AGIM PAÇARIZI
Mësimdhënës i shkollës shqipe në Gjenevë
Tani, në këtë vit jubilar, kur Shkolla Shqipe në Gjenevë po shënon tridhjetë vjet të punës e të qenies së saj të suksesshme, i ndodhur që në krye të herës në epiqendrën e përpjekjeve të shqiptarëve të Gjenevës për themelimin e saj, ndjej një lehtësim brenda vetes që për të gjithë ata që duan të dinë më shumë se si dhe në çfarë rrethanash filloi puna për hapjen e saj, vështirësitë për regjistrimin e nxënësve, angazhimin e personelit arsimor-pedagogjik, sigurimin e lokaleve, sfidat për e me buxhetin e pamjaftueshëm (e ndonjëherë edhe të munguar), libri “Shkolla Shqipe në Gjenevë : monografi”, do të mund të shërbejë si një dritare gjithnjë e hapur, respektivisht si një burim informacioni e, pse jo, shpresoj edhe frymëzimi për punë të tjera të ngjashme.
Që ta dokumentoj sa më drejt gjithë ecurinë e Shkollës Shqipe në Gjenevë, fillimisht qëmtova faqe për faqe fletoret e mia të përdorura gjatë punës sime që nga viti 1996, atëherë kur fillova punën si mësimdhënës, i caktuar nga Ministria e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës së Republikës së Kosovës (qeveria në egzil), arkivin e Këshillit Kantonal të LAPSH-së të Gjenevës si dhe intervistat dhe bisedat e shumta me aktivistë të ndryshëm, të cilët në mënyra e me mjete të ndryshme ishin në shërbim të saj (Shkollës), gjithnjë me qëllimin parësor faktimin e të dhënave (me shifra e fakte, me dëshmi scripta manenta).
Para së gjithash, puna këmbëngulëse e plot përkushtim e aktivistëve, mësimdhënësve/eve dhe prindërve për mbarëvajtjen e kësaj shkolle në tri dekada, më nxiti e më dha forcë ta shkruaj historikun e zhvillimit që nga fillet e para. Por për të paraqitur sa më drejt gjithë historikun, që në fillim u përpoqa t’i kontaktoj (me telefon, e-mail apo me letër) të gjithë ata që janë përmendur si subjekte a bartës të punëve në çfarëdo forme për Shkollën Shqipe. Me disa prej tyre pata edhe intervista më të zgjeruara që më ndihmuan në kërkimin dhe gjetjen e aktivistëve të parë.
Në faqet e para fola pak edhe për Zvicrën, shtet ky, i cili, në raport me madhësinë e territorit, aktualisht është vendi me përqendrimin, njëri prej më të mëdhenjve, të shqiptarëve. U veçua Gjeneva, qyteti ku jetojnë e punojnë mbi njëqind e pesëdhjetë [150] komunitete të ndryshme nga e gjithë bota e ku gjenden një mori organizatash e institucionesh ndërkombëtare të llojeve të ndryshme e me interes të madh edhe për shqiptarët e të cilat, veç tjerash, ndihmojnë në sigurimin e drejtë të të gjitha të drejtave dhe lirive njerëzore.
Gjithashtu, në disa faqe janë ofruar të dhëna të rëndësishme mbi fillet e para të organizimit për hapjen e Shkollës Shqipe në Gjenevë, duke përmendur emrat e aktivistëve të parë që menjëherë pas ndryshimit të rrethanave politike në Kosovë, pas ngjarjeve të vitit 1981, e sidomos pas heqjes me dhunë nga Serbia e ish Jugosllavia të autonomisë së Kosovës, në vitin 1989, filluan të interesohen dukshëm për ruajtën, zhvillimin e kultivimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare te fëmijët e te të rinjtë shqiptarë, respektivisht për hapjen e Shkollës Shqipe edhe në Gjenevë.
Viti shkollor 1991/1992 ishte viti kur u bënë regjistrimet e para të fëmijëve shqiptarë dhe fillimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe në Gjenevë. Dy klasat e para u hapën në lagjen “Jonction” për të vazhduar më tej edhe në lagjet e tjera të Gjenevës, meqë në ndërkohë numri i të interesuarve për të ndjekur mësimin plotësues po rritej dita-ditës.
Në vitin 1993, Lidhja e Prindërve Shqiptarë (LPSH) në Gjenevë me aktivitetin e saj bëri që të rritet numri i nxënësve. Po gjatë këtij viti angazhohen mësimdhënës të profilit përkatës, krijohen lidhjet institucionale me Departamentin e Arsimit Publik në Gjenevë (DIP) dhe zgjidhet kryesia e cila bashkëpunonte edhe me LPSH-në e LASH-në në nivel Zvicre.
Në ndërkohë, në përputhje me realitetet e reja organizative, shoqërore e didaktike, në vitin 1995 bëhet bashkimi i LPSH-së dhe LASH-së në LAPSH-së (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë), e cila edhe regjistrohet në organet përkatëse të shtetit të Zvicrës si institucioni i vetëm përgjegjës për organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në këtë shtet. LAPSH-ja “Naim Frashëri” në Zvicër përpiloi statutin dhe rregulloren e punës, dy dokumente kryesore përmes të të cilave u krijuan edhe Këshillat Kantonale dhe u rregulluan të gjitha raportet e punës, të bashkëpunimit dhe të komunikimit ndërmjet subjekteve.
Lufta për çlirimin e Kosovës, si në çdo vend tjetër, pati ndikim edhe tek puna e LAPSH-së në Gjenevë. Shumë bashkatdhetarë tanë, veçmas ata që kishin edhe pjesëtarë të familjes në Kosovë, domosdo u detyruan ta ndihmojnë luftën – duke shkuar drejt në vijat e frontit, duke organizuar grumbullimin e ndihmave për popullatën apo edhe duke protestuar para organizmave ndërkombëtarë për atë që pushtuesi serb po bënte në Kosovë.
Gjatë viteve 1998-1999, si pasojë e dëbimit të popullatës shqiptare nga Kosova dhe arritjes së një pjese të tyre edhe në Gjenevë, shtohet edhe numri i nxënësve. LAPSH-ja, duke qenë e përkrahur edhe nga Departamenti i Arsimit Publik i Gjenevës (DIP), organizohet fuqishëm për të ndihmuar këta fëmijë. Fillimisht u hapën të ashtuquajturat klasat e pritjes ku me fëmijët emigrantë mbahej mësim i përbashkët me mësimdhënës vendas me qëllim të përgatitjes së tyre për fillimin e mësimit të rregullt në shkollat e vendit (për ata që do të mbeteshin në Gjenevë) dhe për të mos harruar gjuhën amtare (për ata që do të ktheheshin në atdhe).
Rrethanat e krijuara gjatë luftës në Kosovë, që bënë të domosdoshme edhe intervenimin e forcës ndërkombëtare kundër dhunës serbe, patën ndikim edhe tek institucionet vendore zvicerane. Tani propaganda antishqiptare serbe, që me vite ishte servuar gjithkah nëpër botë, nuk kishte më asnjë vlerë. Bota demokratike e pa qartë se çfarë bënte Serbia në popullatën e pambrojtur.
Të dalë nga një situatë e rëndë, menjëherë pas luftës, LAPSH-ja kërkoi në Gjenevë mbështetje nga institucionet vendore për rifillimin e punës për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Komisioni mbështetës që u formua nga miqtë zviceranë mundësoi rifillimin e Shkollës Shqipe, e cila bëri që numri i nxënësve të rritej mbi treqind e pesëdhjetë [350]. Në dekadën e dytë të punës, për dallim nga dekada e parë ku e gjithë puna bëhej vullnetarisht, tashmë LAPSH-ja kishte mbështetje të madhe nga institucionet e Gjenevës. Tani me mësimdhënësit/et nënshkruheshin kontrata pune, paguheshin kontributet sipas ligjeve të vendit, si dhe institucionet e vendit mbështetnin sigurimin e lokaleve dhe ofronin ndihma financiare të cilat shtoheshin nga viti në vit.
Në 20 vjetorin e punës së LAPSH-së ndihmat ishin rreth njëqind mijë [100.000] franga në vit e që, në njëfarë mënyre, i mbulonin të gjitha shpenzimet vjetore për nxënësit që vijonin mësimin. Në shenjë falënderimi LAPSH-ja organizoi një mbrëmje ku merrnin pjesë shumë personalitete të vendit, në mesin e të cilëve ishin edhe ministri i Departamentit të Arsimit Publik të Gjenevës (DIP) dhe ambasadori i Kosovës në Zvicër.
Sot LAPSH-ja në Gjenevë ka njëqind e gjashtëdhjetë [160] nxënës me të cilët punojnë gjashtë [6] mësimdhënëse, kryesisht në lagjet ku ka numër më të madh të shqiptarëve.