EDERINA DEMO
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë
Abstrakt
Duke marrë në konsideratë vlerën e studimit si lëndë më vete të Metodave kërkimore në Shkencën e Bibliotekës dhe të Informacionit (SHBI), duhen bërë përpjekje për të përmirësuar programet mësimore, për të rritur rezultatet e të nxënit aktiv dhe pasiv, si dhe për të nxitur e frymëzuar kërkimin shkencor mes ndjekësve të shkollës për t’i drejtuar e mbështetur ata në këtë proces. Identifikimi i problematikave të përditshme që shtrohen për zgjidhje në komunitetin e bibliotekave dhe përdorimi i metodave kërkimore të përshtatshme për t’i dhënë zgjidhje këtyre problemeve në fushën profesionale është një strategji që i bën programet mësimore më të orientuar drejt profesionistëve të bibliotekës, duke treguar se si aftësitë kërkimore vihen në shërbim të zgjidhjes së problemeve dhe në të mirë të profesionit.
Fjalë kyçe: Arsimi bibliotekar, Programe mësimore, Kërkimi shkencor, Bibliotekonomia
I. Programet mësimore në Shkollën Kombëtare të Bibliotekonomisë
Viti 2019 shënon një vit jubile për Shkollën Kombëtare të Bibliotekonomisë pranë Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Pesëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 3 janar të vitit 1969[1], çeli dyert zyrtarisht kursi i kualifikimit dyvjeçar (sot Shkolla Kombëtare e Bibliotekonomisë) pranë Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Programet e kësaj shkolle kanë ndryshuar në vite, janë zgjeruar, thelluar, janë bërë më gjithëpërfshirëse, duke ndikuar kështu, në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në formimin teknik e profesional të bibliotekarëve.
Duke bërë një analizë të programeve mësimore të kësaj shkolle, vihet re se programi i parë përbëhej nga lëndë të tilla, si: Historia e PPSH-së, Historia e librit, Teknika bibliotekare dhe Puna me lexuesit[2]. Në vitet ’80 programet e shkollës vijnë më të zgjeruara, duke na prezantuar me lëndë të reja, që vijnë si zëvendësim i atyre paraardhëse, p.sh., lënda Teknika bibliotekare zëvendësohet me lëndët Dokumentacioni, Klasifikimi, Katalogimi, Bibliografia dhe Riparim libri. Në vitet ’90 i jepet më shumë rëndësi edhe lëndëve që kanë të bëjnë me shërbimet e bibliotekës. Shfaqja për herë të parë në programet mësimore e lëndëve të tilla, si Teknologjia e informacionit dhe Menaxhimi i bibliotekës i takon viteve 2000, ndërsa një dekadë më vonë hyn si risi në program lënda e Bibliotekës digjitale.
Në të shkuarën programet mësimore kanë qenë të fokusuara në zhvillimin fizik të koleksioneve të materialeve bibliotekare dhe si të tilla përgatisnin bibliotekarë që të dinin të përzgjidhnin, pasuronin, organizonin gjenin dhe qarkullonin këto materiale. Sot, programet mësimore shtrihen përtej koleksioneve fizike dhe bibliotekës si ndërtesë, drejt botës virtuale të internetit. Ato janë të fokusuara në ofrimin e informacionit për përdoruesit në kontekste të ndryshme dhe si të tilla janë konceptuar si vazhdimësi e programeve paraardhëse, por njëkohësisht në koherencë dhe të përditësuara me zhvillimet më të fundit të shkencës së bibliotekës dhe të informacionit, në përputhje me “Guidelines for professional library/information educational programs – 2012” nënshkruar nga Komiteti Profesional i IFLA-s në takimin e gushtit të vitit 2012 (IFLA 2012).
Gjithashtu, në hartimin e kurikulës jemi mbështetur edhe në përvojat më të mira të programeve mësimore të shkollave të shkencës së bibliotekës dhe të informacionit në botë, duke pasur parasysh që ka përvoja të ndryshme lidhur me përgatitjen e bibliotekarëve në vende të ndryshme të Evropës. Sot, në shumicën e rasteve, studimet në Shkencën e Bibliotekës dhe të Informacionit (më tej SHBI) janë të përqendruara pranë një departamenti ose fakulteti në universitet. Por, në vendet e Evropës Qendrore dhe Jugore, gjejmë edhe forma të bashkëekzistencës së kurseve/shkollave të trajnimit pa shkëputje nga puna, të ofruara nga bibliotekat kombëtare (siç është edhe rasti i Shqipërisë – shënim i autorit), biblioteka të tjera apo institucione kulturore (Harbo, 1996). Në raste të veçanta ndeshemi me ekzistencën e shkollave të pavarura, siç është edhe shembulli i Danimarkës me Shkollën Mbretërore të Shkencës së Bibliotekës dhe të Informacionit.
Që nga viti 1999, me nënshkrimin e Deklaratës së Bolonjës, kontrolli mbi shkollat e SHBI, kudo në Evropë u bë më rigoroz, duke nxitur konvergjencën me disiplina të tjera. Ky fenomen është i lidhur, ashtu si edhe në SHBA me përfshirjen e menaxhimit të informacionit, teknologjisë së informacionit, studimeve në fushë të mediave, komunikimit, librit, menaxhimit të regjistrimeve etj. (European Curriculum Reflections on Library and Information Science Education, 2005)
Parë në këtë këndvështrim, dhe bazuar në këto përvoja, programi mësimor i Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë përfshin metodat tradicionale si një mënyrë për të kaluar tek metodat e reja në mjedisin digjital, por gjithashtu gërsheton dijet dhe traditat kombëtare.
Si objektivë kryesore e këtij programi është pajisja e ndjekësve të tij me një kuadër teorik, praktik dhe profesional në Shkencën e Bibliotekës dhe të Informacionit.
Ndjekësve të programit u jepet mundësia për të fituar dhe demonstruar aftësitë profesionale, si dhe të ndërgjegjësohen për problemet në lidhje me profesionin.
Programi u jep mundësi ndjekësve të tij, që të vlerësojnë ndërveprimin mes teorive profesionale dhe zbatimin e tyre në praktikë:
Përvetësimin e kuadrit teorik dhe praktik në SHBI;
Familjarizimin me terminologjinë dhe standardet bibliotekare;
Kuptimin e rolit të bibliotekës dhe të shërbimeve të informacionit në një shoqëri me ndryshime të shpejta teknologjike;
Menaxhimin e koleksioneve dhe të burimeve të informacionit të orientuara drejt përdoruesve;
Fitimin e kompetencave profesionale me qëllim zbatimin e tyre në praktikë (IFLA, 2012)
Sot, programi mësimor i Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë përbëhet nga 11 lëndë: Hyrje në shkencën e bibliotekës dhe të informacionit, Organizimi i informacionit, Zhvillimi i koleksioneve bibliotekare, Katalogimi përshkrues, Klasifikimi i materialeve bibliotekare, Klasifikimi lëndor, Shërbimet referuese dhe informuese, Shërbimet e bibliotekës ndaj përdoruesve, Teknologjia e informacionit dhe e komunikimit, Biblioteka digjitale dhe Menaxhimi i bibliotekës. Programi realizohet në dy semestra për vitin e parë dhe në dy semestra për vitin e dytë, me sesione provimesh në lëndët e zhvilluara në fund të çdo semestri. Në përmbyllje të programit mësimor ndjekësi i shkollës prezanton dhe mbron punimin e diplomës profesionale me një temë të caktuar, përpara një jurie vlerësuese.
II. Domosdoshmëria e kërkimit shkencor
Natyrshëm lind pyetja: Shkolla Kombëtare e Bibliotekonomisë formon praktikues të shkencës së bibliotekës dhe të informacionit apo profesionistë të saj? Ndjekësit e shkollës duhet të jenë vetëm konsumatorë apo edhe ekzekutues të studimeve kërkimore?
SHBI është shfaqur jo vetëm si një profesion dhe program mësimor që mbështet profesionin, por gjithashtu edhe si një disiplinë kërkimore qysh në fillim të viteve ’60. Dy shkolla amerikane të shkencës së bibliotekës dhe të informacionit zhvilluan qendrat e tyre kërkimore: Qendra e Kërkimit Bibliotekar në Universitetin e Ilinoisit në vitin 1961 dhe Instituti i Kërkimeve Bibliotekare në Universitetin e Kalifornisë në vitin 1964. Secila qendër siguronte mundësi për kërkimin shkencor, si për fakultetet edhe për studentët. Përgjatë viteve ’70 shumica e shkollave, zyrtarisht të konsideruara si “shkolla biblioteke” shtuan fjalën informacion në emrin e tyre dhe zgjeruan programet mësimore (Encyclopedia of LIS, 2010).
Ndër tetë kompetencat themelore që duhet të zotërojë një profesionist biblioteke, sipas Shoqatës së Bibliotekave Amerikane është që ai të zotërojë dhe kur është e përshtatshme të jetë në gjendje të përdorë KËRKIMIN SHKENCOR (ALA, 2009). Për këtë profesionisti i bibliotekës duhet të njohë bazat e metodave kërkimore sasiore dhe cilësore, literaturën kërkimore të fushës dhe parimet dhe metodat e përdorura për të vlerësuar dobinë aktuale dhe potenciale për kërkime të reja. Po kështu është vlerësuar kërkimi shkencor dhe është përfshirë edhe në programet mësimore të shkollave evropiane, pavarësisht qasjeve të ndryshme në to (European Curriculum Reflections on Library and Information Science Education, 2005).
Është thelbësore që programet mësimore të SHBI-së të përgatisin individë për një mjedis të ri. Kërkimi shkencor ose hulumtimi nevojitet për të krijuar dije të reja dhe kështu ndikon në rritjen e SHBI-së në të dyja rrafshet edhe në atë profesional edhe në atë disiplinor.
Pa kërkim apo hulumtim nuk ka profesion, por vetëm punë bazuar në teknikë, rutinë, praktikë. Parë në këtë frymë, i gjithë procesi i kërkimit shkencor në tërësinë e tij përmirëson aftësitë profesionale, personale dhe kontribuon në zhvillimin e karrierës. Gjithashtu, kërkimi shkencor ndihmon në zgjidhjen e problemeve profesionale, ka fuqinë apo potencialin për të kontribuar në njohuritë disiplinore dhe zhvillon fushën shkencore. Këto janë shumë të rëndësishme për statusin e profesionit në përgjithësi.
SHBI për vetë natyrën e saj është gjithmonë në ndryshim, burimet e reja të informacionit që kanë dalë apo priten të dalin, mënyrat e shpërndarjes së informacionit, kërkesat për informacion e të tjera si këto ndryshojnë në mënyrë dramatike atë çka pritet nga bibliotekat e shërbimet që ato ofrojnë dhe pikërisht, pa hulumtime s’ka si të ketë zhvillim.
Duke marrë në konsideratë të gjitha këto, që nga viti 2016 programet mësimore të Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë u konceptuan në mënyrë të tillë që në bazë të tyre të kishin përpos teorisë dhe praktikës profesionale edhe kërkimin shkencor. Por, si realizohet ai në programet mësimore aktualisht? Deri tani ende nuk e kemi përfshirë një lëndë të tillë në programin mësimor të shkollës, por është realizuar përmes leksionesh shtesë, të cilat janë fokusuar në disa çështje kryesore:
Pse është i rëndësishëm kërkimi shkencor?
Pse është i rëndësishëm leximi, analizimi dhe vlerësimi i studimeve shkencore në lëmë të SHBI-së?
Metodat dhe realizimi i kërkimit shkencor.
Si kryhet Punimi i Diplomës Profesionale?
Kësisoj nga 11 lëndë që zhvillohen sot në programin mësimor të Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë në të paktën 8 prej tyre ndjekësit e shkollës janë të detyruar të hartojnë një seminar me shkrim në formën e një punimi shkencor. Ndërsa në përmbyllje të programit mësimor ndjekësi prezanton dhe mbron punimin e diplomës profesionale me një temë të caktuar, përpara një jurie vlerësuese të posaçme.
III. Punimi i Diplomës Profesionale dhe zhvillimi i kërkimit shkencor
Punimi i diplomës profesionale është një ndër risitë e këtyre programeve të fundit (që prej vitit 2016), është puna e ndjekësit të shkollës, përmes së cilës ai/ajo demonstron dijet e veta në një subjekt të caktuar, metodat e kërkimit dhe diskursin akademik, në mbështetje të kandidaturës së tij/saj, për të fituar kualifikimin profesional dhe është rezultat i punës së pavarur të ndjekësit, në bashkëpunim me udhëheqësin/mentorin. Për të përftuar një punim cilësor dhe profesional, ndjekësve të shkollës u është vënë në dispozicion “Udhëzuesi për aplikimin, përgatitjen dhe mbrojtjen e punimit të diplomës profesionale (PDP)”, në të cilin përshkruhen jo vetëm procedurat administrative të procesit që nga përzgjedhja e temës së PDP-së, mënyra e aplikimit, miratimit, mbrojtjes, por edhe çështje të shkrimit akademik, i cili i ndihmon ndjekësit të realizojnë një punim diplome profesional, sipas standardeve dhe duke zbatuar metodat e kërkimit që përdoren në lëmë të SHBI-së. Gjithashtu, përpos literaturës profesionale bazë dhe mbështetëse sugjeruar nga çdo lektor në lëndët përkatëse, ndjekësve të shkollës u janë mundësuar edhe baza të dhënash online me tekst të plotë në ndihmë të procesit të kërkimit të literaturës, si për seminaret me shkrim, ashtu edhe për punimin e diplomës profesionale.
Po të analizojmë temat e përzgjedhura nga ndjekësit e shkollës për punën e tyre individuale kërkimore vërehet dëshira për të trajtuar çështje të tilla, si shërbimet bibliotekare me 20.9%, teknologjia e informacionit dhe e komunikimit në biblioteka me 11.6%, kujtesa lokale po me 11.6%, aftësimi në informacion me 9.3%, zhvillimi i koleksioneve me të njëjtën përqindje, digjitimi i materialeve bibliotekare me 6.9%, menaxhimi bibliotekar me 2.3%, ndërsa 21.2% mbulohet nga tema të tilla, si bibliotekat universitare dhe kërkimi në to, klubet e leximit, bibliotekat speciale etj.
Fig. 1 Kategorizimi i temave të PDP-së
Gjatë sesionit të parë (shkurt – mars 2019) aplikuan për mbrojtje dhe u vlerësuan nga juritë vlerësuese, 10 ndjekës të shkollës ose 23.3% e totalit të ndjekësve, të cilët u vlerësuan pozitivisht.
Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i punimeve të diplomave profesionale pati problematika në:
aplikimin e metodave kërkimore;
interpretimin/vlerësimin e hulumtimeve ekzistuese;
zhvillimin e pyetjeve kërkimore;
shfrytëzimin si duhet të literaturës dhe citimin e duhur të saj.
Megjithatë, nga ana tjetër, duke analizuar dhe vlerësuar dinamikën individuale të secilit kandidat u vu re:
rritje e vetëbesimit në mënyrën e prezantimit të punimit të diplomës,
diskutim në nivel profesional i rezultateve të kërkimit,
ndërgjegjësim në drejtim të problematikave profesionale.
Përfundime
Nga të gjitha sa parashtruam, nëse një ndër objektivat themelore të zhvillimit të arsimit bibliotekar është formimi i një elite profesionistësh me aftësitë, kompetencat dhe dijet e duhura në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të Shkencës së Bibliotekës dhe të Informacionit edhe në Shqipëri, lind si domosdoshmëri përfshirja e një lënde të re në programin mësimor të Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë “Metodat e kërkimit shkencor në shkencën e bibliotekës dhe të informacionit”. Arsimimi i pamjaftueshëm në lidhje me metodat e kërkimit dhe metodologjinë në përgjithësi bëhet një nga pengesat kryesore për zhvillimin me standarde e të një cilësie të lartë të studimeve kërkimore në lëmë të Shkencës së Bibliotekës dhe të Informacionit.
Referenca
American Library Association (2009). ALA’s Core Competences of Librarianship. Shih: http://www.ala.org/educationcareers/sites/ala.org.educationcareers/files/content/careers/corecomp/corecompetences/finalcorecompstat09.pdf
Bates, M. J. & Maack M. N. (Eds). (2010). Encyclopedia of Library and Information Sciences (3rd ed.). (Vol. 3, p. 3290). New York: CRC Press
Harbo, O. (1996). “Recent trends in library and information science education in Europe.” Paper presented at the 62nd IFLA Council and General Conference, The Challenge of Change: Libraries and Economic Development, Beijing, 1996.
International Federation of Library Associations and Institutions (2012). Guidelines for Professional Library/Information Educational Programs. Shih: https://www.ifla.org/files/assets/set/publications/guidelines/guidelines-for-professional-library-information-educational-programs.pdf
Kajberg, L. & Lørring. L. (Eds). (2005). European curriculum reflections on Library and Information Science education. Copenhagen: The Royal School of Library and Information Science. Shih: http://euclid-lis.eu/wp-content/uploads/2014/02/european-curriculum-reflections.pdf
[1] Referuar Regjistrit themeltar të Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë
[2] Referuar Regjistrit themeltar të Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë