrëdhënieve dhe vetmia janë vendimtare për jetën në Zvicër. Vetëm emri i një klienti serb të barit, i cili mban të njëjtin emër si vrasësi i gjyshit të tij, ngjall kujtime nga shtëpia. Nga këndvështrimi i një fëmije në ankth, autori përshkruan ndarjen etnike në Kosovë para shpërthimit të luftës. Marrëdhënia me të atin është traumatike, i cili shpesh ushtron dhunë në të, por në të njëjtën kohë dëshiron të jetë një poet pacifist që është kundër UÇK-së. Titulli është i përshtatshëm: romani kundërshton një rrëfim patetik androcentrik (femra si përjashtim nga norma shoqërore) të fitores ushtarake.

Bullgari: Miroslav Penkov

Do të filloj me një nga autorët më të njohur bullgarë që prej shumë vitesh jeton në SHBA. Librat e tij na çojnë në krahinën më të largët të Rodopeve të populluar nga myslimanët. Koleksioni i tregimeve East of the West (shqip: Lindja e perëndimit) [15] përmban tetë tregime të shkurtra, ku që të gjitha i përkasin zhanrit të letërsisë transnacionale. Zakonisht është një tregimtar i ri që është zhvendosur në SHBA dhe tani duhet të ndërmjetësojë mes dy kulturave të huaja. Miroslav Penkov (*1982) merr dy herë perspektivën e një vajze të re dhe/ose të pakicës myslimane. Periudha në tregimet e tij shkon prapa në kohën e komunizmit dhe, në rastin e një ditari, si edhe në kohën e luftës guerile për Maqedoninë, në fillim të shekullit të 20-të. Penkov është i butë kur flet për kombin e tij: ai përshkruan në mënyrë direkte me diskurse naive dhe krenare për të kaluarën e lavdishme dhe militante («ne jemi një popull kalorësish»), por e thyen këtë me ironi të qetë. Ai shkruan për pakicat etnike dhe fetare si turqit në Rodope apo kushtet në fshatrat e minoritetit rom. Megjithatë, pikat qendrore janë kontrastet dhe kontradiktat e pakaluara mes brezave dhe sistemeve shoqërore në Bullgari dhe më pas mes Bullgarisë dhe SHBA-së. Këtu përplasen sferat jetësore që nuk mund të kapërcehen lehtë.

Do të doja të veçoja një tregim të shkurtër që sfidon në mënyrë subversive vetëkuptimin historik të bullgarëve. Për viktimizimin e bullgarëve në Perandorinë Osmane, si një nga provat më të fuqishme konsiderohet e ashtuquajtura përzgjedhje/rekrutimi i djemve (devşirme), ku në mënyrë të përgjakshme rekrutohen personat udhëheqës vendas, të ashtuquajtur jeniçerë.

Romani më i famshëm në letërsinë bullgare, Pod Igoto (Nën zgjedhë) i Ivan Vazov i vitit 1889 kanonizoi narrativën e viktimizimit të bullgarëve që në shekullin XIX, duke përshkruar kryengritjen antiosmane, të shtypur brutalisht në vitin 1876.

Çfarë bën Penkov në tregimin e tij «Devshirmeh»? Këtu tregohet për fajtorin e kapjes së fëmijëve, ku jeniçeri në fund vendos të dashurojë gruan e krishterë bullgare dhe vdes tragjikisht. Pa referuar këtë në mënyrë eksplicite, motivi i rekrutimit të djemve është i përdorur këtu si tregim para gjumit për vajzën, pra asimilimi i pavullnetshëm në kulturën dominuese, qëndron në kontekstin e një familjeje të re të dështuar. Një emigrant bullgar, i cili, bashkë me shokun e tij, bën një jetë të dehur, pa punë dhe pa perspektivë, merr vajzën e tij nga ish-gruaja e tij, e cila jeton me një mjek të pasur bullgar. Babai dëshiron të ikë me mikun dhe vajzën e tij nga një tornado që po afrohet, por futet drejt e në qendrën e stuhisë.

Këtu tregohet historia e të qenit i palumtur në SHBA. Që në fillim, natyra josimpatike e mjekut të ri bullgar ilustrohet nga gjuha e tij: ai përpiqet të flasë anglisht dhe gjithashtu ta bëjë fëmijën ta harrojë bullgarishten. Konflikti mbi lojalitetin mes babait të mëhershëm dhe atij të ri bëhet një konflikt kulturor dhe i bie që alkoolisti i trazuar të rietnizojë fëmijën e tij biologjik përmes tregimeve të përrallave dhe zakoneve. Ky nivel negocimi i përkatësisë kulturore pasqyrohet me mjeshtëri në motivin e rekrutimit të djemve.

“Shoku!”, më bërtet në anglisht‚ “Çfarë ka?”, “Je shumë vonë. Ne po të presim.”, “Shumë trafik”, i them në bullgarisht, “Ndalo, shoku! Anglisht. Ne flasim këtu anglisht.”.[16] E më vonë: “Ai është duke qëndruar në skarë me sandale plazhi, duke futur një pirun në copat e mishit, duke matur temperaturën me një shkop dhe duke folur me qenin në anglishten e tij të ngathët bullgare.”[17]

Romani “Stork Mountain”, me kuptim në shqip “Mali i Lejlekëve” i Penkovit, na sjellë sërish në cepin e fundit të Bullgarisë, në kufirin greko-turko-bullgar, në të ashtuquajturën zonë “Stranxha”. Bëhet fjalë për fuqinë e miteve historike që gumëzhin nëpër kokat e fshatarëve. Zona trake ka një thellësi të madhe historike, dhe kështu përmendet Dionisi, Attila i Hunëve, por mbi të gjitha jeniçerët, sundimtarët osmanë, vrapuesit e zjarrit, fëmijët që vdesin nga ethet, fëmijët e mallkuar dhe të magjepsur. Penkov e aranzhon këtë si një histori me Romeon dhe Zhuljetën: një student i dështuar, amerikan, viziton gjyshin e tij për të shitur tokën dhe aty bie në dashuri me Elifin, një vajzë myslimane. Babai i saj është imam në fshat dhe mbështet një kompani ndërtimi turke që dëshiron të ndërtojë turbina me erë aty, gjë që gjyshi i tij dëshiron ta parandalojë me çdo kusht. Konflikti i vjetër etnik mes të krishterëve dhe myslimanëve bëhet kështu një konflikt ekonomik.

Janë të hulumtuara mirë zakonet sinkretike të fshatarëve, të cilët duan gjithmonë që familjarët e tyre të sëmurë të shërohen nga përfaqësuesit e të dy feve. Megjithatë, në fund të fundit, komunitetet – dhe kjo është pikërisht ajo që Magdalena Lubańska tregon për mitin e fqinjësisë në Bullgarinë jugore – qëndrojnë qartë në kundërshtim me njëri-tjetrin si partnerë të sprovuar dhe të testuar të alteritetit.

Gjyshi thotë: “My boy”, he said, “Klisura has been transfigured into a backgammon board. The Christian hamlet is the inner table. The Muslim hamlet is the outer. The river that divides them is the bar. I play to save my checkers, and my opponent play to hit them”[18].

Bosnjë: Aleksandar Hemon

Romani The World and All That it Holds (shqip: Bota dhe gjithçka që mban) u botua fillimisht në origjinal në gjuhën angleze.[19] Ky roman qëndron në një seri të romaneve, në të cilët Aleksandar Hemon (*1964), si një autor tipik transnacional, i lë protagonistët e tij të bredhin mes Sarajevës dhe Çikagos, duke filluar me: The Question of Bruno (2000) dhe Nowhere Man (2002) deri tek The Lazarus Project (2008), ku të gjithë përdorin teknika brikolazhi dhe përziejnë dokumentacionin me përvojat e migrimit në kohë narrative, në rrëfime autobiografike njëdimensionale, si My Parents: An Introduction / This Does Not Belong to You (2019). Librat e Hemonit qëndruan besnikërisht përgjatë boshtit Sarajevë-Çikago dhe pasqyrojnë botën e tij të përjetimeve: Hemon ishte në SHBA, përmes një burse afatshkurtër, kur shpërtheu Lufta në Bosnjë, në vitin 1992, dhe më pas iu dha statusi i refugjatit dhe azilit. Edhe komponenti ukrainas në libra, si “Projekti Lazarus” është ankoruar biografikisht në historinë e familjes Hemon.

Prandaj, The World and All That it Holds merr çuditërisht shtigje të reja: Hemon harton një rrugë krejtësisht të re udhëtimi dhe e lë heroin e tij të bredhë nga Ballkani, nëpërmjet Ukrainës dhe Azisë Qendrore, në Shangai gjatë viteve 1914-1949. Në këtë mënyrë, historia e Hemonit përvetëson një hapësirë ​​krejtësisht të re, e cila të kujton pjesërisht në Doktor Živago (1956) të Boris Pasternakut, i cili u vendos në trazirat e luftës civile ruse midis lëvizjes të së kuqve dhe të së bardhëve. Dhuna e pakuptimtë në Frontin Lindor në Luftën e Parë Botërore, mes lëvizjes të së kuqve dhe të së bardhëve në Luftën Civile Ruse, pas vitit 1917, dhe në Betejën Sino-Japoneze të Shangait në 1937, është një itinerar maksimal tmerri. Hemon ia del ta damkosë atdheun e tij dy herë: nga njëra anë, duke filluar me atentatin në Sarajevë më 1914, dhe nga ana tjetër, përmes karakterit shumëkulturor dhe shumëgjuhësor të hebreut sefardik Rafael Pinto. Edhe ai është një “somanbulist” në kuptimin e Christopher Clark, i cili është i pushtuar nga historia bashkëkohore. Edhe pse vetëm 18 faqet e para të librit prej 336 faqesh janë vendosur në Sarajevë, qyteti është padiskutim heroi i vërtetë i librit, ku çifti homoseksual – farmacisti Pinto (*1889-1949), që studioi në Vjenë, dhe myslimani boshnjak Osman Karišik – u njohën me njëri-tjetrin. Në ndarjen e mëvonshme, Pinto, së fundmi si një i varur në strofkat e opiumit në Shangai, shtyhet vazhdimisht në ëndrra dhe vetëbisedime me Osmanin, prej nga edhe kthimi në Sarajevë ose një ribashkim me Osmanin bëhet më i fortë se realiteti.

Si e pozicionon veten romani i mirëhulumtuar në historinë bashkëkohore? Si pjesë e ushtrisë Habsburge, dy boshnjakët, Pinto dhe Osmani, u dërguan në Galicia, në frontin lindor, dhe në pranverën e vitit 1916 ata përjetuan ofensivën ruse Brusilov pranë Brody. Si robër lufte në Rusinë cariste, ata më pas dërgohen me tren në Tashkent në Azinë Qendrore. Revolucioni bolshevik liron të burgosurit dhe Osmani i shërben policisë sekrete sovjetike (në fazat e hershme Čeka, më vonë NKVD). Në mes të luftës civile mes sovjetikëve dhe kundërrevolucionit të së bardhëve (përfshirë baronin gjakatar Teutenberg), ai është majori i kontestueshëm Edgar Moser-Etherington, i cili ndërkohë paraqitet si shqiptari Jozef Lazar, ai që do të shpëtojë Pinton sërish e sërish. Pas kalimit të shkretëtirës Taklamakan në vitin 1926 dhe kontakteve me Taxhikët, Kirgizët dhe Ujgurët, Pinto dhe vajza e tij më në fund arrijnë në Shangai si persona pa shtetësi, ku pushtimi i qytetit nga japonezët është afër. Përderisa Rafela mundi të ikë në Filipine në vitin 1937, Pinto qëndroi atje, jetoi me një kinez dhe u bë i varur nga opiumi. Kur vajza e tij kujdestare e evakuoi atë në 1949, ai vdiq.

Nostalgjia e Sarajevës multikulturore para vitit 1914, realizohet në një mënyrë gjeniale: perspektiva mbizotëruese narrative e Pintos transmetohet si një fjalim i përjetuar dhe një monolog i brendshëm, i cili është në gjermanisht-boshnjakisht-spanjollisht. Si rezultat i Holokaustit, sefardishtja flitet vetëm nga një pjesë e vogël e grave të moshuara në Sarajevë. Në fund të shekullit të XV, sefardimët ikën nga inkuizicioni i Spanjës në Ballkanin Osman dhe u vendosën në metropolet, si Selaniku, Manastiri, Plovdivi, Beogradi dhe Sarajeva. Para Luftës së Parë Botërore, gjuha e tyre ishte një spanjishte shumë e lashtë, e formuar nga shumë kontakte gjuhësore dhe ishte shumë vitale. Tek në Jugosllavi (1918-1941) ndodhi një asimilim shumë i shpejtë kulturor e gjuhësor me serbokroatishten.

Pra, shumëgjuhësia, boshnjako-spanjollo-gjermane, e heroit të romanit është graduale dhe asimetrike: dominon gjuha amtare hebreje-spanjolle, e ndjekur nga gjermanishtja si gjuhë e studimeve të farmacisë vjenezë, si dhe entuziazmi për poezinë gjermane, por edhe gjuha e Habsburgëve, pushtuesve të Bosnjës që nga viti 1878. Shumëgjuhësia nxitet nga shprehje të fiksuara, shpesh të lidhura me fenë, kujtimet e fëmijërisë për nënën ose për këngët e fëmijërisë. Hemon bashkon dy nivele këtu: nga njëra anë, një botë paramoderne hebraike që është shumë ndërtekstuale me Talmudin dhe Testamentin e Vjetër – si te psalmet, figura e Moisiut, si dhe me Abrahamin dhe Isakun, – dhe dashuria e zjarrtë për Osmanin e zhdukur, e cila më vonë e bënë gjithnjë e më të dëshpëruar dhe të dehur nga droga, gjendje kjo që çoi atë në humbje të realitetit.

Vetë protagonistët e Hemonit reflektojnë mbi shumëgjuhësinë, duke e quajtur atë një mishmash (“The child was five years old and spoke a mishmash of Bosnian, Spanjol, and German”, (fq. 183; shqip: “Fëmija ishte pesë vjeç dhe fliste një përzierje të gjuhës boshnjake, spanjolle dhe gjermane.”) ose një gjuhë të improvizuar pixhine.

“… Pinto spoke Bosnian to him, while the good doctor spoke back in Russian. From the beginning, they would pick the words from the other’s language and insert them in their sentences and thus they exchanged and learned them. Pinto sometimes clandestinely imported Spanjol, just as Isak Abramovich smuggled in Yiddish words, while Osman added Arabic words he had learned in mosque. Over time, they developed their own pidgin, and they understood one another, no need for any translation.”, fq. 89; (shqip: Pinto i fliste në gjuhën boshnjake dhe mjeku i përgjigjej në rusisht. Që në fillim, ata zgjidhnin fjalë nga gjuha e tjetrit, i përfshinin në fjalorin e tyre, dhe kështu i shkëmbenin dhe i mësonin. Ndonjëherë Pinto përvetësonte fshehurazi fjalë nga gjuha spanjolle, ashtu sikurse Isak Abramovich që vidhte fjalë hebraike, në ndërkohë që Osmani shtonte fjalë arabe që i kishte mësuar në xhami. Me kalimin e kohës, ata zhvilluan pixhinin e tyre dhe e kuptonin njëri-tjetrin pa pasur nevojë për përkthim”).

Në fund të fundit, libri është një metaforë e thellë për refugjatët e luftës dhe luftën për mbijetesë “Like all refugees, they kept moving forward because they had nowhere else to go; being on the move meant being alive”, (fq. 175; shqip: “Ashtu sikurse të gjithë refugjatët, ata vazhduan të ecnin përpara sepse nuk kishin ku të shkonin; të jesh në lëvizje do të thoshte të ishe gjallë”), dhe kështu shkruhet edhe në dedikimin e librit “For refugees of the world”. “The meaning of life is not to be dead; you live so as not to die. That’s it. Ask any soldier or refugee, “(fq. 200; shqip: “Për të gjithë refugjatët nëpër botë”. “Kuptimi i jetës nuk është të jesh i vdekur; ti jeton që të mos vdesësh. Kjo është. Pyesni ndonjë ushtar apo refugjat)”. Për vajzën kujdestare, Pinto thotë: “The child has not slept in a bed since she came into the world. Most of the time, she slept on his chest. She was born a refugee, never knew what being at home meant.”, (fq. 150; shqip: “Qysh nga lindja, vogëlushja nuk ka fjetur në shtrat. Shumicën e kohës ajo flinte në gjoksin e tij. Ajo ka lindur refugjate, pa e ditur asnjëherë kuptimin e shtëpisë”).

Krahas leximit universal të romanit, si fati i një refugjati, ekziston edhe një lexim në kontekstin postjugosllav, sepse në boshtin boshnjak të vizionit, grykësia e dhunës është pasqyrim dhe transpozim i dhunës së luftërave jugosllave të viteve 1990. Të dy leximet duken njësoj kumbuese dhe kështu e ngrenë letërsinë e diasporës së Evropës Juglindore në një nivel të ri, duke e bërë Hemon një nga autorët kryesorë amerikanë që shkruan për shtëpinë, të qenit refugjatë, mallin dhe identitetin.

Përmbledhje

Një tipar i qëndrueshëm i literaturës së përshkruar këtu është bredhja mes dy kulturave. Protagonistët e romaneve janë indiferentë në aspektin kombëtar dhe fetar, si dhe janë në tjetër këndvështrim me vendet e tyre të origjinës, të cilët janë mëse të ngarkuar me etnonacionalizëm. Një tendencë drejt vetëorientalizimit mund të shihet në këtë debat nga autorët e Evropës Juglindore, pas migrimit. Me “pikëpamjen e jashtme” të mbrehur e të re, prapambetja, intoleranca, mizogjinia dhe homofobia në Evropën Juglindore përshkruhen herë në mënyrë akuzuese e të vrazhdë, herë në mënyrë falëse ironizuese. Edhe nëse kulturimi i dikujt është i vështirë dhe të qenit të vetëm përshkruhet hapur, transnacionalizmi i dikujt mbetet si një opsion për çlirim dhe emancipim.

Sigurisht, autorët transnacionalë i drejtohen kryesisht një publiku perëndimor anglishtfolës dhe kështu janë bërë diplomatë kulturorë të dukshëm dhe me ndikim, të cilët po formojnë një brend më pozitiv dhe modern për Evropën Juglindore. Letërsia, përkatësisht për Kosovën, si Pajtim Statovci, është në të njëjtin kontekst rajonal dhe historik me atë të Ballkanit Perëndimor dhe kështu mund të kuptohet më mirë.

Përktheu nga gjermanishtja: Çliresa Suka


[1] Löffler, Sigrid: Die neue Weltliteratur und ihre großen Erzähler. Mynih 2014.

[2] Said, Edward: Orientalism (shq. Orientalizmi). New York 1978. Bhabha, Homi: The Location of Culture (Vendndodhja e Kulturës). London New York 1994.

[3] Hausbacher, Eva: Transnationale Schreibweisen in der Migrationsliteratur (shq. Drejtshkrimet transnacionale në literaturën e emigracionit). Në librin: Literatur & Transnationalität (shq. Letërsi dhe transnacionalizëm). Red. D. Bischoff, S. Komfort-Hein. Berlin, Boston 2019: 187-202.

[4] Hitzke, Diana: Nomadisches Schreiben nach dem Zerfall Jugoslawiens (shq. Shkrimi nomad pas shpërbërjes së Jugosllavisë). David Albahari, Bora Ćosić dhe Dubravka Ugrešić. Frankfurt/M. 2014.

[5] Gospodinov, Georgi: The Physics of Sorrow (shq. Fizika e pikëllimit). Sofia 2012; Time Shelter (shq. Strehimi kohës). Sofia 2020; shih: Të jesh minotauri (post)socialist. Georgi Gospodinov bisedon me Christian Voss dhe Belfjore Qose. Në: ExLibris 167 (5.2.2022): 2-5.

[6] Shih: Damrosch, D.: How to Read World Literatur (shq. Si të lexoni letërsinë botërore). Oxford 22018, 159-165: The Glocal and the Delocalized (shq. Glokale dhe e delokalizuar).

[7] Shih: Birk, H., Neumann, B.: Go-Between: Postkoloniale Erzähltheorie (shq. Shko në mes. Teoria Narrative Postkoloniale). Në: Neue Ansätze der Erzähltheorie (shq. Qasje të reja në teorinë e rrëfimit). Red. A. Nünning, V. Nünning. Trier 2002: 115-152.

[8] Shih: Tijana Matijević: From Post-Yugoslavia to the Female Continent. A Feminist Reading of PostYugoslav Literature (shq. Nga post-Jugosllavia në kontinentin femëror. Një lexim feminist i letërsisë post-jugosllave). Bielefeld 2020.

[9] Belfjore Qose, Christian Voss: Çështje të identitetit gjinor dhe kombëtar në letërsinë queer të Pajtim Statovcit. In: ExLibris 154 (30.10.2021): 4–6

[10] Origjinal në finlandisht: Kissani Jugoslavia. Helsinki 2014; në anglisht: My Cat Yugoslavia. London 2014.

[11] Origjinal në finlandisht: Bolla. Helsinki 2018. në anglisht: Bolla. New York 2021.

[12] Origjinal në finlandisht: Tiranan Sydän. Helsinki 2016; në gjermanisht: Grenzgänge. München 2021.

[13] Për shembull ditari i Shpëtim Selmanit përkthyer nga Zuzana Finger 2021: Notizbuch der Liebe (shq. “Fletorja e Dashurisë”), për të cilën autorit iu dha Çmimi Europian i Letërsisë në vitin 2020.

[14] Schenk Verlag Passau 2022; përkth. Zuzana Finger.

[15] Penkov, Miroslav: East of the West (shq. Lindja e Perëndimit). New York 2011.

[16] Po aty: 260.

[17] Po aty: 264.

[18] Lubanska, Magdalena: Muslims and Christians in the Bulgarian Rhodopes. Studies on Religious (Anti)Syncretism (shq. Myslimanët dhe të krishterët në Rodopet bullgare. Studime mbi (anti)sinkretizmin fetar). Berlin, Boston 2015; Diçka të ngjashme vërteton Johannes Gold me studimet empirike mbi Prizrenin: Multiethnizität in Alltag und Konflikt. Schein und Realität von Identitätskonstruktionen in der Balkanstadt Prizren (shq. Multietniciteti në jetën e përditshme dhe konfliktet. Paraqitja dhe realiteti i ndërtimeve identitare në qytetin ballkanik të Prizrenit). Wiesbaden 2019.

[19] Aleksandar Hemon: The World and All That It Holds (shq. Bota dhe gjithçka që mban). London 2023.