Skip to content Skip to footer

Kujtesa audiovizuale në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Dr. Lumnije Kadriu

Instituti Albanologjik i Prishtinës

Institutet kërkimore shkencore janë ndër treguesit dhe kontribuesit më të rëndësishëm të modernitetit të cilat u angazhuan që në mënyrë të organizuar dhe të mbështetur financiarisht të argumentojnë legjitimitetin e identiteteve kombëtare në shtetet e formuara gjatë shekullit XVIII-të dhe XIX-të. Në bërjen e këtyre shteteve kombe dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare[1] u përdorën si parime bazë kultura, gjuha dhe territori i përbashkët i një populli, të cilat ishin të orientuara drejt një kontinuiteti historik në lashtësi, i cili çonte deri në origjinën e tyre. Pra, bëhej fjalë për një kujtesë kombëtare kolektive e cila duhej të çonte deri te rrënjët. Një projekt i tillë ishte mjaft kompleks kur dihet se shoqëritë paramoderne ishin kryesisht të organizuara në territore lokale e regjionale me variante të shumta në gjuhë e kulturë, të cilat me rastin e krijimit të kombeve iu shtruan në një masë homogjenizimit, selektimit dhe bashkimit, me qëllim të një identifikimi të përbashkët kombëtar[2]. I gjithë ky proces ishte i përshkuar me përdorimin e fuqisë, pushtetit e dominimit në dimensione të ndryshme, të brendshme e të jashtme, por si përfundim vetëdijet kombëtare u themeluan dhe u mishëruan fuqishëm tek pjesëtarët e tyre. Fuqia dhe pushteti u përdorën joparimisht, sidomos në përcaktimin e gjerësisë dhe shtrirjes së territoreve të shteteve kombe që padyshim ndryshonte dhe lëvizte si rezultat i luftërave të numërta. Si pasojë, me rastin e përcaktimit të kufijve dhe territorit të shtetit, në shumë rajone, popullatat që tashmë e kishin të krijuar dhe mishëruar përkatësinë dhe identitetin kombëtar mbeteshin brenda një shteti komb me të cilin e kishin të vështirë identifikimin. Kështu, u paraqit nevoja e definimit më të qartë të nocionit etni i cili kishte edhe dallime edhe ngjashmëri me nocionin komb[3]. Si rrjedhojë, përgjatë historisë u krijuan shtetet e njohura si multietnike në të cilat disa etni njiheshin si kombe e disa tjera si minoritete. I tillë ishte edhe rasti i ish-Jugosllavisë brenda të cilit ngeli popullata shqiptare, të cilës si etni filloi t’i njihej e drejta si minoritet apo si kombësi.

Instituti Albanologjik i Prishtinës, i themeluar për herë të parë në vitin 1953, me gjithsej 4 punëtorë dhe vetëm sektorin e gjuhësisë (me plan që të zgjerohej me atë të letërsisë dhe historisë), mund të thuhet se ishte iniciativë e hulumtimeve të një etnie minoritare, si tregues i demokratizimit të një shteti të synuar multietnik me të drejta “të barabarta”. Këto thonjëza padyshim se argumentohen lehtë po të ndalemi më gjatë në historikun e Institutit Albanologjik, i cili përshkohet me shumë mbyllje e rihapje, ndërrime ndërtesash funksionimi, si dhe ndërrime trajtimi nga pushteti jugosllav. Si mbyllje domethënëse mund të konsiderohet ajo e vitit 1955, pra menjëherë pas dy viteve të themelimit, kur politika në Kosovë dominohej nga ajo e Rankoviqit. Rihapja ndodhi tek në vitin 1967-të, pra pas plot dymbëdhjetë vitesh, kur klima politike kishte ndryshuar si rezultat i Pleniumit të Brioneve. Në këtë periudhë Instituti bëri një punë tejet produktive deri në vitin 1981, kur sërish filloi të ketë vështirësi të theksuara për shkaqe politike që u intensifikuan në krizën e viteve të 90-ta si pasojë e politikës Millosheviqiane, me ç’rast vjen edhe te ndërprerja e financimit e madje edhe dëbimit dhe mbylljes së objektit ku zhvillohej veprimtaria e tij (1994). Por megjithatë, ky institucion arriti që aktivitetin e vet ta vazhdojë pa ndërprerje të plotë, përkundër tempos tejet të ngadalësuar të punës, në një shtëpi private në Bregun e Diellit, ashtu si ishin funksionalizuar edhe shumica e institucioneve të tjera të Kosovës atë botë. Objekti i Institutit u rikthye dhe u rifunksionalizua sërish në vitin 1998-të, por u dëmtua në mënyrë kulmore me luftën e vitit 1999-të.

Kështu, si përfundim, Instituti Albanologjik i Prishtinës, si një institut i pavarur kërkimor shkencor, me mjaft pengesa, arriti që nga viti 1978-të – kur kompletoi strukturën e tij – e deri më sot të zhvillojë studimet albanologjike apo studimet mbi shqiptarët në lëmin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, historisë e arkeologjisë, si dhe etnologjisë, folklorit e etnomuzikologjisë shqiptare, të cilat strukturalisht janë të organizuara në pesë degë dhe dy sektorë përkatës. Pra, në mënyrë tërësore përfshihet studimi i thesarit kulturor, material e shpirtëror të tyre. Këtë e bën me anë të përgatitjes, hartimit dhe realizimit të projekteve të ndryshme (kolektive dhe individuale). Këto kërkime punëtorët e Institutit Albanologjik i bëjnë me metodat përkatëse në bazë të fushave të cilat kanë për synim vjeljen, regjistrimin, ruajtjen dhe studimin e fenomeneve kulturore në të gjitha dimensionet e sipërpërmendura, të cilat i shërbejnë një kujtese mbi të kaluarën historike e kolektive në funksion të kuptimit më të mirë edhe të së tashmes. E gjithë kjo shërben edhe në kontekst të identifikimit të identiteteve si brendaetnike ashtu edhe të raporteve me të tjerët.

Këto detyra punonjësit e Institutit Albanologjik, sidomos ata të degëve të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnologjisë, si dhe të sektorëve brenda tyre, që nga fillimi i kishin realizuar me dalje në terren dhe regjistrimin e të dhënave të gjetura. Ky regjistrim në fillim bëhej kryesisht me shënime me shkrim, si pasojë e mungesës së zhvillimit të teknologjisë audiovizive, por që më vonë filloi të zhvillohej me audio incizime (regjistrime) me magnetofon nëpër bobina, e më vonë edhe me regjistrime vizive me anë të aparateve fotografike. Pra, regjistroheshin mënyra të të folmes nga gjuhëtarët, mënyrat e këndimit nga folkloristët dhe fotografoheshin rite të ndryshme nga etnologët dhe të tjerët. Shpesh në to shihej edhe arkitektura tradicionale dhe organizimi ekonomik familjar tradicional.

Kështu u pasurua arkivi i Institutit, i cili pas tridhjetë vjet funksionimi[4] kishte arritur që të ketë të grumbulluara 863 dosje, që përmbanin 100 mijë njësi arkivore nga fusha të ndryshme të albanologjisë. Aty përfshiheshin balada e legjenda, këngë epike – kreshnike, këngë popullore të Rilindjes Kombëtare, këngë dashurie, përralla, këngë dasmash, ninulla, lojëra popullore, vajtime, gjamë dhe elegji, anekdota, këndime pa instrumente e me instrumente të ndryshme etj. Një pjesë e madhe e këtij materiali është botuar në publikimet e Institutit.

Fatkeqësisht, arkivi i Institutit ishte dëmtuar shumë si pasojë e ruajtjes së tyre në kushte të papërshtatshme gjatë dhjetë vjetëve të krizës politike, por edhe plaçkitjes së shumë njësive me rastin e ndërhyrjes së forcave jugosllave. Megjithatë, studiuesit e Institutit nga të gjitha degët dhe sektorët përkatës vazhdojnë që për hulumtimet e tyre, dhe për realizimin e projekteve të tyre, mbledhjen e materialeve ta bëjnë me anë të teknologjisë audiovizive, e cila sot ka përparuar mjaft. Shumë studiues ato të dhëna i ruajnë në dosjet e tyre individuale. Por, padyshim, këto duhet të dorëzohen edhe në Arkivin e Institutit.

Një kontribut domethënës në ruajtjen e kujtesës vizive, e cila mund të konsiderohet si pjesë e kujtesës historike dhe kolektive, paraqet fondi i materialeve të siguruara nga terreni për Ekspozitën Etnografike që përbëhet nga disa veshje popullore të Rrafshit të Dukagjinit, të Hasit, të Drenicës, të Kërçovës, të Jabllanicës, të Vuthajve etj. Gjithashtu pjesë e këtij fondi janë tekstile të ndryshme që shërbenin si shtrojë e mbulojë, punëdore të ndryshme me grep e gjilpërë si aksesore zbukuruese, almise bujqësore, enë e përdorëse të ndryshme. Ato kishin qenë të ekspozuara në mënyrë mjaft të mirë, edhe pse modeste, në sallën e eksponateve, por për fat të keq, që nga ristrukturimi i objektit të Institutit Albanologjik në vitin 2007, në pritje të mbështetjes nga MASHT-i, vartës i së cilës është IAP-i, salla e eksponateve dhe përgatitja e një ekspozite të përhershme, ka ngelë në pritje. Një rregullim i mbarë i kësaj ekspozite do të shërbejë qëndrueshëm në plotësimin dhe ruajtjen e një pamjeje kujtesore kombëtare.

Vlen të theksohet se ka iniciativa që me anë të projekteve kolektive të pasurohet e kontribuohet edhe më tej në regjistrimin audioviziv të gjendjes kulturore në Kosovë. Një projekt i tillë është ai i planifikuar nga Dega e Etnologjisë dhe ajo e Folklorit, i titulluar ATLASI ETNOGRAFIK I FSHATIT NË KOSOVË, i cili do të vijë si plotësim i projektit“Atlasi etnografik i fshatit shqiptar sot”, tashmë i nisur nga Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, i cili për bazë do të marrë edhe të dhënat nga Atlasi i fshatit shqiptar nga hulumtimet e viteve të 60-ta dhe 70-ta të shekullit paraprak edhe plotësimin e tyre me hulumtime të gjendjes kulturore në këto fshatra sot, pra të identifikimit të ndryshimeve që kanë ndodhur në ndërkohë.

Në këtë mënyrë synohet që me anë të këtyre dy projekteve për të ardhmen të sigurohet një pamje më e plotë e kujtesës së përgjithshme kombëtare, e bazuar si në kujtesën historike ashtu edhe atë kolektive.

Por cili është dallimi midis kujtesës historike e kolektive?

Që nga koha kur në vitin 1920-të Halbwatch e mendoi termin ‘kujtesë kolektive’ dhe pohoi se ajo dallon nga historia, edhe pse që të dyja kishin të bënin me të kaluarën, ky distinksion dhe raport mes tyre u bë preokupim i shumë autorëve[5]. Si pasojë e këtij dallimi shpeshherë kujtesa kolektive barazohet me kujtesën në krijimtarinë popullore, pra si diçka e mbajtur mend, duke u përcjellë prej gjeneratës në gjeneratë pa u shkruar, si dhe kujtesa historike me kujtesën e regjistruar nëpër libra. Shumë autorë, në lidhje me këtë çështje, i referohen vështrimit të Peter Novic te i cili thuhet, si në vijim:

Për të kuptuar diçka në mënyrë historike domethënë se duhet të jesh i vetëdijshëm për kompleksitetin e saj, të kesh një ndarje/distancë të mjaftueshme për të parë atë nga perspektiva të shumta, të pranosh ambiguitetet, përfshirë ambiguitetet morale, të motiveve dhe sjelljeve të protagonistëve. [Ndërsa] Kujtesa kolektive thjeshtëzon; i sheh ngjarjet nga një perspektivë e vetme, e përkushtuar; ajo nuk ka durim për ambiguitete të cilitdo lloj; redukton ngjarjet deri në arketipa mitikë. (f. 3-4) [6] [Prandaj], kujtesa kolektive në mënyrë tipike […] mund të kuptohet se shpreh një të vërtetë të përhershme apo esenciale për grupin – zakonisht tragjike. Kujtesa, njëherë e vendosur, e definon atë të vërtetë të përhershme, dhe bashkë me të edhe identitetin e përhershëm për anëtarët e grupit (f.126) [7].

I solla këto definicione për të parë se Instituti Albanologjik i Prishtinës, si edhe institucionet e ngjashme gjithandej nëpër botë, me degët dhe sektorët e saj kërkimorë, funksionon si regjistruese, si hambar dhe si përpunuese e nuancave të shumta të kujtesës kombëtare, me ç’rast kujtesa audiovizive, si njëra nga këto nuanca, shërben si hallkë ndërlidhëse e të kaluarës, të tashmes dhe së ardhmes.


[1] Benedict Anderson, Imagined Communities (Verso 2002)

[2] Anderson, Imagined Communities ; Michal Billig, Banal nationalism, (London: SAGE Publications 1995) dhe Konrad Koestlin, “Nova shvacanja regije i culture”, Narodna Umjetnost 38/2, (Zagreb, 2001) , pp33-49, ose si “Kuptimet e reja te regjionit dhe te cultures” , nëGJAFE, 40 2010, (Prishtinë: IAP, 2011) pp79-98.

[3] Shih kapitullin në librin e M. Billig ‘Making states and nations” mbi pikëpamjet e Ernest Gellnerit, Eric Hobsbawm-it, Anthony Smith-it si dhe librin e Jadranka Grbic, Identitet, jezik i razvoj,  (Zagreb:IEF, 1994) etj.

[4] Shih më detajisht në Tridhjetë vjet të Institutit Albanologjik (1967-1997), (Prishtinë: IAP, 1997)

[5] James Wertsch, Collective Memory, në Memory in Mind and Culture, Redaktuar nga Pascal Boyer dhe James V. Wertsch, (Cembridge, eBook, 2009), Hanry L. Roediger III at al., Role of Repeated Retrieval in Shaping Collective Memory, në Memory in Mind and Culture, shih edhe David W. Blight, The Memory Boom: Why and Why Now?, në Memory in Mind and Culture

[6] Cituar sipas Hanry L. Roediger III at al., “Role of Repeated …”, f. 140.

[7] Wertsch, Collective, f. 126.